Opozita: RTK po na censuron
Në anën tjetër, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se po tentohet që të rikthehen tema që nuk i kontribuojnë agjendës së konsolidimit të shtetit, andaj ka kërkuar nga Kuvendi që të vazhdojë me agjendën e rregullt, ndërsa është shprehur i gatshëm që për këto çështje të flas në seancë të veçantë.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se RTK-ja duhet të ketë trajtim të barabartë për të gjitha grupet parlamentare.
“Ky televizion është publik dhe për publikun. Dhe financohen nga buxheti i Kosovës nga mjetet e qytetarëve tanë, prandaj trajtimi duhet të jetë korrekt. Ne në këtë rast reagojmë publikisht për një veprim të tillë seleksionues dhe censurues”, ka thënë Beqiri.
Ndërsa, Liburn Aliu nga Vetëvendosje ka thënë se politika në pushtet po e privatizon këtë televizion.
“Konsiderojmë se për së brendshmi, ky televizion është privatizuar nga partia në pushtet”, tha Aliu.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se RTK-ja po shndërrohet në transmetues partiak.
Në mbrojtje të RTK-së, i ka dal deputeti i PDK-së, Shaip Muja, i cili ka thënë se këto kritika nga opozitarët, bëhet për qëllime puro personale.
Ndërsa kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi nuk ka dashur ta zgjas shumë fjalën e tij pas kritikave të ndryshme të drejtuar nga deputetët e opozitës, duke kërkuar që ligjvënësit t’i tejkalojnë interesat partiake dhe grupore.
Ai ka theksuar se është i gatshëm që në seancë të veçantë të flas për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Unë mendoj që të vazhdojmë me agjendën që e kemi të planifikuar dhe pastaj në një rrethanë më të përshtatshme të zhvillojmë një debat të veçantë për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, ku edhe unë do të jem edhe Qeveria edhe ju dhe diskutojmë nëse doni nga 1912 e deri më sot”, ka thënë Thaçi.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka ngritur sërish çështjen e takimeve të përfaqësuesve politikë me ministra dhe zyrtarë të Serbisë, duke thënë se nuk ka ngrënë darkë me ministrat serb siç ka thënë kryeministri.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymerit, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk po bën asgjë për t’u pavarësuar ekonomikisht nga Serbia.
Ai ka pohuar se pavarësia nga Serbia duhet të jetë edhe në aspektin ekonomik, gjë që deri tash nuk ka ndodhur, madje, siç ka thënë ai, një pavarësi e tillë është luftuar nga Qeveria e Kosovës.
Për këtë çështje, ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, e cila, sipas tij, projektin e interkonjeksionit 400 kilovoltësh, së bashku me Qeverinë e Shqipërisë nuk po e përfundojnë, duke pamundësuar kështu pavarësinë nga Serbia.
Ndërkohë, në kohën e pyetjeve parlamentare, deputetja Donika Kadaj-Bujupi ka pyetur ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi se a do ti qasen veriut dhe kur?
Ndërsa ministri Rexhepi ka thënë se çështja e veriut çdo ditë është prioritet në veri me KFOR-in dhe EULEX-in.
“Aksioni i 25 korrikut ka qenë aksioni më i suksesshëm që nga shpallja e deklaratës së pavarësisë dhe falë atij aksioni nuk e ke në tavolinë më çështjen e ndarjes, por e ka cementuar territorin e Kosovës”, ka deklaruar Rexhepi.
Edhe disa deputetët kanë parashtruar pyetet, ndërsa disa në mungesë të kryeministrit dhe disa ministrave nuk kanë mundur t’i parashtrojnë ato.
Gjatë ditës së sotme është miratuar Projketkodi Penal i Republikës së Kosovës, ndërsa pritet të miratohen Projektligji për Hoçën e Madhe dhe atë për Qendrën Historike të Prizrenit, si dy ligje shumë të rëndësishme për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë.
Gjithashtu, është edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet Publike dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme. /kosovapress/