E Diel, 1 Nëntor 2026

Demaçi:Shqipëri-Kosovë, nëse Beogradi nuk ndryshon kurs

Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën bëhet i pashmangshëm, nëse Beogradi zyrtar nuk do të ndryshojë kurs. Kështu paralajmëron Adem Demaçi, një ndër emrat kryesorë të lëvizjeve për të drejtat e njeriut në Kosovë, raporton e përditshmja greke “Kathimerini”.
 

Gazeta citon Demaçin se nese Serbia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj përballë Kosovës duke mos e pranuar atë si shtet më vete, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të mund të bëhet realitet shumë më lehtë.
 

“Në këtë situatë që Serbia nuk e pranon Kosovën si shtet, shqiptarët e Kosovës mund të bashkohen lehtësisht me Shqipërinë. Ne nuk mund ta përjashtojmë këtë mundësi, nëse Serbia do të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim të njohur ndaj Prishtinës zyrtare”, ka deklaruar Adem Demaçi.
 

Duke i bërë jehonë të gjerë deklaratave të Demaçit, bërë në Shkup në një manifestim të organizuar me rastin e 30 vjetorit të protestave studentore në Prishtinë, “Kathimerini” thekson më tej se dialogu mes Kosovës e Serbisë, nuk ishte një dëshirë e shqiptarëve por një imponim nga Bashkimi Evropian.
 

“Ne nuk kemi asnjë dëshirë dhe asnjë përfitim nga këto bisedime, sepse ato janë imponuar dhe menaxhuar nga BE dhe OKB. Europianët, i bëjnë lëshime Serbisë sepse janë të interesuar ta tërheqin në BE, pasi Serbia është një faktor më i rëndësishëm se Kosova”, ka thënë më tej Adem Demaçi.
 

Ndërsa duke u ndalur në tensionet ndëretnike në Maqedoni, Demaçi tha se ato nxiten nga struktura serbe të instaluara në institucionet e Shkupit, të interesuara të ruajnë armiqësinë me shqiptarët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›