E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, kërkesa në rritje çdo vit

Ekspertët e Entit Rregullator të Energjisë bëjnë të ditur se kërkesat e vendit për energji që prej vitit 1990 janë rritur çdo vit me 8%. Kjo rritje shton edhe domosdoshmërinë e gjetjes së burimeve të reja prodhuese. Kjo është edhe arsyeja kryesore e dhënies me koncesion të mbi 103 HEC-ve, por edhe zbatimit të projekteve të tjera madhore, si HEC-i i Kalivaçit, TEC-i i Vlorës, kaskada e Devollit, HEC-i i Ashtës etj. Mbi 2.1 miliardë euro janë investuar në këto projekte, të cilat jo vetëm do të plotësojnë kërkesat e vendit për energji elektrike, por do ta shndërrojnë shtetin Perëndimor në eksportues rajonal. Konsumatorët familjarë janë përdoruesit kryesorë të energjisë elektrike në vendin tonë. Në vitin 1990 industria absorbonte 50% të burimeve të energjisë dhe 17% në vitin 2001. Sektori që ka njohur rritje të vazhdueshme të konsumit të burimeve energjetike është transporti, i cili në vitin 1990 konsumonte 6% të totalit, ndërkohë që në vitin 2001 ka arritur në vlerën 44%. Sektori i banesave konsumonte 14.6% në vitin 1990 dhe në vitin 2001 është rritur në 21%. Sektori i shërbimeve ka pasur rritje nga 5.4% që konsumonte më 1990, ka arritur në 16.5% në vitin 2001. Peshën kryesore e ka sektori i banesave. Gjithmonë e më shumë po vihet re një tendencë e fortë në drejtim të rritjes së konsumit të energjisë elektrike për ngrohje edhe pse në disa raste ekzistojnë mundësi të tjera të përdorimit të burimeve alternative energjetike. Energjia elektrike që përdoret për ngrohje është arsyeja kryesore që sistemi elektrik nuk është në gjendje të garantojë një furnizim të rregullt për shërbimet e tjera, përveç ngrohjes (pajisjet elektroshtëpiake dhe operacionet e ndryshme industriale dhe ato të sektorit të shërbimit, që kërkojnë patjetër energji elektrike).

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›