E Diel, 1 Nëntor 2026

Demat italianë: jetët seksuale të Musolinit dhe Berluskonit

Benito Musolini dhe Silvio Berluskoni, liderët më karizmatikë që ka njohur Italia në historinë moderne, kanë shumë më tepër të përbashkëta nga sa mendohej. Të dy u shfaqën si udhëheqës energjikë në periudhat kur demokracia italiane ndodhej në çaste të vështira. Të dy kanë gëzuar një popullaritet të jashtëzakonshëm dhe thuajse janë adhuruar nga një pjesë e madhe e turmave, duke gëzuar nga ana tjetër edhe një imunitet të rrallë. Të dy kanë qenë trupshkurtër e robustë, me një fizik prej fshatari klasik. Dhe të dy shfaqen si njerëz me një oreks të madh për seks. Se sa të madh e ka oreksin Berluskoni, kjo u bë e qartë këtë javë me publikimin e një libri kujtimesh të Patricia d‘Adarios, prostitutë që pretendon se ka kaluar dy net me Berluskonin një vit më parë, si dhe me botimin e ditarëve të Klareta Petaçit, të dashurës më afatgjatë të Musolinit. Ditarët e Petaçit, e cila u pushkatua së bashku me diktatorin, ndërsa po përpiqeshin të arratiseshin për në Zvicër në fund të luftës, janë publikuar në përfundimin e periudhës 70-vjeçare të sekretit mbi dokumentet shtetërore.
Nga këta libra një gjë del qartë në pah, se të dy kishin një oreks të shfrenuar për seks. Edhe për Patricia d‘Adarion, një grua me një përvojë të gjatë në fushën e shoqërimit të meshkujve, numri i femrave me të cilat ishte shoqëruar kavalieri ishte jashtë standardit e normales. Libri që ajo ka nxjerrë së fundi quhet: "Bëni qejfin tuaj, President" dhe, ndër të tjera, ajo shkruan: "Si grua shoqëruese mendoja se kisha parë disa gjëra nga kjo botë, por nuk kisha parë kurrë 20 gra për një burrë… Zakonisht në një orgji numri i meshkujve është i barabartë me atë të femrave, pasi ndryshe njerëzit nisin e mërziten, por në rastin e Berluskonit ishte ai që i vendoste rregullat e lojës dhe ai ishte Kryeministri". Edhe për sa i përket Musolinit, ai ishte në të njëjtin "klub". Njëherë ai i tha të dashurës së tij xheloze, Klara, se ideja e të fjeturit vetëm me një grua ishte për të "e papranueshme". Sipas biografit të Musolinit, Nikolas Farrell, Duçja gjatë jetës së tij ka shkuar me rreth 5000 femra. Sipas tij, ai gjatë gjithë kohës ishte në gjuajtje të femrave dhe nuk humbiste rast për t‘i shpënë ato në shtrat. Edhe Berluskoni, sikundër Musolinit, ka një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Pavarësisht moshës 74-vjeçare dhe një kanceri në prostatë, sipas D‘Adarios ai ishte "i palodhshëm" në shtrat, edhe pse ajo vetë nuk ishte kënaqur. Ja si i përshkruan ajo në libër netët e kaluara së bashku me Berluskonin në Romë: "Pas sulmit të parë, kur mbaronte punë menjëherë, gjithçka riniste nga e para. Nuk ishte kurrë i lodhur. Nuk kam parë kurrë një njeri kaq pasionant ndaj seksit. Kur më pyeti në isha kënaqur, u tregova e ndershme. Nuk m‘u duk e drejtë që të gënjeja. Duket se Berluskoni e mori si sfidë këtë dhe rinisi nga e para e vazhdoi kështu deri në orën tetë të mëngjesit. I vetmi dallim mes sjelljes së të dy meshkujve ishte mënyra e sjelljes pas aktit seksual me femrat. Sipas rrëfimit të D‘Adarios, mëngjesin e natës së seksit Kryeministri ishte shumë xhentëlmen. "Vinte dhe më pyeste nëse preferoja çaj, apo kafe. Më pas tha se kishte mundësi që të takoheshim sërish, por se këtë herë kishte nevojë edhe për femra të tjera dhe në fund më dha një breshkë të mbuluar me gurë të çmuar". Ndërsa Musolini, përkundrazi, ishte shumë më brutal. Sipas ditarit të Petaçit, Musolini ishte i papërmbajtshëm kur i hipte në kokë që