Portokallia, rikthim plot surpriza
Studiot, skena, por edhe prapaskena e “Portokallisë” janë të zhurmshme. Batuta që shkëmbehen andej-këtej, copëza skenari që thuhen e përsëriten për më të mirën, një melodi e marrë nga orkestra dhe një sezon i 14-të i spektaklit të vetëm të humorit që është gati të startojë. Në pultin e regjisë, Altin Basha nxiton të shtojë a të heqë detajet e fundit. Nuk flet për ndryshime rrënjësore, por patjetër për surpriza. Një seri personazhesh të reja, stereotipie të shoqërisë shqiptare, të vendosur në situata groteske, do të vijnë këtë sezon për publikun. Këto personazhe të prodhuara nga skenaristët tashmë të njohur të “Portokallisë”, Jani Duro dhe Vangjel Kozma, do të interpretohen nga aktorë të rinj nga Shqipëria dhe Kosova, të përzgjedhur në audicione të organizuara gjatë kësaj kohe pushimi. “Pjesa më e mirë e personazheve të rinj do të shfaqet që në premierë, por gjithashtu janë një sërë personazhesh të njohur nga sezonet e shkuara, që të vendosur në rrethana të reja dhe në një kombinim të ri skenik, do të përbëjnë surpriza të këndshme”, tregon regjisori Altin Basha. Flori, që jeni mësuar ta shihni nën petkat e policit, do të vijë si shofer; Adela do të ketë ndërruar gjyshin; personazhet e Shekspirit do të vijnë me histori të reja...
Erand Sojli nuk do t’i mungojë gjithashtu këtij sezoni. “Do të jem me karaktere që kanë pasur sukses në sezonet e mëparshëm, por po punoj paralelisht me karakteret e reja, që do t’i prezantoj në puntatat e ardhshme”, tregon ai. Do të jetë një prej idealistëve që i përgjigjet thirrjes së Kryeministrit për kthimin e trurit e po ashtu do të ketë në krah jo më një kosovar, por një kosovare me emrin Flaka. Situata e personazhit të fundit do të vazhdojë të godasë mbi unifikimin e gjuhës, të fenomenit që na ndan ne shqiptarët në dy anët e kufirit zyrtar. Gama e temave që do të preken, frymëzuar mbi realitetin shqiptar, do të jetë e gjerë. Problematikat dhe shqetësimet e jetës së përditshme do të mbërrijnë te publiku në një formë të pranueshme: humorit. “Ky sezon do të përfshijë tematikat sociale, për të kaluar te humori politik e më tej te një humor i realizuar përmes komunikimit me publikun. Duhet theksuar se Kosovën do ta sjellim jo vetëm me problemet sociale, por edhe me dimensionin politik, ku ndihet prania e të huajve, të cilët nuk e lënë administratën kosovare të marrë frymë”, shprehet Basha. Skenografia e Fatmir Mingës do të jetë e njëjta, ndërsa për kostumet do të kujdeset sërish Iliriana Basha Loxha. Teksa hyn në vitin e shtatë të saj, “Portokallia” vazhdon të mbetet e vetmja dritare ku të vërtetat thuhen përmes humorit. “Ne e konsiderojmë një sukses të plotësuar këtë të ‘Portokallisë’, nisur nga dashuria me të cilën publiku e ka pranuar dhe punës së stafit që e ka ngritur këtë spektakël në një institucion të prodhimit të humorit. Në thelb sfida jonë mbetet një sfidë me vetveten, ku nuk ka vend vetëkënaqësia, individualizmi i pakuptueshëm, por puna në grup dhe vullneti për të dhënë më të mirën te publiku”, thekson Basha. Në intervale të vazhdueshme të hapjes së portës që të çon në skenë, Agron Llakaj shfaqet herë si prezantues, herë si njëri e si tjetri personazh. Në drejtimin e “Portokallisë” do të ketë sërish në krah Amin, për të cilën shprehet se “portretin e dashur që shfaq në ekran është i pandashëm me portretin e ‘Portokallisë’”. Tregon se në galerinë e tij të personazheve, gjithnjë të mirëpritur nga publiku, brenda sezonit do të shfaqë një personazh të ri. Ndërsa në cilësinë e drejtorit artistik, Llakaj siguron se publiku do të shohë në skenë një sërë personazhesh të reja, pasqyrë reale e fenomeneve të dhimbshme shqiptare. “Si rrallë ndonjëherë, në këtë sezon kemi një riformatim të personazheve dhe kjo në funksion të ‘Portokallisë’, duke i dhënë një shije tjetër për publikun. Do të jenë sërish personazhe që plotësojnë ato realë, të jetës shqiptare. Shqiptarët nuk kërkojnë nga ne veç të qeshurën e sinqertë pa mesazh. Misioni i ‘Portokallisë’ nuk ka qenë thjesht argëtimi, por ka qenë zëri i tyre ndaj fenomeneve negative të shoqërisë shqiptare dhe politikës. Ne unifikojmë zërin tonë artistik me atë të qytetarëve. Brenda këtij misioni më ka pëlqyer që jemi në koherencë me ngjarjet politike që ndodhin në realitetin tonë, i pranueshëm si i dhimbshëm. Opozita reale e Berishës është ‘Portokallia’. Në një farë mënyre ne po bëjmë edhe misionin e vetë opozitës, që kanë 6 muaj që presin të hapin vetëm kutinë e Rruzhdies, kur ne e dimë që janë kuti të tjera më të mëdha që populli ynë nuk i ka: varfëria, papunësia, rritja e madhe e çmimeve. Populli kërkon uljen e çmimit të kësaj kutie që e ka emrin jetë”, shprehet Llakaj, duke shtuar se “për sa u përket elementëve të tjerë, të kuptohemi që ne kemi luksin e madh, duke pasur një suport të fuqishëm teknik dhe financiar të ‘Top Channel’-it. Prej së nesërmes, të dielat do ta kenë një motiv për ata që e ndjekin ‘Portokallinë’ nga ekrani i ‘Top Channel’, ndërsa për të tjerët, ata që duan t’i përjetojnë live të qeshurat, biletat do të gjenden çdo të premte e të shtunë pranë ish-ekspozitës “Shqipëria e re”.
#