E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Qeveria realizoi reformën në energjetikë

Në tekstin e marrëveshjes aktuale me Shqipërinë, Banka Botërore vlerëson se qeveria ka filluar ristrukturimin e sektorit të energjisë. Kompania shtetërore e energjisë elektrike, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), u çmontua dhe bizneset e shpërndarjes dhe të furnizimit u privatizuan, cilëson BB, si një nga donatoret më të mëdha në sektorin e Energjetikës. Nën kuadrin e ri të tarifës së elektricitetit, OSSH-ja e privatizuar duhet të arrijë objektivat e performancës për të ulur humbjet në transmision dhe shpërndarje; për të rritur nivelet e mbledhjes së të ardhurave; përmirësimin e efektivitetit operacional dhe përmirësimin e kualitetit të elektricitetit, këshillon BB. Sipas saj, sektori ka filluar që tani që të ketë disa përmirësime të dukshme, pjesërisht prej reformës në menaxhim, por edhe për shkak të kushteve më të mira hidrologjike, forcimin e entiteteve rregullatore, dhe privatizimin e furnizimit. Tre vitet e ardhshme do të jenë veçanërisht kritik për bërjen efektive të strukturës dhe modelit të ri të tregut. Së pari, realizueshmëria financiare, menaxheriale dhe teknike e kompanive me pronësi publike të energjisë në zinxhirin e furnizimit, duhet të forcohen dhe vijimisht prapambetjet brenda kompanive të kufizohen. Së dyti, ekziston një nevojë për ta bërë efektiv privatizimin e sektorit të shpërndarjes përmes, ndër të tjera, investimeve të reja për të reduktuar humbjet e energjisë gjatë shpërndarjes. Së treti, qeverisë do t‘i duhet të rrisë më tej kapacitetin gjenerues, veçanërisht përmes projekteve të vogla por efikase hidro-energjetike. Së fundmi, detyrimet kontingjente të sektorit ndaj qeverisë duhet të kufizohen në mënyrë substanciale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›