Shkëlqimi i marrëdhënieve Shqipëri-SHBA
Kryeministri Sali Berisha mbajti dje takimin e parë me Sekretaren e re amerikane të Departamentit të Shtetit, duke konfirmuar nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve. Sekretarja Hillari Klinton shprehet e impresionuar nga rezultatet e reformave në Shqipëri, ndërkohë që kryeministri Sali Berisha garanton një angazhim edhe më të fortë ushtarak për stabilizimin e Afganistanit.
TIRANE - Kryeministri i vendit Sali Berisha ka garantuar SHBA-të për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Gjatë një takimi të zhvilluar dje në Washington me Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton, Berisha vuri në dukje se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë demokratike. Kryeministri Berisha dhe sekretarja Clinton, në qendër të diskutimeve të tyre, patën zgjedhjet në vend si dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha u shpreh në përgjigje të interesimit të medieve se Sekretarja e shtetit Clinton, ishte e impresionuar nga progresi i Shqipërisë në realizimin e reformave dhe ecurinë tejet pozitive në kuadër të integrimit në strukturat euro-atlantike dhe njëherazi ka vlerësuar pranimin e Shqipërisë në NATO. “Unë rastisa të isha kryeministri i parë që takohej me zonjën Hillary Clinton dhe ndjehem i lumtur për këtë. Unë shpreha kënaqësinë për këtë moment, sikundër e sigurova Sekretaren se asnjë komb nuk e ka pritur më me kënaqësi emërimin e saj në këtë post, sesa shqiptarët. Ishte një rast për mua për t’i shprehur mirënjohjen më të thellë Sekretares Clinton dhe qeverisë së SHBA-ve për mbështetjen e jashtëzakonshme që na dhanë në përpjekjet tona për integrimin në NATO. Sikundër Sekretarja shprehu një vlerësim të rëndësishëm, duke u shprehur se është e impresionuar nga rezultatet e reformave në Shqipëri. Në takimin me Sekretaren Clinton diskutuam dhe konstatuam se marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të shkëlqyera”, tha kreu i qeverisë.
Kreu i ekzekutivit theksoi se në takim është diskutuar gjatë edhe çështja e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, për të cilat kryeministri tha se, ka dhënë garanci të plotë për zhvillimin e tyre në përputhje të plotë me normat dhe rregullat ligjore të një shteti demokratik dhe aspirant për t’u integruar. “Sigurova Sekretaren Clinton se zgjedhjet e qershorit në Shqipëri do të jenë të lira dhe të ndershme. Unë garantova se do të zhvillohen në përputhje të plotë me rregullat ligjore. Gjithashtu kërkova vëzhgues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të tjera, për monitorimin e procesit zgjedhor në Shqipëri, së pari, qeveria është e angazhuar të nderojë standardet, por të nderojë dhe miqtë kudo në botë”, u shpreh kryeministri.
Më tej, kryeministri Berisha u shpreh për shtimin e trupave ushtarake shqiptare në Afganistan.
Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nuk ka mbetur pa u diskutuar, gjatë këtij takimi. “Një temë shumë e rëndësishme që diskutova me Sekretaren ishte Afganistani. I shpreha gatishmërinë që Shqipëria të çojë edhe një kompani shtesë. Presidenti Obama dhe administrata e tij janë të përqendruar në Afganistan. Shqipëria ka atje 225 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë dhe është e gatshme të shkojë në 350”, theksoi Berisha.
Një tjetër pikë ishte edhe çështja e energjisë në rajon. “E njoha Sekretaren Clinton me situatën e energjisë dhe të gazsjellësve në rajon, domosdoshmërinë e diversifikimit të këtyre burimeve të furnizimit. Sekretarja tregoi një interes të veçantë për këtë çështje dhe e lamë që të ketë së shpejti takime të mëtejshme mbi të gjitha teknikalitetet e tyre”, informoi kryeministri.
