Heqja e embargos varet nga Serbia
Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar të dielën se marrëveshja e arritur në Bruksel për njohjen e vulave doganore të Kosovës nga ana e Serbisë nuk nënkupton heqjen e menjëhershme të masave të reciprocitetit që Qeveria e Kosovës i ka vendosur për mallrat serbe më 20 korrik të këtij viti.
“Vendimi për reciprocitetin ndryshohet në momentin kur vlerësohet plotësimi i të gjitha kushteve. Natyrisht në parim është arritur marrëveshja për pranimin e vulave në formatin siç kanë qenë para tri viteve, që atëherë ishin refuzuar nga Serbia. Pra në formatin e vulave nuk ka ndryshuar asgjë dhe ata i kanë pranuar ashtu”, ka thënë ajo për Express.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë që ka nënshkruar vendimin për reciprocitet thotë se tani do të shihen të gjitha elementet e implementimit të asaj marrëveshjeje, dokumentacioni për mallrat që e lëshojnë Kosovën dhe procedura të tjera teknike për të cilat duhet punuar institucionet ditëve në vijim.
“Kur të sigurohemi që çdo gjë është në rregull në raport me qarkullimin e lirë, atëherë shfuqizohet vendimi për ndalimin e mallrave”, ka theksuar Kusari-Lila.
Ajo bëri të ditur se pas shfuqizimit të vendimit për reciprocitet, Qeveria e Kosovës do të monitorojë implementimin e marrëveshjes dhe në rast se haset ndonjë pengese, atëherë menjëherë do të reagohet me vendime përkatëse.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...