të bënte seks dhe pas marrëdhënies as që i bëhej vonë se si ndihej partnerja. Si është vallë puna me Italinë që nxjerr politikanë të tillë, që me gjithë bëmat e tyre prej atletësh seksi vazhdojnë të jenë në pushtet dhe të admirohen, ndërkohë që në vende të tjera raste të ngjashme i nxjerrin politikanët jashtë "biznesit"? Mjafton të përmendim britanikun Xhon Profumo, apo edhe ish-presidentin amerikan, Bill Klinton. "Seksi përdoret si një shprehje pushteti. Kështu ka qenë që në zanafillë të njerëzimit, si dhe në mbretërinë e kafshëve. E vetmja arsye që në Itali gjërat janë më të pranueshme, është se media italiane ka reaguar me shumë vonesë dhe me shumë konservatorizëm ndaj këtij fenomeni, ndryshe nga media e Shteteve të Bashkuara apo e vendeve të tjera të Europës Perëndimore. Lloid Xhorxh dhe Kenedi të dy kishin shumë të dashura, por në Londër dhe në Shtetet e Bashkuara media nuk i linte rehat dhe herë pas here nxirrte çështje demaskuese në shtyp. Për sa i përket Italisë, deri në prill të vitit 2009, për sa i takon publikut, politikanët italianë nuk kishin të dashura. Këtë vit gjithçka u përmbys, kur vetë gruaja e Kryeministrit italian, Veronica Lario, demaskoi publikisht sjelljet e të shoqit duke i kërkuar atij divorcin për akuzën e "frekuentimit të minoreneve". Deri në atë çast ekzistonte marrëveshja e heshtur, se politikanët mund të kishin të dashura, mund të ishin edhe homoseksualë, por nuk kishte asgjë të vërtetuar dhe të provuar. Por kur Lario lëshoi akuzat e saj publike në një ngjarje të jashtëzakonshme për kulturën dhe për vetë median italiane, njerëzit nuk u çuditën se Berluskoni na kishte një të dashur, apo shumë të tillë, por për faktin se ai mund të kishte shkuar me të mitura dhe se kishte vendosur në politikë femra të reja e të bukura, pa asnjë lloj merite të veçantë. Dhe sapo këto ndodhën, media nuk humbi rastin për të bërë punën e saj dhe hodhi tutje turpin dhe ndrojtjen e mëparshme, duke sulmuar hapur njeriun më të rëndësishëm të vendit. Kjo solli edhe një kulturë të re morali. Muajin e kaluar, ku një politikan kryesor i qendrës së majtë u zbulua se kishte marrëdhënie me një prostitutë, ai u detyrua që të linte postin. Po t‘i referohemi biografit të Musolinit, si Berluskoni, ashtu edhe Musolini reflektojnë një kulturë të caktuar seksuale dhe diskriminimi ndaj femrave, që i përket vendit nga vijnë. Sipas biografit Farrell, meshkujt italianë janë të tillë. "Nëse do t‘i hedhësh një sy televizionit italian, do ta kuptosh menjëherë këtë gjë dhe femrat italiane bëjnë rolin që u është caktuar, pra atë të balerinave gjysmë të zhveshura, që sillen në ekran si të ishin në ndonjë shtëpi publike, duke kërcyer mbi tryeza e duke u zhveshur. Por për këtë nuk mund të fajësohet vetëm Berluskoni, sepse është edhe faji i audiencës që kërkon vazhdimisht të njëjtin model. Si Berluskoni, ashtu edhe Musolini janë liderë karizmatikë, gëzojnë popullaritet te njerëzit dhe për këtë duhen pyetur italianët se përse ata nxjerrin dhe përkrahin deri në fund njerëz të tillë. Disa mendojnë se italianët duan një lider të fortë dhe karizmatik". Ja edhe një paralele mes karizmës seksuale dhe performancës politike. Musolini dhe Berluskoni kanë arritur në karrierën e tyre shumë më tepër se politikanë të tjerë të famshëm të vendit, të tillë si Xhulio Andreoti, apo Romano Prodi, nga ana tjetër pikërisht kjo jetë e shfrenuar seksuale bëri që me kalimin e kohës të shndërroheshin në liderë me një efikasitet shumë të ulët në punë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›