E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, në pranga kryetari i komunës së Trebinjës

RYSHFETI/ Gjergji Buzo u vu në pranga pasi i mori para një ish-punonjësi për t'i dhënë paratë e fituara pas pushimit të padrejtë nga puna


POGRADEC - Ka përfunduar në pranga kryetari i komunës së Trebinjës, Gjergji Buzo, ndërsa ndaj tij është ngritur akuza e "korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë".


Arrestimi i 42-vjeçarit është bërë nga agjentët e policisë pikërisht në kohën që ai po i merrte një sasi parash një ish-punonjësi të komunës, i cili kishte fituar gjyqin me komunën pas pushimit të padrejtë nga puna.


Ngjarja

Sipas burimeve nga policia, mësohet se shtetasi me inicialet A.I. ishte pushuar nga puna një vit më parë nga kryetari i komunës Trebinjë. Duke e quajtur të padrejtë këtë vendim, ai e ka çuar çështjen në gjyq, ndërkohë që gjykata i ka dhënë të drejtë.


Si rrjedhojë, në vendimin e togave të zeza, komuna e Trebinjës i detyrohej ish-punonjësit të vet për largimin pa të drejtë nga puna një sasi prej 400 000 lekësh të reja.


Por, pas dhënies së vendimit të gjykatës, kreu i komunës Gjergji Buzo, e kishte zvarritur dhënien e shumës së parave. Më në fund, pak kohë më pare, ai ka folur me ish-punonjësin e vet dhe i ka thënë se do t'ia jepte paratë e vendosura nga gjykata, me kusht që t'i ndanin përgjysmë. Një gjë e tillë është pranuar nga shtetasi A.I., i cili ndërkohë ka njoftuar edhe agjentët e policisë.


Si rrjedhojë, duke qenë se ai duhet t'i jepte një sasi paradhënie kryetarit, nga policia ish-punonjësit i janë siguruar përveç parave, numrat e serisë së të cilëve ishin të regjistruar, edhe një aparat regjistrimi për bisedën që ata do të zhvillonin në një lokal në qytetin e Pogradecit.


Kështu, gjatë kësaj kohe, në momentin që ish-punonjësi i ka ofruar kryekomunarit paratë e pasi ato janë marrë prej tij, policia ka ndërhyrë duke vënë në pranga 42-vjeçarin Gjergji Buzo.


Policia


Në komunikatën zyrtare për shtyp, policia bën të ditur se të dielën u finalizua me sukses operacioni "Ryshfeti" në përfundim të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gjergji Buzo, 42 vjeç, banor i lagjes nr.2 Pogradec, me detyrë kryetar i komunës Trebinjë.


Sipas policisë, arrestimi i tij u bë pasi ai u kap në flagrancë me një sasi parash, të cilat i kishte marrë në shkëmbim të një favori. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një telefon celular, një sasi parash me prerje 13x5000, 5x1000, 1x500 dhe 2x200 lekë të reja.


Gjatë kontrollit në banesë u sekuestrua edhe arma pistoletë tip TT, të cilën ai e mbante me leje. Akuza e ngritur ndaj 42-vjeçarit është "korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë". Materialet proceduriale i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për hetime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›