E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dëmet prej zjarreve, Rama: Kush humbi shtëpinë do t’ia rindërtojmë falas. Vengu: Vlerësimi do realizohet në çdo bashki me procedurë të veçantë

Kryeministri Edi Rama ka garantuar se çdo banorë që humbi shtëpinë apo bagëtitë për shkak të zjarreve në vend, do të dëmshpërblehen një më një. Në një postim në rrjetet sociale ai shkruan: “Kujt humbi shtëpinë do t’ia rindërtojmë falas dhe kujt humbi krerët do t’ia rifinancojmë një më një”.

Ndërkohë, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka bërë me dije se në çdo bashki të prekur do të bëhet vlerësimi dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga zjarret që përfshinë vendin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri sqaroi se fillimisht do të bëhet evidentimi i pasojave nga Grupi i Konstatimit i ngritur me urdhër të kryetarit të Bashkisë. Grupi do të realizojë inventarizimin e dëmeve në banesa infrastrukturë, biznese, kultura bujqësore, mjete mekanike, objekte social-kulturore dhe do të plotësojë formularët me kostot financiare.

Më pas, bashkitë kanë detyrën të përgatisin listat për subjektet e dëmtuara dhe dokumentacionin përkatës dhe, pas vlerësimit financiar, çdo bashki do të përcaktojë koston e kompensimit, që do të kryhet nga fondet e bashkisë së prekur, përmes fondit për mbrojtjen civile.

Zjarre të fuqishme përfshinë vendin për disa ditë radhazi, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe një viktimë. Në 24 orët e fundit ka pasur një përmirësim të dukshëm të situatës, ku sipas përditësimit të fundit nga Ministria e Mbrojtjes, aktualisht janë vetëm 3 vatra aktive.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›