A duhet të jetë Prokuroria një institucion në varësi të ekzekutivit?
Vetëm përpara pak ditëve vizitoi vendin tonë ish-ministri i drejtësisë së Bullgarisë, aktualisht drejtues i komisionit për çeshtjet europiane në Parlament, z. Mlladen Cervenjakov. Për arsye se edhe në disa shkrime të miat, kohë më pare, kam shprehur mendimin se organi i akuzës - në rastin specifik të Shqipërisë - duhet të jetë në varësi të ekzekutivit, mendoj se deklaratat e z.Cervenjakov duhet të merren seriozisht në konsideratë. Ai theksoi se “institucioni i prokurorisë duhet të jetë në varësi të ekzekutivit, të zhvillojë me efikasitet luftën ndaj fenomeneve të paligjshme si korrupsioni. Kjo është një praktikë e shumë vendeve të BE dhe jashtë këtij komuniteti, të cilën duhet ta aplikojë edhe Shqipëria, në emër të luftës ndaj fenomeneve ilegale”. Sipas tij, edhe Parlamenti duhet të shtojë monitorimin ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në tranzicionin e stërgjatur të Shqipërisë postkomuniste, organi më i përfolur dhe që nuk ka funksionuar, është prokuroria. Nuk është për t’u çuditur se ky organ mjaft i rëndësishëm për një shtet demokratik që aspiron për t’ju bashkuar familjes europiane si Shqipëria, është ndjerë më “rehat” dhe pa kritika gjatë qeverisjes së socalistëve nga mazhoranca e tyre ish-komuniste. Ndërkohë që është kontestuar dhe kritikuar vazhdimisht nga e djathta si në opozitë edhe në mazhorancë. Dhe kjo, për disa arsye. E para, ky organ menjëherë pas revolucionit bolshevik leninist të vitit 1997 që përmbysi me grykën e pushkës qeverinë demokratike, u tejmbush në të gjitha hallkat kryesore me ish-prokurorët, hetuesit dhe gjykatësit e regjimit komunist. Pa asnjë mëdyshje ishin njerëz me të kaluar thellësisht kriminale. Duke qenë punonjës të organeve të hetuesisë dhe prokurorisë organe këto që ishin direkt strukture përbërëse e ish-Sigurimit komunist ishin formacioni më i besueshëm kriminal i diktatorit për të shtypur dhe terrorizuar popullin. E dyta, këta njerëz kishin në qenien e tyre një urrejtje të tejskashme për demokracinë në përgjithësi dhe nuk kishin asnjë dëshirë dhe predispozicion që të punonin për shtetin ligjor. Nga ana tjetër në të majtën ish-komuniste ata kishin bashkëpunëtorët e tyre të vjetër në krime kundër popullit dhe bashkëjetonin në simbiozë me ish-kriminelët. E majta ish-komuniste nuk kishte vullnetin politik për vendosjen dhe konsolidimin e shtetit ligjor, duke luftuar korrupsionin e ngritur në sistem, prandaj një prokurori e tillë u konvergonte në hajdutërinë e pushtetarëve që kishte marrë përmasa të frikshme. Britmat histerike të së majtës ish-komuniste, në kundërshtimin e ligjit për hapjen e dosjeve, ka si qëllim kryesor për të mbrojtur ish-kriminelët e diktaturës komuniste që janë ulur këmbëkryq në organet e drejtësisë dhe kudo tjetër në institucione. Me anën e tyre ata sabotojnë sa të jetë e mundur premtimin kryesorë elektoral të PD për shpalljen e luftës dhe të tolerances zero kundër korrupsionit dhe të zbatimit të këtij premtimi në mandatin e saj qeverisës. Në këtë mënyrë në zgjedhjet e