E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demagogjia politike me terma politike

Për të gjithë është e qartë se sintagma terminologjike “bisedime teknike”, është një eufemizëm për bisedimet që janë zhvilluar dhe që do të zhvillohen për veriun e Kosovës dhe në përgjithësi për pozitën e serbëve në Kosovë. Kjo sintagmë terminologjike, që në fjalorin politik për dhe rreth Kosovës u fut gjatë negociatave me presidentin Ahtisari dhe ekipin e tij, bashkë me termin tjetër “decentralizim”, i marrë nga Karta për Autonomi Lokale e Këshillit të Evropës nga ish-kryeministri serb, Zoran Xhinxhiq, por i rikuptimësuar sipas interesave serbe, janë dy terma eufemikë që janë përdorur dhe po përdoren si shenjues të një procesi politik dhe të një qëllimi politik. Decentralizimi i Kosovës, që në thelb është ndarje e saj në baza etnike, është një qëllim që është kryer qysh gjatë luftës në Kosovë. Përpara se të futej termi “decentralizim”, janë përdorur termat “ndarje e Kosovës”, “kantonizim”, “ndarje e Kosovës në dy entitete” etj. Të gjitha këto janë përdorur me kuptimin e bosnizimit të Kosovës, bile edhe më keq se kaq. Ndarja etnike e Kosovës që është kryer gjatë luftës në Kosovë, tashmë mund të thuhet se ka qenë edhe qëllimi themelor i saj, pasi që të ashtuquajturat “zona të lira” të kohës së luftës nuk ishin asgjë tjetër përveçse rikonfigurim i relievit etnik të Kosovës.
E enklavizuar gjatë luftës, e vrarë, e përgjakur dhe e sakatosur po gjatë luftës, Kosova e pasluftës sfidën më të madhe e pat pikërisht me rikthimin e homogjenitetit të saj territorial dhe funksionimin e saj si një tërësi unike. Por sfida për ta ruajtur homogjenitetin e Kosovës dhe funksionimin e saj si një tërësi unike, në të vërtetë ishte sifidë Sizifi, pasi që çdo përpjekje shkonte kot, sepse tashmë piketat ishin vënë, kurse linja institucionaliste e drejtuar nga presidenti Rugova që ishte kundër enklavizimit dhe ndarjes së Kosovës, ballafaqohej me vështirësi ekzistenciale. Siç dihet gjatë dhe pas luftës në Kosovë, shumë veprimtarë të saj u vranë, u sulmuan, u kërcënuan dhe u penguan në punën e tyre. Gjithë kjo bëhej në një sfond akuzash dhe fyerjesh me bazë kombëtare. Ata që kishin përgjegjësi për enklavizimin dhe ndarjen etnike të Kosovës, ata që me vite, për të mos thënë me dekada kishin qenë dhe vazhdonin të ishin argatë të Beogradit, e akuzonin presidentin Rugova dhe linjën institucionaliste si argate të Beogradit. Mjafton t’u hidhet një sy mediave të kontrolluara nga linja e Tiranës/Kretës dhe nga ajo udbasho-jugosllavokomuniste për të rikujtuar atë mori akuzash që bëhej ndaj presidentit Rugova dhe linjës së tij politike. Dhe këto akuza fillonin me paraqitjen e presidentit Rugova dhe linjës së tij politike si argatë të Beogradit e përfundonin me akuzën për krijimin e dosjeve për pjesëtarë të UÇK-së për llogari të Trbunalit të Hagës. Tashmë është e tepërt të thuhet se të gjitha këto ishin shpifje, trillime dhe pjesë të propagandës së dalë nga kuzhina për prodhimin e akuzave kundërthënëse, e që kishte për qëllim rrënimin politik të presidentit Rugova dhe të linjës së tij politike, si rruga e vetme dhe më efektivja për ta çuar deri në fund procesin politik të zyrtarizimit përfundimtar të enklavave, e këtë si fazë kalimtare kah kantonizimi, apo edhe ndarja e Kosovës.
