Letërnjoftimet dhe pasaportat, sa po i paguajnë shqiptarët
Në fillim të javës kryeministri Berisha i tregoi publikut kartën e parë të identitetit, letërnjoftimin e ri elektronik të shtetasve shqiptarë. Shpejt, me siguri do të tregojë sërish përpara kamerave edhe pasaportën e re ndërkombëtare, biometrike. E para kushton 1.200 lekë. E dyta, 5 mijë lekë. Për një porosi që shkon deri në katër milion copë për secilën prej tyre, një porosi që do të realizohet me anë të kompanisë franceze “Sagem”, e cila u shpall fituese e koncesionit të dhënë për këtë qëllim. Por ende, procesi i trumbetuar si transparent, nuk ka mundur të ofrojë një shpjegim të thjeshtë: Sa është realisht kostoja e prodhimit të një letërnjoftimi? Sa është kostoja e prodhimit të një pasaporte për të zbuluar se cila është diferenca, me të cilën ajo shkon në duart e qytetarit shqiptar?
Revista “MAPO” po tenton kësaj radhe të bëjë një “studim” të pjesshëm për një gjë të tillë. Natyrisht, pa mjetet normale që një qeveri ka në dispozicion, por dhe pa detyrimin ligjor që ka po qeveria shqiptare për ta bërë një gjë të tillë. “Studimi” ynë është realizuar vetëm duke telefonuar, duke u konsultuar me specialistë dhe duke konsultuar faqet e pafundme të internetit që shpjegojnë procedura të ngjashme. Në numrin e saj të 117, të datës 24 janar, “MAPO” hodhi dyshime serioze për arsyen se pse qeveria shqiptare zgjodhi dhënien në koncesion të një procesi, i cili deri më tani, në dy raste të ngjashme është realizuar me tender të hapur ndërkombëtar për prodhimin e tyre, ndërsa gjithë procedurën tjetër, më kryesorja e të cilave, tregtimin, e bënte vetë në mënyrë shtetërore, duke realizuar në favor të buxhetit të ardhura që shkonin deri në 200 milionë dollarë, të cilat kësaj radhe do t´i mungojnë buxhetit, pikërisht falë zgjedhjes së çuditshme të qeverisë shqiptare.
“Ne, ata”
“Ne e realizuam projektin e pasaportave të reja dhe të letërnjoftimeve, ju në tetë vjet nuk e bëtë”. Ky është shpjegimi i rëndomtë që përfaqësues të mazhorancës bëjnë zakonisht kritikëve të projektit. “Keni tejkaluar afatet dhe nuk arrini të realizoni projektin e pajisjes së popullsisë me letërnjoftime deri përpara zgjedhjeve”. Ky është sulmi që bën opozita ndaj autorëve të projektit. Por deri më tani, pothuaj në asnjë rast nuk është folur politikisht për koston financiare të tij dhe mënyrën se si ai është realizuar. Dhe kjo e ka një arsye, mazhoranca kërkon të insistojë në suksesin e saj historik, kurse opozita e fokusuar në zgjedhjet e afërta, është më e interesuar për shmangien e certifikatave nga qarkullimi dhe për mospërdorimin e tyre në votimin e pritshëm të qershorit. Ndaj, anët e errëta të procesit kanë mbetur ende në errësirë.
Ky qerthull deklaratash dhe kundërdeklaratash, megjithatë, ka shmangur përgjigjen për disa pyetje që janë thelbësore. Ato nisin me koston reale të prodhimit të tyre dhe përfundojnë me caktimin - arbitrar është fjala më e përshtatshme për t´u përdorur - të çmimit me të cilin i jepen popullatës. Në mes të këtyre dy shifrave qëndron dhe një e tretë, norma e fitimit të kompanisë së huaj.
Kostoja e prodhimit
Nga një kërkim i shpejtë në internet për kompanitë që prodhojnë dokumente të tilla, kemi mundur të sigurojmë këto shifra. Për pjesën e tregtimit të tyre - atë që shteti e ofron si shërbim për popullatën. Pra, sa kushton një pasaportë për një qytetar në Evropë.
Kështu,
Austria, nga qershori 2006, për të rriturit e tregton pasaportën me 69 euro, kurse për ata nën 16 vjeç, vetëm 26 euro.