ardhshme të 28 Qeshorit, socialistët e dështuar në qeverisjen e tyre 8-vjeçare, tani të munden të kapen si i mbyturi në një rrënjë të kalbur. Nuk është rastësi që absolutisht të gjitha rastet e denoncimeve dhe të vendosjes përpara drejtësisë të njerëzve hajdutë dhe të korruptuar janë bërë nga takse-force pranë kryeministrisë dhe pothuajse në asnjë rast nga organi i prokurorisë. Fakti më pozitiv është ai se qeveria Berisha ka vendosur përpara drejtësisë njerëz me përgjegjësi të larta shtetërore dhe pa asnjë dallim partiak. Në këtë kontekst numri i madh i këtyre njerëzve që shkojnë përpara drejtësisë nuk mundet të konsiderohet ashtu si përpiqen ta paraqesin në propagandën e tyre socialistët “si rritje e korrupsionit”, përkundrazi është lufta e qeverisë “Berisha” me tolerance zero kundër korrupsionit e vlerësuar edhe nga komunitetit ndërkombëtar, që pa asnjë dallim po dërgon përpara drejtësisë shkelësit e ligjit. Ndërkohë prokuroria ka mbetur një organ në pritje të arkivimit të këtyre denoncimeve me dosje që i ka zënë pluhuri në sirtaret. Në këtë mënyrë prokuroria nuk është në rolin e saj si organ i akuzës dhe po mbetet në konflikt të vazhduar me ekzekutivin. Nuk ka asnjë dyshim se sot organi i prokurorisë është i mbizotëruar politikisht nga e majta ish-komuniste. Ndërkohë që qindra dhe mijëra dosje fle në sirtaret. Organi i akuzës hidhet degë më degë dhe hap proçese si ai “i 14 Shtatorit 1998”, duke marrë të pandehur funksionarë të lartë të qeverisë Berisha. A është i informuar vallë organi i prokurorisë se me 14 Shtator 1998, në protestën e demokratëve kundër vrasjes së liderit të tyre Azem Hajdari, u vranë në mes të rrugës, në mes të turmës, dy qytetarë të Tiranës, me armë snajper nga policia (a SHIK), aktivistët më të dalluar të PD, njerzit e mire dhe të ndershëm, Adem Shehu e Besnik Kalenja. Edhe njëhere tjetër, dera e dëgjuar e Shehajve të Tepelenës duhej të vadiste me gjak tokën shqiptare. Zenel Shehu, babai i Ademit u pushkatua në vitin 1949 personalisht me urdhrin e Enver Hoxhës dhe nuk i gjendet varri. Diktatori nuk mundet të harronte kur në Kongresin e Permetit, Shehu patriot do t’i thoshte ballë për ballë kriminelit komunist se “unë nuk kam luftuar për t’i vendosur flamurit kombëtar yllin bolshevik”. I pushkatuan Babain, Zenel Shehun në vitin 1949 dhe tani duhej të vrisnin të birin, Ademin në mes të Tiranës. E kështu e lanë atë ditë kriminelët Ademin në mes të rrugës, me orë të tëra, duke u përpëlitur në një pellg gjaku. “Mos afrohuni se është i armatosur”, bërtisnin kriminelët e veshur me uniformë, me qëllim që Ademi të vdiste pa i dhënë ndihmën mjekësore. Dhe i gjetën në xhepin e xhaketës vetëm pasaportën dhe 500 lekë, që ndoshta nuk do t’i mjaftonin për bukën e fëmijëve atë ditë. Ja këtë proces duhej të kishte hapur prokuroria. Duhej të hapte procese për dhjetëra ish-të përndjekur politikë, që u vranë dhe u masakruan nga bandat e komiteteve gjatë revolucionit bolshevik të vitit 1997, duke qenë në krye të detyrës për mbrojtjen e shtetit dhe institucioneve, oficerë dhe nënoficerë të policisë shqiptare.
