E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Sevdah’ mbërrin në Teatër

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, të shtunën, u mbajt koncerti i mjeshtrit të ‘Sevdah-ut’, njërit prej muzikantëve të rinj më të njohur në Bosnjë dhe Hercegovinë, Damir Imamovic. Nga Albana S. Muja më 21 shkurt 2011 në ora 12:31

Pas një sërë turnesh nëpër botë, muzika unike e mjeshtrit të ‘sevdah-ut’ Damir Imamovic u përjetua edhe në Prishtinë.

Një organizim i Teatrit Kombëtar të Kosovës me Fondin Hartefakt, sollën Imamovic në TKK, i cili performoi për rreth 90 minuta, duke i lënë të pashlyeshme në kujtesën e artdashësve tingujt e veçantë të ‘sevdah-ut’.

Muzika të cilën e bën Imamovic, përveç traditë e vjetër e Bosnjës dhe Hercegovinës, është edhe traditë e familjes së tij. Gjyshi dhe i ati i tij kanë kënduar ‘sevdah-un’. Imamovic thotë së kjo muzikë e ka shoqëruar gjithë kohën. Ai është rritur me këtë muzikë dhe pa dyshim kjo i ka ndihmuar që të formojë emrin e tij.

Express sjell intervistën me Damir Imamovic, i cili flet më shumë për këtë lloj muzike të cilën e bën solo, por edhe në trio.

Express: Jeni nga një familje që e ka kultivuar muzikën që e bëni edhe ju. Sa ka ndikuar kjo që ta bëni emrin tuaj?
Imamovic: Ka ndikuar shumë ngaqë jam rritur me këtë lloj të muzikës, edhe pse nuk kam qenë i vetëdijshëm sa ka ndikuar kjo muzikë te unë. Në fillim jam marrë me shumë gjëra tjera, me botime dhe përkthime. Në një shtëpi botuese në Sarajevë e kam redaktuar një përmbledhje të këngëve të vjetra, të cilat i ka bërë gjyshi im. Gjatë punës në këtë botim e kam parë se sa është e rëndësishme kjo muzikë dhe sa dua të punoj në këtë lloj zhanri të muzikës në këtë sevda dhe në njëfarë mënyre këtu ku jam sot kam ardhur rreth e rrotull.

Express: Nga viti 2006, ju interpretoni në trio, së bashku me Edvin dhe Vanja. Na bëni një dallim të muzikës suaj në trio dhe solo?
Imamovic: Trio ka qenë një provë se sa mund ta zgjeroj muzikën që deri atëherë kam punuar solo. Aranzhmane më të forta dhe më fikse, thjeshtë një provë që ta pasuroj solon që e kam bërë me diçka tjetër. Me një repertor që ka qenë më i njohur se ky që bëj si solo.

Express: Që sa vite e krijoni këtë lloj muzike dhe pse pikërisht sevdah-un?
Imamovic: Këtë muzikë e bëj nga viti 2005. Kam filluar me koncerte solistike, mandej me trio kam provuar dhe prapë solo. E kam dhe një kuartet ndërkombëtar, bëj gjëra të ndryshme kohëve të fundit, kam punuar edhe në teatër, mirëpo çfarëdo që bëj, performimi solo është burimi i të gjithave. Burimi i solos vjen si vazhdim i muzikës tradicionale me përdorimin e instrumenteve me tela. Shumë kohë kaloj me këngëtarë të vjetër dhe me njerëz që i bien instrumenteve me tela (Sazit). Në njëfarë mënyre gjithë kohën jam duke mësuar gjëra të reja, mësoj nga mjeshtrit e vjetër por edhe prej atyre modern evropianë.

Express: Pas një turneu në rajon, sonte jeni në Prishtinë. Çka pritni sonte?
Imamovic: Besoj që sonte ka me qenë një koncert i bukur. Pash që janë shitur shumë bileta. Ka qenë pak vështirë sepse kam qenë i sëmurë ndërkohë, mirëpo tani jam mirë, më vjen mirë që jam në Prishtinë, sepse isha edhe në Prizren në shtatorin e kaluar. Më vjen mirë që jam në një qytet që njëjtë e ka një traditë të këngëve të vjetra dhe që interpretohet në mënyra të ndryshme. Shokët në Sarajevë më kanë folur për këtë vend dhe kulturën e këtij vendi dhe shpresoj që do të takoj njerëz të mirë dhe para së gjithash shpresoj që të jetë koncerti i mirë.

Express: Ky lloj i veçantë i muzikës si pritet nëpër vendet e ndryshme në Evropë?
Imamovic: Sevdahi është i veçantë, por fatkeqësisht për shkak të mënyrave nacionaliste ndonjëherë është pranuar ndryshe, por unë mendoj që një formë muzikore siç është sevdah-u nuk mundet me qenë vetëm e një komuniteti të posaçëm.
Unë i këndoj këngët të cilat i përfshijnë të gjitha grupet etnike ose religjioze në Bosnje dhe Hercegovinë.

Express: Në njëfarë mënyre muzika e jep një mesazh. Sipas jush, çka absorbon publiku pasi dëgjon një sevdah?
Imamovic: Mendoj që sevdah-u është një lloj i muzikës që faktikisht është melankolike, mirëpo, sado që është melankolike ajo të bën të largosh të keqen nga vetja. Kjo është një ndjenjë bazike e sevdah-ut, mirëpo, sevdah-u përfshinë të gjitha llojet e emocioneve.

Express: Sa arrihet të kuptohet ky lloj mesazhi në vendet tjera ashtu siç mund të supozojmë që arrihet në Bosnje dhe Hercegovinë?
Imamovic: Pa dyshim që është njëfarë dallimi, sidomos audienca jashtë nuk e kuptojnë gjuhen, kështu që nuk e kuptojnë atë se çka bëhet fjalë, mirëpo ata e dëgjojnë këtë muzikë si ne që e dëgjojmë muzikën afrikane, kubane dhe të Indisë. Por mendoj që prapë kjo muzikë të bën të mendosh dhe të jep njëfarë porosie.

Express: Pas Prishtinës a do të performoni diku tjetër?
Imamovic: Po, shpresoj që disa javë do të jem i lirë. Në prill fillon turneu tjetër. Do të shkoj në Amerikën Jugore në Brazil. Ndërsa para se të jem në Prishtinë kam qenë nëpër rajon, kam plane të ndryshme por tani për tani prillin e kam të rëndësishëm.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›