I thashë të gjitha këto, për të rikujtuar edhe një herë se një proces ta quajmë politiko-ushtarak që kishte filluar si enklavizim i Kosovës, e që kishte vazhduar si një betejë për zhbërjen e tyre, që ishte angazhim i presidentit Rugova, dhe zyrtarizim përfundimtar i ndarjes etnike të Kosovës, nuk është një proces që po i ndodh aksidentalisht Kosovës në vitet 2007-2009, por është një proces i vazhdueshëm, kurse faza aktuale, është faza përmbyllëse e tij. Dhe ky qëllim politik, që kishte filluar gjatë luftës në Kosovë, e që kishte vazhduar pas luftës, nëpërmjet një lufte diplomatike, kishte zënë vend edhe në dokumentin e hartuar nga kryeadministartori i atëhershëm i Kosovës, Shtajner, të quajtur 10 standardet që duheshin plotësuar për të filluar bisedimet për statusin e Kosovës, dhe ishte quajtur decentralizim i Kosovës. Dhe ky qëllim kishte qenë kryesori gjatë bisedave nën udhëheqjen e presidentit Ahtisari, bisedime që ishin emërtuar si bisedime për çështje teknike. Dhe nën këtë emërtim, këto biseda kishin si rezultat legalizimin e gjendjes faktike në terren: zyrtarizimin e ndajres së Mitrovicës dhe të veriut të Kosovës në përgjithësi, si dhe shndërrimin e enklavave serbe në komuna. Më tepër se kaq, kishim edhe procesin e shkëputjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore shqiptare dhe dhënien e saj serbëve të Kosovës, ani që disa prej atyre objekteve datojnë shumë shekuj para ardhjes së serbëve në Ballkan. Dhe ky proces ishte kryer me autorësinë e Bajram Rexhepit nga linja e Tiranës/Kretës dhe të Veton Surroit, përkatësisht Ylber Hysajt, nga linja udbasho-jugosllavokomuniste. Thelbi i Pakos Ahtisari është pikërisht ky. Dhe të gjithë ata që marrin vesh nga politika, e kanë të qartë se bisedimet e ashtuquajtura teknike nën udhëheqjen e presidentit Ahtisari, paraqisnin një fazë të procesit politiko-diplomatik që kishte për qëllim të përcaktonte natyrën e decentrealizimit, kurse vetë decentralizimi ishte emër tjetër për zyrtarizimin e enklavave serbe në Kosovë. Plani për Mitrovicën si dy komuna me autor Bajram Rexhepin, plani i decentralizimit të Kosovës me autor Veton Surroin, i hartuar pas bisedave bile edhe jashtë Kosovës, siç ishte rasti i bisedave në Durrës, si dhe plani për trashëgiminë fetare në Kosovë, me autor Ylber Hysajn, përcaktuan modelin e shtetit të Kosovës, i rishpallur mbi rrënojat e shtetit të Kosovës të shpallur më 1991 pas një referendumi popullor. Bisedimet e ashtuquajtura teknike, e kishin përcaktuar edhe vazhdimësinë e procesit politik, që do të vazhdonte pas atij show politik të 17 shkurtit të vitit të kaluar, e që janë bisedime të ashtuquajtura teknike për çështje të ashtuquajtura teknike ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Dhe demagogjia politike e politikës shqiptare në Kosovë si e asaj që është në pushtet, si e asaj që është në opozitë, është se po synohet mashtrimi optik, që i gjithë procesi politik ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të paraqitet si një proces teknik për të ashtuquajutrat çështje teknike, ani që këto biseda bëhen për polici të veçantë serbe në enklava, ani që në ato bisedime do të bëhet fjalë për forcim kompetencash të serbëve në enklava në lëmin e pushtetit politik, të pushtetit administrativ, të pushtetit gjyqësor, të pushtetit shëndetësor, të pushtetit arsimor, të pushtetit doganor etj. Dhe janë të gjitha këto çështje aspak teknike, dhe janë çështje të brendshme të Kosovës, ose po të funksiononte vërtet Kosova si shtet i pavarur, e për më tepër sikur politika shqiptare të vepronte si politikë e një shteti të pavarur, do të duhej t’i trajtonte si çështje të brendshme të sajën, pa pasur nevojë të bisedojë me Beogradin. Por vetë fakti se Prishtina pranon të bisedojë me një shtet tjetër për këto çështje, tregon se në Kosovë ende është duke dominuar mendësia e një vendi që vazhdon të kërkojë zgjidhje për statusin e saj. Dhe të bisedosh për stausin