Darka e hidhur

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Dell ka bërë publike detajet për lojërat politike që janë zhvilluar në garën për postin e Presidentit në vitin 2010 dhe 2011, në një interviste që është publikuar në “Kosova Sot”, të mërkurën.
Ambasadori në largim ka thënë se Veton Surroi, ish-Kryetar i Partisë Ora, ka bërë përpjekje që ta marrë mbështetjen e Hashim Thaçit për t’u bërë President.
Dell ka thënë se mënyra se si tentonte ta arrinte këtë qëllim Surroi, duke përdorur edhe gazetën e tij, e ka bërë të ndihet i ndotur.
“Një veprim që më ka bërë të ndihem i ndotur, duke qenë dëshmitar i tij, ka qenë kur e kam shikuar Veton Surroin të zvarritet para Kryeministrit, duke e lutur atë që ta bëjë President. Dhe kjo ka ndodhur në shtëpinë time, në fund të tetorit apo në fillim të nëntorit të vitit 2010”, ka thënë Ambasadori amerikan.
Ai ka dhënë versionin e tij se si ka ardhur deri te ky takim.
“Ai (Surroi) ka kërkuar nga unë që ta organizojë një darkë me Kryeministrin Thaçi, në mënyrë që ai të mund të flasë me të dhe ai ka kërkuar nga Kryeministri që ta konsiderojë atë për President”, thotë Dell.
Më pas, ai përshkruan ndryshimet në vijën editoriale të gazetës “Koha Ditore” më qëllim të arritjes së synimit të pronarit të saj, Veton Surroit.
“Dhe nëse ktheheni prapa dhe e shihni tërë atë që ka botuar gazeta (Koha Ditore), atëherë e shihni se në vjeshtë 2010 përnjëherë ajo vija e tyre tradicionalisht armiqësore ndaj Hashim Thaçit, u bë dukshëm më miqësore. Dhe kjo vazhdoi deri në shkurtin e vitit 2011, kur ata iu kthyen vijës së tyre tradicionale me një armiqësi të shtuar, jo vetëm ndaj Kryeministrit, por edhe ndaj meje”.
Dell ka folur edhe për një takim të Surroit me Behgjet Pacollin.
“Gjatë asaj periudhe kohore, z. Surroi e ka pasur edhe një bisedë me Behgjet Pacollin, të cilit i ka thënë se do të bëjë gjithçka brenda mundësisë për ta shkatërruar atë. Së pari ndaj Pacollit, e më pas ndaj Jahjagës – kjo ka qenë një politikë konsistente redaktuese e gazetës së z. Surroi. Natyrisht, e tërë kjo është mbështjellë me pretendime për parime, përkushtim ndaj demokracisë dhe lirive, e gjëra të ngjashme, por në të vërtetë krejt kjo ka të bëjë me aspiratën e Vetonit për t’u bërë vetë President dhe për manovrimet e tij për ta siguruar përkrahjen e LDK’së për kandidaturën e tij”, ka deklaruar Dell.
Në këtë intervistë, Ambasadori amerikan në largim ka shpalosur edhe detaje të tjera të skenarëve për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të fundit.
Dell thekson se plani i AAK’së ishte që të realizojnë opsionin e tyre që Ramush Haradinaj të vijë në postin e kryeministrit, kurse Hashim Thaçi të bëhej president.
Veton Surroi ndërkaq ka reaguar të mërkurën ndaj deklaratave të Ambasadorit amerikan.
Në reagimin e tij, publicisti kosovar shprehet i habitur “se si një diplomat amerikan bëhet krijues dhe shpërndarës i thashethemeve”.
“Kam shkuar në rezidencën amerikane me ftesë të Ambasadorit Dell për darkë, në të cilën ai ka insistuar në prani të Hashim Thaçit që do të ishte mirë për vendin që unë të bëhem President, pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut”, ka thënë Surroi.
“Me arsyetimin se kjo do të ishte mirë për të tejkaluar krizën institucionale dhe për ta prezantuar Kosovën më mirë në botë, për shkak të perceptimit negativ që ka z. Thaçi në botë”, ka shtuar ai.
“Nuk ka pasur kurrfarë zvarritje, as lutje nga ana ime, po ka qenë ide e Ambasadorit Dell dhe pjesë e bisedës së tij. (Kurse) Pacollit, asnjëherë nuk i jam kërcënuar, por në një takim i kam thënë se do t’i bënte dëm Kosovës zgjedhja e tij për president”.
Në reagimin e tij, Veton Surroi është distancuar nga kompania mediale që e ka themeluar, Grupin Koha.
“Çfarëdo përmendje të gjoja ngritjeve të mia politike në kontekst të asaj që e raportojnë ‘Koha Ditore’ dhe KTV është plotësisht e pabazë”, ka nënvizuar ai.