Dell: Nuk kam pasur asnjë rol në zgjedhjen e presidentit

Ambasadori amerikan, Christopher Dell, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë rol në zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
“Unë nuk kam pasur asnjë rol në zgjedhjen e presidentit të Kosovës”, ka thënë Dell në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.
Dell tregon po ashtu se kush është përgjegjës pse sot Behxhet Pacolli mban pozitën e presidentit.
“Po, nuk e di për çfarë mund të ketë qenë thirrja telefonike. Sa për tekstet e sms-ve, ato janë tekste midis dy individëve të tjerë, të cilët natyrisht janë të lirë të shkruajnë, komentojnë dhe të thonë ç`të duan, pavarësisht nëse ato e pasqyrojnë realitetin. Unë kam qenë dëshmitar i këtij procesi, kam ndenjur ulur në galerinë e Kuvendit nga ora 2:30 e pasdites derisa ka përfunduar e gjitha, në orën 8 të mbrëmjes, duke e lëshuar sallën gjatë kësaj kohe vetëm një herë, thënë të vërtetën, për të shfrytëzuar tualetin", ka shtuar Dell.
Po sipas tij "Për çështjet e tjera, këto janë procese që janë bërë nga politikanët, respektivisht liderët e këtij vendi, në pajtim me rregullat dhe Kushtetutën në Parlament. Jashtë kësaj, unë nuk kam pasur asnjë rol në zgjedhjen e presidentit. Mendoj se personi që mbase është më përgjegjësi pse Behxhet Pacolli është president sot, është duke ndenjur në qelinë e burgut në Hagë. Fakti që AAK-ja për arsye të veta zgjodhi të mos i bashkohet koalicionit qeverisës, e bëri pothuajse të pashmangshme që president u bë Behxhet Pacolli” ka thene me tej ai.