Gjykata e Tiranës: “Arrest në burg” për Ilia Bashon

Gjykata e Tiranës ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest në burg” për Ilia Bashon, bashkëshortin e Eleni Bashos e cila u vra më datën 2 shkurt në Shkozë.
Vendimi është dhënë gjatë seancës së sotme, ku trupi gjykues, pasi ka shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë ka vendosur të lërë në burg 38-vjeçarin Basho.
Sipas kërkesës së drejtuar Gjykatës nga Prokuroria, për të pandehurin për vrasje është kërkuar caktimi i masës “arrest me burg”.
Pas arrestimit nga policia dy ditë më parë, Ilia Basho mohoi akuzën duke hedhur poshtë edhe aludimet e policisë për vrasjen e Eleni Bashos.
Nëna e dy fëmijëve u ekzekutua vetëm pak metra larg shtëpisë së tyre në Shkozë të Tiranës. Por bashkëshorti i saj, që dyshohej që në fillim si autor i ngjarjes, tha në polici se ndodhej shumë larg vendit të krimit në momentin kur është vrarë gruaja e tij.
Dyshohet se motivi i vrasjes të ketë ardhur për shkak të zënkave dhe konflikteve të forta në çift.