Dhe me të vertetë përse u dashka që prokuroria të jetë organ i pavarur nga ekzekutivi. Forca politike që merr verdiktin e popullit për të qeverisur nuk duhet t’i ketë duart e lidhura për të luftuar fenomenet ilegale që pengojnë funksionimin e shtetit ligjorë. Në rastin konkret, gjykata duhet të jetë si organi drejtësisë absolutisht e pavarur nga ekzekutivi. Pra prokuroria ngre akuzën si përfaqsuese e ekzekutivit, avokatia bën në bazë të ligjit mbrojtjen e të pandehurit dhe gjykata vendos. Duke u bazuar dhe interpretuar në mënyrën e tyre disa nene të kushtetutës, demagogët e të majtës ish-komuniste kanë uzurpuar ekranet e TV, duke mbrojtur ish-kriminelët e diktaturës komuniste duke tundur oreçast kushtetuten. Përfaqësuesit e tyre më të shpifur janë Edi Rama, Skender Gjinushi e një varg specash të kuq opinionistësh, pinjollë të kastës enveriste. Nëse politika do të kishte sadopak moral, duhet të mbyllte gojën Skënder Gjinushi që është bërë si “miza në bishtin e kalit të ngordhur”, që nuk mundet të sjellë asgjë të mirë në politikën shqiptare. Ministri komunist i Ramiz Alisë, duhet të ulte kokën si i biri i kriminelit “Goliku” gjenerali famkeq i Enver Hoxhës për krime të përbindshme të kryera kundër popullit për vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Pinjolli i kësaj kaste kriminelësh të komunizmit është edhe Edi Rama. Si nip i Kolekës, i ati i tij K.Rama, si anëtar i presidiumit të Kuvendit Popullor, nuk hezitoi të hidhte firmën për varjen në litar të poetit dissident antikomunist Havzi Nela, në pragun e lirisë me 10 gusht 1988. Por për sa kohë politikanët në Shqipëri e shikojnë politikën si mjet për t’u pasuruar dhe jo si përgjegjësi të madhe përpara kombit të tyre, nuk ka asnjë dyshim se kështu do të shkojnë punët si rrokopujë. “Nëse i pari i fshatit vjedh një vezë, fshati gëdhihet pa asnjë pulë”, thotë një fjalë e popullit. Nuk mendoj se mundet të ketë handikap më të madh politik se të përpiqesh të mbrosh Fehmi Abdiun dhe kompaninë e tij kriminale dhe të ngulësh këmbë të mbrosh padrejtësisht ata që varën në litar, pushkatuan, dënuan me burgime të rënda njerzit që aspironin për demokraci dhe fjalën e lire. Të mbrosh ish-kriminelët komunistë se “gjoja ata paskan zbatuar ligjet e kohës”, është gjithashtu një fyerje e rëndë që i bëhet popullit shqiptarë në përgjithësi dhe ish-të përndjekurve poliltikë në veçanti. Të sjellësh përpara opinionit këtë “argument” do të thotë se jo vetëm që nuk je politikan por je një trutharë delirant dhe i papërgjegjshëm. Atëherë, sipas këtyre demagogve edhe fashistët paskan qenë në të drejtën e tyre në krimet kundër popullit pasi edhe prokurorët dhe gjykatsit e tyre kanë patur ligje të shkruara në letër, por në fakt edhe ata zbatonin urdhrat jo ligjet ashtu siç bënin komunistët me ardhjen e tyre në pushtet. Dhe pikërisht këtu ndahet diktatura me demokracinë. A mundet të më thotë dikush nga këta delirantë që po mbushin ekranet e TV, a ka patur të paktën qoftë edhe një ish-gjykatës, prokuror ose hetues fashist që të ketë patur të drejtën të punonte në organet e drejtësisë të vendeve demokratike përendimore pas Luftës së Dytë Botërore? Përkundrazi, ata u arrestuan dhe u nxorën përpara gjyqit dhe u denuan për krimet e tyre. Ndjekja e tyre akoma vazhdon kudo që ndodhen të fshehur edhe nëse një këmbë e kanë në varr për arsye të moshës së tyre. Të mendosh se do të ndertojmë demokracinë dhe shtetin ligjor me