Dell: LDK nuk interesohet për popullin dhe Kosovën

Ambasadori amerikan Christopher Dell sërish i ka cilësuar si “fëmijërore, idhnake dhe të pamenduara mirë” reagimet e partive kundër vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese rreth mandatit të presidentes Atifete Jahjaga dhe paralajmërimeve të LDK-së se do të bllokojë reformat e nisura.
“Nuk kam fjalë për ta përshkruar një reagim të tillë i cili për mua është i pakuptimtë. LDK-ja ka dashur reformë të Ligjit Zgjedhor për faktin se nuk ka qenë e kënaqur me atë se si janë zhvilluar zgjedhjet e fundit. Dhe, tani që Gjykata Kushtetuese ka thënë se jo gjithçka në atë marrëveshje ka qenë ne pajtueshmëri me Kushtetutën, a do të thotë kjo se LDK nuk dëshiron më reformë zgjedhore? Dhe se e tëra ishte e lidhur me presidencën?”, ka thënë Dell në një intervistë për “Kosova sot”, siç transmeton KosovaTimes.
“I ballafaquar me këtë jam i detyruar të konkludoj se LDK-ja nuk është e interesuar se çka është e mirë për popullin dhe Kosovën, por është e interesuar vetëm për atë që është e mirë për të si parti”, ka theksuar diplomati amerikan.
Ai thotë se LDK-ja e sheh presidencën vetëm si një figurë në një lojë të vazhdueshme shahu që e luajnë me njëri-tjetrin.