E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dell: Kosova idecentralizim më të shpejtë

PRISHTINE- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Christopher Dell deklaroi se është bërë përparim i madh në integrimin e komuniteteve në Kosovë, por shprehu nevojën e thellimit të mëtejshëm të këtij procesi. Dell theksoi se decentralizimi duhet të realizohet me një shpejtësi më të madhe, sepse Kosova nuk duhet të vonohet në përmbushjen e pakos së Ahtisaarit. Ambasadori i SHBA-së vlerësoi se zgjedhjet e nëntorit kanë thyer ngecjen 10 vjeçare në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë. Në një tryezë të organizuar sot në Prishtinë nga Projekti amerikan për Marrëdhënie Ndëretnike, ambasadori Dell theksoi nevojën e thellimit të standardeve demokratike dhe dialogut ndëretnik. Edhe pse sipas ambasadorit Dell, shoqëria kosovare ka bërë mjaft në këtë drejtim, tani është koha që komunat e reja të zhvillojnë ekonominë dhe të ofrojnë shërbime për qytetarët. “Skeptikët do të shikojnë nga anash zhvillimet në këto komuna dhe anembanë Kosovës, por së shpejti ata vetë do të thonë: edhe ne dëshirojnë të njëjtën gjë”, tha Dell. Sipas ambasadorit Dell, Kosova është në rrugë pozitive dhe zgjedhjet lokale shënuan vetëm fillimin e procesit të decentralizimit. Qeveria e Kosovës, sipas tij, duhet ta mbështesë këtë proces në të gjitha aspektet. “Komunat duhet të kenë fleksibilitet dhe kontroll në të gjitha resurset. Qeveria duhet të sigurojë transferimin e kompetencave. Kosova nuk ka kohë të rrijë dhe të reflektojë për decentralizimin. Tash është koha për ta kthyer decentralizimin në realitet pozitiv. Kosova nuk mundet dhe unë e di se nuk do të vonohet në realizimin e premtimeve për përmbushjen e planit të Ahtisaarit”, tha ambasadori amerikan.(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›