Belgjika, nga tetori 2004, 71 euro për të rritur, 41 për fëmijët, plus taksat lokale.
Finlanda, nga 21 gushti 2006, 46 euro
Franca, 60 euro
Gjermania, 37.50 euro
Greqia, 76.40 euro
Irlanda, 75 euro
Italia, 44.66 euro
Letonia, 21.42 euro
Holanda, 49.33 euro
Republika e Kosovës, 30 euro
Portugalia, 60 euro dhe 50 euro për pensionistët
Shqipëria, 40 euro
Bie në sy një detaj, çmimi i tregtimit të pasaportës është pothuaj në të njëjtat nivele me çmimin në Evropë, në ndryshim nga praktika e disa vende të tilla, në Shqipëri nuk ka diferencë çmimi për tregtimin e tyre për fëmijët. Çmimet lëvizin në vende të ndryshme edhe në varësi të kohëzgjatjes së tyre, por dhe të sasisë së faqeve. Në rastin shqiptar, çmimi i zgjedhur është në shkallët e fundit në krahasim me vendet e tjera evropiane, por me një diferencë, ne nuk jemi ende fatkeqësisht një vend evropian dhe kemi diferenca të jashtëzakonshme në nivelin e jetesës në krahasim me ta.
Letërnjoftimi
Kurse letërnjoftimi ka dhe një problem tjetër. Të paktën paraprakisht do të tregtohet me 1.200 lekë ose afërsisht 10 euro. Thuhet paraprakisht, sepse edhe për të ka pasur një rritje të kostos së tregtimit praktikisht. Kjo sepse vendimi i qeverisë shqiptare për të ulur këtë çmim për kategori të caktuara të shoqërisë, pensionistë, studentë dhe familje që jetojnë me asistencë, në fakt e faturon diferencën që ato nuk e paguajnë te gjithë të tjerët. Të cilët, teorikisht, nuk do të paguajnë vetëm 1.200 lekët që dorëzojnë në sportelet e postës shqiptare, por do të paguajnë dhe për tri kategoritë e lartpërmendura në një mënyrë tjetër indirekte. Meqenëse këto pará që shteti ka premtuar t´i rimbursojë duke nxjerrë nga xhepi publik pará, të cilat mund të ishin parashikuar dhe duhej të përdoreshin në të mirën publike në drejtime të tjera.
Diferenca
Megjithatë, nuk mbaron këtu. Shifrat e konsultuara nga “MAPO”, me ekspertë të huaj, por dhe vendas japin një tablo të përafërt të asaj çka po ndodh nga pikëpamja financiare e procesit. Kështu, pasaporta ekzistuese që është ende në qarkullim, e tenderuar me firmën gjermane “Bundesdruckerei”, ka vetëm 420 lekë kosto prodhimi. Një kosto që përfshin blerjen e saj, plus koston e pajisjeve dhe materialeve të konsumit. Ajo pasaportë u tregtua me 5 mijë lekë, pra, me një diferencë që shkonte për llogari të shtetit deri në 4580 lekë dhe në një total për 3.5 milionë pasaporta deri në afërsisht 209 milionë dollarë. Kurse në rastin e pasaportës së re, e njëjta kosto llogaritet të shkojë deri në 1100 lekë për pasaportë, me një diferencë kostoje prodhimi e tregtimi që shkon deri në 178 milionë dollarë. Dhe me një diferencë tjetër që kjo shumë nuk shkon më për llogari të shtetit. Nga ana tjetër, kostoja e letërnjoftimit, nuk shkon më shumë se tre euro për njësi, por tregtohet me 10 të tilla.
Transparenca
Është konsideruar si procesi më transparent i një pune publike të dhënë për t´u kryer nga privati. Deri më tani, shteti më së paku ka heshtur pikërisht në këtë pikë, të cilën e ka lënë në errësirë. Dhe punët e liga, zakonisht bëhen po në errësirë. Deri në momentin që “dikush” të dalë të shpjegojë të kundërtën. Pra, diferencën e kostos së prodhimit me atë që shqiptarët detyrohet të paguajnë. Ky është detyrimi i qeverisë. E cila nuk mund të fshihet më pas heshtjes.