Dell: Ende ka punë në ndërtimin e Kosovës shumë-etnike
Kështu tha të shtunën ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Dell, në konferencën vjetore të Rrjetit Strategjik Aksional, Kosova, që u mbajt në komunën e Graçanicës, raporton REL.
Dell tha se “ne çdo ditë shohim se ende ka shumë punë për të bërë në ndërtimin e një Kosove tolerante shumetnike dhe demokratike”.
“Të gjitha institucionet në Kosovë duhet të shprehin qartë përkushtimin e tyre të përbashkët ndaj bashkësive pakicë dhe të tregojnë se Kosova është me të vërtetë e të gjithëve, njerëzve të ndryshëm që jetojnë këtu”, tha Dell.
Dell kritikoi institucionet e Kosovës, duke thënë se nuk kanë bërë mjaft për respektimin dhe promovimin e plotë të të drejtave dhe interesave të bashkësive pakicë.
“Ligji për gjuhët i Kosovës është njëri nga më përparimtarët në Evropë, por ai nuk zbatohet në masë të mjaftueshme”, u shpreh Dell.
Ambasadori amerikan foli edhe për miratimin e ligjeve për Qendrën Historike të Prizrenit dhe për Hoçën e Madhe. Ai për këto ligje tha se “janë ligje të mira për tërë Kosovën.
“Për fat të keq, debati për këto ligje që u zhvillua në Kuvend tregon që Kosova ende duhet të punojë në forcimin e themeleve të një shoqërie tolerante dhe shumë-etnike”, theksoi Dell.