ish-kriminelët e diktaturës të ulur këmbëkryq në organet e drejtësisë dhe kudo në institucionet është një iluzion i turpshëm dhe i marrë njëkohësisht, do të thotë se demokracia është seriozisht e rrezikuar. Dhe kundër këtij diversioni të së majtës ish-komuniste duhet të ngrihen me vendosmëri jo vetëm ish-të përndjekurit politik, por i gjithë populli shqiptar. Në këtë batak ra edhe i ashtuquajturi Komitet shqiptar i Helsinkit, duke e quajtur ligjin e lustracionit dhe përpjekjet e mazhorancës së djathtë për dekomunistizimin e Shqipërisë e ndarjen nga e kaluara “si shkelje e të drejtave të njeriut”, pasi largimi nga puna i kriminelëve të diktaturës përbën shkelje e të drejtave të njeriut. Sipas këtij komitetit dhe mendjes së ndonjë ambasadori në Tiranë unisoni është i njejtë. Por duke u bërë vetëm një pyetje këtyre zotërinjve, përse vallë në vendin e tyre e kanë nxjerrë jashtë ligjit Partinë Komuniste ashtu si kanë vepruar edhe me partitë fashiste që i kanë nxjerrë jashtë ligjit? Asambleja Parlamentare ka vendosur në ekuivalencë si fashizmin dhe komunizmin si dy regjimet kriminale të shekullit të shkuar. Fashizmi akuzohet për 20 milionë viktima ndërkohë komunizmi, për 100 milionë viktima njerëzore. Në këtë pikëpamje propaganda komuniste nuk mundet të na e paraqesë bashkësinë e vendeve europiane me dy standarde.
Duke bërë një paralelizëm me kushtetutën Amerikane të vitit 1779, mundet të themi se kushtetuta nuk është një tabu; ajo nuk është as Bibel, as Kur’an, por është ligji themelor i shtetit. Ashtu si kushtetuta amerikane që ka ndryshuar dhe është amenduar gjithnjë dhe vazhdimisht në varsi të rrethanave specifike të kohës edhe kushtetuta jonë duhet të ndryshojë sa herë që parlamenti duhet të ndërsjellë konsensusin e nevojshëm për ndryshim. Që nga viti 1998, kur kjo kushtetutë nuk është votuar me më shumë se 25% e shqiptarëve, ka qenë e kontestuar gjithnjë dhe vazhdimisht. Në shumë nene të saj ka paqartësi të theksuara që bien ne kundërshtim me praktikën parlamentare. A mundet të themi se kushtetuta amerikane nuk duhej të ndryshonte duke abroguar nenet që ligjëronin skllavërinë? Në asnjë mënyrë jo. Përkundrazi Presidenti Abraham Linkoln mbeti në historinë e Amerikës pikërisht se abrogoi ligjin për skllavërinë e njerëzve në vitin 1864. Në këtë mënyrë kushtetuta amerikane duke abroguar vazhdimisht ligje në varësi të kushteve dhe rrethanave sot është ligji model i vendit më demokratik dhe më të fuqishëm të botës. Në këtë kontekst asnjëherë nuk është vonë dhe as shpejt që në bashkëpunim me partneret tanë ndërkombëtarë dhe me asistencën e tyre teknike të bëhen ndryshimet e nevojshme ne kushtetutë sa here të jetë e nevojshme. Në shume aspekte të veprimtarisë politike dhe shoqërore, kompetencat e një organi jane të cunguara si është rasti i ekzekutivit, ndërkohë organet e drejtësisë mbetën jashte çdo monitorimi si nga ana e parlamentit dhe e ekzekutivit, gjoja në emër të pavaresisë së tyre, duke rrezikuar seriozisht rrugën e vështirë të demokracisë.
Kundërshtimi që e majta ish-komuniste po i bën me kaq vendosmëri ligjit të dosjeve po tregon lakuriqesinë e saj përpara gjithë popullit të vuajtur shqiptar nga diktatura komuniste. Ish-enveristët dhe stalinistët e pakorrigjueshëm të tipit fashisto-komunist që kanë uzurpuar të majtën në Shqipëri do të ndëshkohën me votën e popullit që do të demostrojë nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me 28 Qeshor.