E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizin serbët

Shkrimtari serb, Dobrica Cosic po angazhohet që Serbia “ta dorëzojë Kosovën në mënyrë të civilizuar”. Ish-Presidenti Boris Tadic, ndërkaq, ka theksuar se vendi i tij tashmë e ka konfirmuar se Kosova është e pavarur. Por më i ashpër ka mbetur Jeremic. Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në OKB mund të ndodhë vetëm “mbi trupin e tij të vdekur”.

Akademiku serb, Dobrica Cosic, i cili në qarqet intelektuale të Serbisë quhet “baba i kombit serb”, në muajt e fundit është angazhuar në promovimin e qëndrimit të tij se “Serbia duhet në mënyrë të civilizuar ta dorëzojë Kosovën, sepse kjo është plagë kanceri e shoqërisë sonë”.

Qëndrimi i Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic, se partitë parlamentare duhet të hartojnë një konsensus kombëtar për Kosovën dhe deklarata e tij e djeshme se "kurrë nuk do të jetë president në Prishtinë", nga shumë analistë në Serbi po interpretohen si “dorëzim i civilizuar”, të cilin e mbështet Cosici.

Shkrimtari dhe teoricienti nacionalist, Cosic ka qenë një nga ideatorët kryesorë të nacionalizmit serb, që solli luftëra të përgjakshme në vitet ’90, në shumë vise të ish-Jugosllavisë. Atëherë, ai propozonte ndarjen e Kosovës në proporcionin 60 për qind për shqiptarët dhe 40 për qind për serbët. Këtë ide ai e ka shtruar edhe në mandatin e tij si president i të ashtuquajtur Republika Federative e Jugosllavisë, trashëgimtares së Jugosllavisë së shpërbërë nga lufta, në vitet 1992-93.

Në vitin e kaluar, gjatë promovimit të një libri të tij, përkitazi me këtë ka thënë: “E kisha një propozim të arsyeshëm, por askush nuk më ka dëgjuar në këtë vend. Zoti hair e bëftë, se tash është vonë”.

Kryetari i Partisë Demokratike dhe ish-Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka thënë se Serbia në njëfarë kuptimi e ka konfirmuar realitetin se Kosova është e mëvetshme, e madje edhe gjatë negociatave nuk ka pasur qëllim që Kosovën ta bëjë jo të pavarur, veçse ka dëshiruar ta definojë kornizën juridike të asaj mëvetësie.

Sipas tij, Serbia më nuk ka kurrfarë institucione apo instrumentesh me të cilat do ta drejtonte çfarëdo procesi në Kosovë. Ai ka theksuar se Kosova dhe aleatët e saj kanë strategjinë e hapave të ngadalshëm drejt pavarësisë së plotë.

Tadic për revistën kroate “Globus”, ka thënë se ky interes me të cilin do të përmbushej objektivi i shqiptarëve në Kosovë është legjitim dhe askush nuk mund ta mohojë.

“Por Serbia i ka interesat e veta në Kosovë, ku kemi qytetarët tanë, përmendoret tona kulturore dhe integritetin tonë shtetëror. Këtë nuk guxojnë ta harrojnë as shtetet e tjera të rajonit, sepse nëse pranohet demontimi i integritetit të Serbisë, atëherë herët a vonë mund të demontohet i tërë rajoni”, është kërcënuar Tadic, raporton RTK’ja.

Tadic nuk është i sigurt se koalicioni i cili tash po e përgatit formimin e qeverisë së re të Serbisë do të arrijë marrëveshje rreth çështjeve ekonomike e bashkëpunimit rajonal të Kosovës. “Nuk mund të arrihet konsensusi kombëtar rreth Kosovës, sepse Tomislav Nikoliq e Ivica Dacic i takojnë politikës së njëjtë, e konsensusi arrihet midis dy poleve të ndryshme politike”, ka theksuar ai.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Vuk Jeremic ka deklaruar se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në OKB gjatë kohës së kryesimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së, do të ishte një akt provokimi i pakuptimtë, të cilin ai nuk do ta lejonte.

“Derisa Serbia të kryesojë KB’në, e kjo do të ndodhë gjatë vitit në vijim, kjo do të mund të ndodhë vetëm mbi mua të vdekur", ka thënë Jeremic, gjatë konferencës së shtypit, pas takimit me ministren qipriote të Punëve të Jashtme, Erato Kozaku Markulis.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›