Dëmet nga përmbytjet, KESH remont urgjent në Fierzë dhe Koman
Projekti i impelementimit të masave për Sigurinë e Digave është parashikuar të realizohet nëpërmjet një financimi paralel të Bankës Botërore dhe institucione të tjera financiare, si SECO, EBRD, KFW, KESH etj. Kanë përfunduar pothuajse plotësisht specifikimet teknike për komponentët kryesore të investimeve të infrastrukturës fizike, të përfshira në Projektin e Sigurisë së Digave. Është i domosdoshëm finalizimi i studimit të fizibilitetit, që do të përcaktojë zgjidhjen teknike për mbrojtjen e digës së HEC Komanit. Këtij qëllimi i shërbeu edhe workshopi pak kohë më parë me prezencën dhe diskutimet e frytshme të donatorëve, kreditorëve, KKDM, kompanive konsulente dhe KESH-it. Situata me të cilën u përballëm gjatë muajve nëntor - dhjetor 2010 me prurje të larta dhe të vazhdueshme në kaskadat e lumenjve Drin dhe Mat e vuri stafin e KESh-it në vështirësi serioze në lidhje me menaxhimin e plotave dhe garantimin në të njëjtën kohë të aspekteve të sigurisë, në veçanti në bjefet e poshtme të hidrocentraleve Koman dhe Fierzë. Një situatë e tillë kërkon që të ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm me qëllim që të avancohet me implementimin e Projektit të Sigurisë së Digave, për të garantuar të gjithë elementet e sigurisë së këtyre hidrocentraleve. Në kushtet e dëmtimeve të përsëritura të evidentuara qartazi vitet e fundit në bjefet e poshtme të hidrocentralit të Komanit dhe Fierzës, KESH i konsideron ndërhyrjet e parashikuar si të një prioriteti shumë të lartë. KESH ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për kryerjen e investimeve me karakter emergjent, që nuk mund të presin finalizimin e studimeve të fizibilitetit, apo finalizimin e Marrëveshjeve Financiare, duke alokuar fonde të KESH-it për investime në bjefin e poshtëm të HEC Fierzë, për mirëmbajtjen e portave të shkarkimit dhe atyre të remontit në kaskadën e Drinit dhe Matit si dhe për të garantuar aksesin në të gjitha galeritë e digave ku parashikohet të implementohet projekti i Sigurisë së Digave. Është i domosdoshëm finalizimi i Marrëveshjeve Financiare me Qeverinë Zvicerane, KfW dhe EBRD në përputhje me interesin që ato kanë shprehur për të mbuluar investime në kuadrin e projektit të Sigurisë së Digave, për të bërë të mundur implementimin e këtyre investimeve, dhe ju kërkoj gjetjen dhe shfrytëzimin e çdo mundësie për plotësimin dhe përshpejtimin e të gjitha masave dhe aksioneve, në mënyrë që projekti të implementohet sa më i plotë dhe sa më shpejt.