e Kosovës, nuk do të thotë të bisedosh vetëm se a do të jetë shtet apo nuk do të jetë shtet, por të bisedosh edhe për rregullimin e brendshëm të saj. Statusi politik i shtetit, nuk do të thotë vetëm ta quajsh veten shtet, por edhe të funksionosh si i tillë dhe të kesh kompetencë për t’i rregulluar vet çështjet e tua të brendshme, e rrjedhimisht edhe marrëdhëniet juridike me qytetarët e tu, nëse vërtet i konsideron si shtetas të shtetit të tënd, e jo shtetas të një shteti tjetër, ashtu siç bëri Hashim Thaçi disa ditë më parë. Por e vërteta është se show televiziv i 17 shkurtit të vitit të kaluar, ka pasur për qëllim përcaktimin e pozicionit poitiko-juridik të Prishtinës në raport me fazat aktuale të bisedimeve për statusin e Kosovës. Për të qenë më i qartë: nga 17 shkurti i vitit të kaluar, Prishtina jurdikisht bisedon me Beogradin, sikurse Bosnja e Hercegovina në Dejton, për të mos thënë edhe më keq.. Edhe pse pavarësia e Bosnjës ishte pranuar nga të gjithë, bile ajo ishte pranuar anëtare e OKB-së, Alija IzetBeogoviqi në Dejton kishte shkuar për të fituar nja 33% të territorit të Bosnjës. Por ai nuk ishte fshehur prapa termave eufemikë sikurse po fshihen këta të tanët. Bisedimet e ashtuquajtura teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë në atë fazë që kanë qenë bisedimet ndërmjet Sarajevës, Beogradit e Zagrebit për përcaktimin e statusit real të Bosnjës, pra të statusit faktik të saj që ishte krejt i ndryshëm nga ai që përcaktonte kushtetuta boshnjake. Po të përdorej fjalori politiko-diplomatik që përdoret nga diplomatë dhe poltikanë vendas në Kosovë për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, edhe për bisedimet për Bosnjën, atëherë edhe ato do të mund të quheshin bisedime teknike, kurse njohja e Republika Sërbskës nga ana e boshnjakëve, do të quhej çështje teknike. Përveç ngjashmërisë me Bosnjën, janë shumë domethënse edhe dallimet që kanë të bëjnë me pozitën jurdike ndërkombëtare të njërës apo të tjetrës: Bosnja ishte anëtare e OKB-së kurse Kosova jo, Bosnja kishte njohje të shumta ndërkomnbëtare, kurse Kosova i ka të shumtë kundërshtarët e njohjes së pavarësisë së saj, të cilët janë edhe shumë të vendosur, derisa palës boshnjake i ishte imponuar një marrëveshje me mundësi të pakta ndryshimi, në Kosovë ishin vetë shqiptarët ata që oifruan modelin e ndarjes së Mitrovicës, të decentralizimit dhe të pasurisë kulturore në Kosovë. Ndërhyrjet që mund t’i kenë bërë bashkëpunëtorët e presidentit Ahtisari mund të konsderohen vetëm ndërhyrje kozmetike që nuk preknin thelbin e asaj që ishte paraqitur nga vetë shqiptarët. Ky është konteksti në të cilin frymon Kosova, dhe ky është konteksti në të cilin janë zhvilluar bisedat e fshehta të ashtuquajtura teknike që përfunduan me 6 pikat e Ban Ki Munit, si dhe konteksti në të cilin pritet të zhvillohet edhe faza aktuale e bisedimeve të ashtuquajtura teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Faza aktuale e këtyre bisedimeve, ndërkaq, është shumë pafavorshme për shqiptarët, ashtu siç kanë qenë edhe fazat pararendëse, sepse gjithë historia e luftës dhe e pasluftës në Kosovë, është histori i ndarjes etnike të Kosovës, e thellimit të kësaj ndarjeje, si dhe e legalizimit të saj. Gjendja e krijuar që gjatë luftës në Kosovë, e që më 17 shkurt e përmbylli procesin e legalizimit të asaj gjendjeje, tashmë është bazë për avancimin e pretendimeve serbe në Kosovë, pretendime që shkojnë nga ndarja e Kosovës në dy apo më shumë entitete, e deri te ndarja përfundimtare e saj. Dhe në këtë rrugëtim të pretendimeve të tyre serbët i kanë në krah si 6 pikat e OKB-së, ashtu edhe disponimin e shumë faktorëve ndërkombëtarë që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kurse njerëzit e tanë vazhdojnë demagogjinë politike me terma politikë, sikur asgjë e keqe të mos ketë ndodhur, dhe sikur asgjë e keqe të mos i kanoset Kosovës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›