E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demagogjia e masave kundër kriminalitetit

Erald Shushari/Jurist

-Kohët e fundit kemi vënë re një rrije të kriminaliteti, por më i trishtueshëm është fakti që krimi po bëhet më i ashpër, më gjakatar. Mjafton të përmendesh vrasjen e tre drejtueseve të lartë të policisë që ndodhën në një kohë të shkurtër. Në një situatë të tillë çdo qeveri normale do të kishte marrë dy masa: E para, do mblidhte specialistët kriminalistë më të mirë dhe do të studionte shkaqet e këtij kriminaliteti. Që lufta ndaj kriminalitetit të jetë efektive duhet në radhë të parë të dish pse është rritur ai. Nuk duhet të jesh kriminalist për të ditur këtë. Qeveria nuk po e realizon aspak këtë gjë, nuk ka asnjë studim serioz për shkaqet e kriminalitetit nga Ministria e Brendshme. Pa një studim të mirëfilltë të shkaqeve të kriminalitetit, çdo masë kundër tij është e pamenduar, e nxituar dhe me shumë gjasë jo efektive. Prandaj është domosdoshmëri të realizohet një studim i tillë, sepse kriminaliteti është fenomen kompleks dhe faktorët që ndikojnë në rritjen e tij janë të shumtë. E dyta: pasi të ishin identifikuar shkaqet e kriminalitetit, Qeveria duhet të debatonte me ekspertët e fushës për masat më efektive që mund të ndërmerreshin. A po e realizon qeveria këtë? Deri tani nuk as nuk kemi dëgjuar dhe as kemi ndonjë informacion që konsultime të tilla po realizohen. Kemi vetëm disa deklarata të Ministrit të Drejtësisë, që do realizohen disa ndryshime në Kodin Penal duke rritur dënimet për disa vepra penale. A mund të ulë kjo masë kriminalitetin? Ministria e Drejtësisë duket se ka zgjedhur mënyrën më të thjeshtë, duke ndërmarrë vetëm disa ndryshime juridike-formale në Kodin Penal, por kam frikë se kjo masë nuk do të japë ndonjë efekt në uljen e kriminalitetit. Edhe studentët e vitit të parë të Fakultetit të Drejtësisë e dinë që vetëm elementi “frikë” nga ligji penal nuk mund të çojë kurrsesi në uljen e kriminalitetit. Efektiviteti i dënimeve lidhet edhe me profesionalizmin e organeve të rendit, me ligjin dhe forcën e tij, me sistemin e Drejtësisë, shkallën e ndërgjegjësimit qytetar, me aspekte social-ekonomike, etj. Vetëm frika nga ndëshkimi nuk mundet të jetë kurrë zgjidhje për situatën që ndodhemi. Po të shtojmë edhe këtu faktin që sistemi gjyqësor është thellësisht i korruptuar, rritja e dënimeve me shumë gjasë vetëm sa do të rrisë ryshfetet që marrin gjyqtarët sot. Si përfundim, do të thosha që Qeveria nuk po e trajton aspak në mënyrën e duhur këtë problem. Ajo duhet ta mendojë shumë herë më mirë këtë punë, të konsultohet me ekspertë të fushës që nuk nga mungojnë për fat të mirë dhe me pas të veprojë me masat e duhura institucionale për uljen e kriminalitetit.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›