E Diel, 1 Nëntor 2026

Dell: Maqedonia e futur në qoshe, nuk di si të dalë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell ka deklaruar se Maqedonia e ka vënë veten në një qoshe nga e cila nuk di si të dalë.

Ai këtë e theksoi mbrëmë në një intervistë për Zërin e Amerikës, duke komentuar se Kosova me pranimin e mbishkrimit do të futet në një kurth duke shënuar ngecje sikur Maqedonia, për shkak të kontestit të emrit.

“Për shkak se Maqedonia i ka kushtuar më shumë rëndësi simboleve sesa aspektit praktik, ka ngecur. Kritikët kanë të drejtë, por për arsye të gabuara, sepse ata e kanë bërë simbolizmin çështje para se ta vënë thelbin. Maqedonia e ka vënë veten në një qoshe prej nga nuk di si të dalë. Nëse Maqedonia nuk do të varej pas çështjes së emrit, sot do të ishte anëtare e NATO-s dhe këtë e dimë të gjithë nga periudha e takimit të NATO-s në Bukuresht disa vjet me parë”, ka theksuar ambasadori Dell.

Sipas tij, ky është mësim që duhet të merret parasysh nga kritikët në Kosovë. Ambasadori amerikan ka shprehur kritika ndaj faktorëve politik të opozitës në Prishtinë, të cilët kanë ngritur zërin kundër marrëveshjes së pritshme për përfaqësimin rajonal të Kosovës në forumet rajonale, me anë të një fusnote e cila do të përfshinte Rezolutën 1244 dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që ishte në favor të Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›