Shkollat profesionale, shtohet edhe TIK

Profili i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit nis aplikimin gjatë vitit 2010-2011 në 12 shkolla
Ministri i Arsimit, Tafaj: Mësues do të jenë edhe inxhinierët elektronikë dhe ata të telekomunikacionit
TIRANË - Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, deklaroi dje gjatë një takimi me nxënësit e shkollës teknike të Tiranës "Harry Fultz" se në shkollat profesionalë në vend do të shtohet dhe një profil i ri, ai i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
Në këtë mënyrë nxënësit që pas mbarimit të shkollës 9-vjçare zgjedhin arsimin profesional, vç profileve që aktualisht ekzistojnë si ndërtim apo elektrike, mund të zgjedhin edhe profilin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK).
Projekti i ministrisë parashikon që degët e reja të hapen në 12 shkolla profesionale në të gjithë vendin; në Dibër shkolla e mesme profesionale "Nazmi Rushiti", në Elbasan tek "Sali Ceka", Berat "Stiliano Bandilli", Fier "Petro Sota", Kukës "Havzi Nela", Lezhë "Kolin Gjoka", Gjirokastër "Thoma Papapano", Kavajë "Bujqësore Kamëz", Sarandë, "Antoni Athanas", Lushnjë "Mekanike bujqësore" dhe në Pogradec në shkollën "Enver Qeraxhi". Kjo risi, sipas ministrit, ndodh në kuadër të nismës së shpallur nga kryeministri Berisha "Shqipëria Dixhitale" në fushën e arsimit.
Në këtë kontekst, sipas tij, janë ndërmarrë disa hapa jo vetëm në nivelin e arsimit të mesëm, por dhe atë të lartë që synojnë të rrisin numrin e nxënësve që mësojnë dhe studiojnë në degët dhe profesionet e lidhura me teknologjinë e informacionit.
"Teknologjia e Informacionit zbatohet në çdo fushë. Është një numër i madh profesionesh që prek pikat e takimit midis industrisë, ekonomisë, biznesit, tregtisë dhe teknologjisë së informacionit. Është ekonomia e shërbimeve, turizmi, bujqësia dhe shumë drejtime te tjera ku janë zhvilluar profesione të qëndrueshme që i përgjigjen kërkesave të tregut të punës.
Kriza financiare e tre viteve të fundit në gjithë botën tregoi se profesionet më pak të prekura nga kriza ishin ato që lidhen me TIK-un",- argumentoi ministri Tafaj, duke shtuar se koha e paskrizës tregon se shanset e ekonomive për të dalë sa më shpejt nga kriza dhe për t'u ringritur janë më të mëdha në vendet ku investimi për arsimin ka qenë më i madh dhe ku niveli i arsimimit dhe i formimit të specialistëve është më i lartë.
Nisja e mësimit në shtator të vitit 2010 në këtë profil do të ngrejë edhe problemin e mësuesve të kualifikuar për të dhënë lëndët e përfshira në programin e teknologjisë së informacionit, por sipas ministrit, paraprakisht ky problem është zgjidhur nëpërmjet trajnimit të mësuesve.
"Në bazë të projektit synohet të arrihet një numër i mjaftueshëm mësuesish nga TIK-u, por jo vetëm, sepse kemi një numër të pamjaftueshëm specialistësh të diplomuar të IT-së. Që nga viti që vjen, numri i tyre do të jetë shumë i madh edhe nga fusha të tjera vçanërisht nga fizika, matematika dhe degët e inxhinierive",- u shpreh Tafaj.
Për problemin e mungesës së mësuesve ministri i Arsimit përmendi edhe një zgjidhje tjetër; shfrytëzimin e inxhinierëve elektronikë dhe të telekomunikacionit në të gjitha rrethet e vendit, kjo duke përshtatur mekanizma stimuluese dhe tërheqëse për këtë grup specialistësh si mësues të jashtëm.