Dell: Duhet reformë zgjedhore

Ambasadori amerikan në Kosovë, Christofer Dell, në një intervistë ka kërkuar që institucionet e reja ne Kosove të nisin me reformën zgjedhore.
“Kuvendi i ardhshëm duhet të krijojë komisione ose komitete parlamentare jopartiake për të punuar në reformën zgjedhore me të gjitha partitë e përfaqësuara. Mund të jetë ky është vetëm sugjerim, mund të jetë ide e mirë që proçesi të mos udhëhiqet nga partia më e madhe në Kuvend ose nga një bashkë-kryesi, por duhet të ketë reformë të mirëfilltë të ligjit zgjedhor” ka vlerësuar Dell.
Fakti që disa parti nuk kanë fituar në dhjetor dhe dëshirojnë të mbajnë zgjedhje të reja, vetëm për të provuar fatin sërish, sipas tij, nuk është arsye që të mbahen zgjedhje sërish këtë vit.
“Arsyeja për të mbajtur zgjedhje është në fund të mandatit që njerëzit të gjykojnë qeverinë e ardhshme: a ka bërë punë të mirë apo nuk ka bërë punë të mirë dhe që ato zgjedhje të mbahen në bazë të një pakoje të re ligjesh, që në të ardhmen do të sjellin një rezultat më pak të kundërshtuar dhe më të besueshëm. Unë po flas për një proces se si të kthehet, si të riparohet besimi i njerëzve në sistem. Veç zgjedhjet nuk e bëjnë këtë, sepse siç e kemi parë, sipas sistemit të tanishëm rezultatet e tyre kontestohen gjithmonë” është shprehur ambasadori amerikan Dell.