E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dell: Serbët të mos dëgjojnë Beogradin

Dell theksoi se partitë politike do të jenë përgjegjëse që këtë të diele, çdo qytetarë të ndjehet i lirë të votojë. Ambasadori Dell takoi dje pasdite ekipin përgatitor të komunës së Graçanicës, me ç’rast i përgëzoi ata lidhur me përgatitjet për zgjedhjet e 15 nëntorit. Duke i ftuar serbët që të distancohen nga thirrjet e Beogradit për mospjesëmarrje në zgjedhje, Dell tha se kohët e fundit vërehet vullnet i mirë nga serbët që ata dëshirojnë të jetojnë në Kosovë, dhe, kjo më së miri do të dëshmohet me zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre ditën e zgjedhjeve.

“Fakti se ekstremistët tash po kërcënojnë mbi popullatën serbe do të thotë se ata thjesht janë duke e humbur kontrollin ndaj popullatës e cila është e lodhur nga premtimet boshe, dhe që është e lodhur duke sakrifikuar ardhmërinë e tyre për përfitime të Beogradit. Nuk mendoj se Dita e diel do të jetë fundi, do të jetë fillimi i një të ardhme për Kosovën. Do të ketë dalje të serbëve në zgjedhje dhe kjo do të sigurojë pjesëmarrjen e këtij komuniteti në institucione dhe një bashkëpunim ndërmjet qeverisë qendrore dhe asaj lokale të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, ka theksuar ambasadori Dell.

Gatishmëri për pjesëmarrje në zgjedhje tregoi edhe Nebojsha Azdejkoviç, anëtar i ekipit përgatitor për Komunën e Graçanicës.

“Duke e pasur parasysh se nëntë parti politike janë duke garuar në këto zgjedhje, tregon se është një proces që nuk mund të ndalet dhe mbas zgjedhjeve do të shihet se çfarë po ndodhë. Askush para tre muajve nuk ka menduar se 21 parti politike serbe do të garojnë në tërë Kosovën, por ky është realiteti, mbas nesër do të shohim se kush ka pasur të drejtë e kush jo”, ka thënë z. Azdejkoviq.

Dell theksoi se “Kosova duhet të krenohet sa i përket garës në fushatë parazgjedhore, duke i përjashtuar dy incidentet që ai i quajti të izoluara. Ai tha se partitë politike dhe liderët e tyre duhet të jenë përgjegjës për krijimin e një ambienti ku çdo qytetarë do të ndihet i lirë që të votojë.

Në Graçanicë ambasadori Dell vizitoi edhe tre projekte të kësaj komune të financuara nga USAID dhe AED për nismën e ndryshimeve pozitive. (rtk/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›