Jo, ushtarakisht

Dialogu politik ndërmjet Kovës dhe Serbisë dhe një zgjidhje për problemet me Veriun e Kosovës është proklamuar të mërkurën në Prishtinë.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Anders Fogh Rasmussen ishte ai i cili të martën përcolli mesazhe të qarta.
Pavarësisht se e ka cilësuar Veriun si pjesë ku siguria është e brishtë, ai ka mohuar çdo mundësi të ndërhyrjes ushtarake atje. Zgjidhja sipas tij, duhet të jetë politike.
“Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë problem. Ne duhet të kemi një proces politik, i cili do të sjellë integrimin e plotë të pjesës veriore në Kosovë dhe shoqërinë kosovare”, ka thënë Rasmussen. Ndërkohë që ka bërë thirrje për vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“E dimë se ka probleme politike në Kosovë, por këtë duhet adresuar përmes dialogut, për këtë arsye mbështesim dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, së bashku me Bashkimin Europian”, tha ai.
“U bëj thirrje të gjithë krerëve dhe të gjitha komuniteteve nëpër këtë rajon për të treguar përgjegjësi dhe maturi. Unë u bëj thirrje të gjithë udhëheqësve dhe të gjitha komuniteteve për të zgjedhur dialog, jo konfrontim. Për shkak se populli i këtij rajoni meriton një të ardhme më të mirë euroatlantike“, shtoi Sekretari i NATO’s të martën në Prishtinë.
Kjo ndërkaq nuk do të ishte hera e parë që autoritetet ndërkombëtare kërkojnë vazhdimin e dialogut në Bruksel, pavarësisht se implementimi i marrëveshjeve të arritura në raundet e mëhershme po ngec.
Mirëpo, pala kosovare është ajo e cila mohon që Veriu i Kosovës të shtrohet si temë në Bruksel.
Sekretari Rasmussen, ndërkaq, ende pa u konfirmuar mbajtja e takimit të radhës, ka dhënë disa sugjerime për të dyja palët. Nga Beogradi ai ka kërkuar më shumë përkushtim, e nga Prishtina më shumë guxim.
“Kjo kërkon angazhim nga autoritetet në Beograd, por edhe guxim politik dhe përkushtim nga autoritetet politike në Prishtinë”, ka thënë Rasmussen.
Krejt këto komente i bëri në një konferencë për media, pas takimit të Këshillit të NATO’s në Kosovë, ku përveç 28 ambasadorëve të shteteve anëtare të organizatës, morën pjesë edhe përfaqësues të ekzekutivit të Kosovës.
Gjatë këtij takimi, ambasadorët e shteteve anëtare patën disa pyetje për Kryeministrin Hashim Thaçi për situatën në Veri të vendit, të cilën Thaçi e cilësoi si të tensionuar. Ai kërkoi përkrahjen e NATO’s dhe autoriteteve të tjera europiane për të siguruar rend dhe ligj edhe në atë pjesë të shtetit.
“Veriu i Kosovës nuk duhet të mbetet vrimë e zezë, ku s’ka sundim të ligjit, ku ka krim të organizuar dhe kontrabandë. Kjo nuk u shërben qytetarëve në atë pjesë, nuk i shërben Kosovës, por as rajonit", ka thënë Thaçi.
Ndërkohë që i ka adresuar edhe disa kërkesa të Ekzekutivit për Këshillin e Aleancës Veriatlantike.
“Aprovim i kapaciteteve të plota operacionale të FSK-së nga ana e këshillit Veriatlantik të NATO’s sa më shpejt; Vendosja e Raporteve Formale të partneritetit me NATO-n (anëtarësim në Partneritet për Paqe; Anëtarësimi i Kosovës në kartën e Adriatikut A5, (fillimisht në cilësinë e Vëzhguesit, dhe strukturat e tjera rajonale të sigurisë); dhe mundësi dhe ftesë për pjesëmarrjen e njësiteve të FSK’së apo Policisë së Kosovës në operacione jashtë vendit të udhëhequra nga NATO’ja apo BE’ja”, ishin kërkesat e Thaçit.
Ky i fundit pati edhe një takim të ndarë me Sekretarin e NATO’s, me të cilin thuhet të jenë pajtuar se nuk do të ketë ndarje të Veriut, e as bisedime politike për të.
Ndryshe, Sekretari Rasmussen dhe ambasadorët e të gjithë 28 aleatëve të NATO’s vizituan edhe KFOR’in. Ata u shoqëruan nga i Sekretari i Përgjithshëm Ekzekutiv i Sekretarit të Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm, Pierre Vimont.