Për sa i takon mbylljes së burgut të Guantanamos, kryeministri Berisha përshëndeti këtë iniciativë të Presidentit Obama. “Ne kemi qenë për mbylljen e atij burgu, i cili u shndërrua në një simbol të asaj që SHBA-të nuk janë. Kontributi që ne dhamë ishte modest, por jemi shumë të kënaqur që e dhamë dhe e përshëndesim vendimin e Presidentit Obama për mbylljen në afatin e duhur të këtij burgu. Absolutisht, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe mund të them se kjo mbyllje është një gjë shumë e mirë”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Sali Berisha.
Në vijim të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me senatorin John Isakson. Senatori Isakson shprehu mbështetjen e tij për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO në samitin e ardhshëm.
Gjithashtu kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim edhe me senatorin e njohur amerikan, Richard Lugar. Në takimin me Wesley Clark, ish-komandantin e trupave amerikanë në Kosovë, kryeministri Berisha vlerësoi lart figurën e gjeneralit Clark për ndihmën e madhe dhe rolin që ai ka luajtur për dhënien fund të barbarisë së regjimit të Millosheviçit kundër të drejtave të njeriut në Kosovë. Falë edhe kontributit të zotit Clark, u shpreh kryeministri Berisha, Kosova është sot një shtet i lirë dhe i pavarur. Nga ana e tij, gjenerali Wesley Clark vlerësoi reformat e qeverisë së kryesuar nga kryeministri Berisha dhe shprehu bindjen për rrugën e sigurt të Shqipërisë në NATO.
Kryeministri Sali Berisha u prit edhe në një takim në Shtëpinë e Bardhë nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Zëvendëspresidentit të SHBA-së, Antony Blinken.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Zëvendëspresidentit të SHBA-së, Antony Blinken, e siguroi kryeministrin Berisha se administrata e re e Presidentit Obama do të vazhdojë të njëjtën mbështetje dhe vëmendje ndaj vendit tonë dhe siguroi se qeveria shqiptare dhe Shqipëria do të gjejnë tek administrata e re amerikane miq të mirë dhe aleatë të fuqishëm, ndërsa theksoi se marrëdhëniet mes dy vendet do të njohin nivele akoma më të larta të bashkëpunimit dhe miqësisë.
Konfirmon Zëvendësndihmësi i Sekretares së Shtetit Stuart Jones
Ligji i Dosjeve nuk përbën shqetësim për administratën amerikane
TIRANE - Zëvendësndihmësi i Sekretares së Shtetit Stuart Jones u shpreh dje pas takimit që kryeministri Berisha e Sekretarja Klinton zhvilluan në Washington, se takimi ishte i ngrohtë dhe mjaft miqësor. “Sekretarja Clinton dhe Kryeministri Berisha patën një takim të shkëlqyer dhe theksuan marrëdhëniet e ngrohta midis dy vendeve. Kryeministri e falënderoi Sekretaren Clinton për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë gjatë këtyre viteve. Ndërsa Sekretarja Clinton shprehu entuziazmin e saj për pranimin e Shqipërisë në NATO”, u shpreh Jones. Zëvendësndihmësi i Sekretares së Shtetit Stuart Jones deklaroi se gjatë takimit në fokus të bisedës ishte edhe ligji i lustracionit, të cilin parlamenti shqiptar e miratoi së fundmi dhe ka hyrë në fuqi zbatimi i tij. Sipas Jones, Sekretarja Clinton ka qenë e interesuar për ligjin e dosjeve dhe se Berisha e siguroi atë se nuk do të ketë një gjueti shtrigash, por do të ndiqen të gjitha proceset kushtetuese dhe qeveria nuk do të ndërhyjë në këtë proces. “Ne nuk i bëmë ndonjë sugjerim Kryeministrit lidhur me këtë ligj, por ai vetë na dha sigurimet, të cilat ne i mirëpresim”, tha Zëvendëndihmësi i Sekretares së Shtetit Stuart Jones.