E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, 27-vjeçari vetëvaret në mjediset e komisariatit

Klodian Bushi, 27 vjeç, lindur dhe banues në lagjen 2 të qytetit ishte thirrur në komisariat mbrëmjen e kaluar së bashku me bashkëshorten e tij, pasi në banesën e tyre ishin gjetur disa bizhuteri të florinjta dhe një telefon celular tip Nokia, të cilat rezultonin të vjedhura në banesën e një shtetaseje me iniciale L. K.

Sipas burimeve, ndërsa merrej në pyetje bashkëshortja e tij në një nga mjediset e shoqërimit, punonjësi i shërbimit të policisë e ka gjetur 27 vjeçarin Bushi, të vetëvarur në zgarën prej hekuri të derës duke përdorur një nga rrobat e tij. 27-vjeçari është përcjellë menjëherë në spitalin rajonal të qytetit, por nuk ka mundur të mbijetojë megjithë ndërhyrjen e shpejtë të mjekëve.

Burimet nga policia bënë të ditur se Bushi ishte dënuar pesë herë të tjera për veprën penale të vjedhjes. Grupi hetimor ka kryer të gjitha veprimet e para hetimore dhe tashmë organet e prokurorisë po hetojnë më tej për ngjarjen e rëndë. Pritet që në mëngjesin e sotëm në ambientet e komisiariatit të policisë Durrës të mbahet një konference shtypi në lidhje me këtë ngjarje.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›