E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demi: Mediu, shkelje me gradat dhe demontimin

Deklaratë e papritur e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë në seancën e djeshme

“Rrufe në qiell të pastër” brenda mazhorancës. Në mënyrë të papritur kanë shpërthyer akuza të ashpra ndërmjet Partisë Demokratike dhe republikanëve, madje brenda Parlamentit të Shqipërisë. Ka qenë Leonard Demi, kryetar i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, i cili dje ka akuzuar një anëtar të kabinetit qeveritar, përkatësisht ministrin Fatmir Mediu, se në kohën kur ai ka qenë ministër i Mbrojtjes ka pasur probleme të rënda për zbatimin e ligjit për gradat dhe demontimin e armëve dhe municioneve. Deklarata e Demit është bërë dje gjatë një takimi të Komisionit të Sigurisë, kur në fakt nuk ishte fare tema mbi çështjet që u hodh akuza. Krejt papritur, kreu i Komisionit të Sigurisë ka deklaruar se ka monitoruar dy herë Ministrinë e Mbrojtjes në kohën kur këtë dikaster e drejtonte Fatmir Mediu, si në aspektin e zbatimit të ligjit të gradave ashtu dhe çështjen e demontimit të armëve dhe municioneve. Në të dyja rastet, tha Demi, janë konstatuar shkelje serioze. Sipas kreut të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, shkelje janë hasur në procesin e shkatërrimit të armëve, si dhe në ligjin për gradat në Forcat e Ushtrisë. “Kemi konstatuar shkelje në dy aspekte, në ligjin për gradat, si dhe për çështjen e armatimeve”, tha Demi para deputetëve demokratë. Demi theksoi se gjatë kësaj kohe nuk ishte zbatuar ligji për shkatërrimin e armëve. Sipas tij, edhe në kohën që Ministrinë e Mbrojtjes e drejtonte Gazmend Oketa ka pasur shkelje, por ato janë riparuar. Ai sqaroi se Mediut i ishte dërguar një komision i posaçëm ku i ishin bërë të qarta shkeljet.

Në fakt, edhe pse në dukje pa re, “qielli” në kryet e mazhorancës qeverisëse nuk duket shumë i pastër. Disa ditë më parë, gjatë një takimi lokal në Durrës, kreu i Partisë Republikane, aktualisht ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, ka shfaqur ankesa ndaj sjelljeve të Partisë Demokratike ndaj republikanëve, gjë që siç duket kanë reflektuar në deklaratat “kërcënuese” të përfaqësuesve të mazhorancqës në Parlament. Bën përshtypje, se vetë Leonard Demi nuk ka pranuar më pas të sqaronte apo të detajonte qëndrimin e shprehur kundër Mediut. Kryetari i PR-së, u largua nga detyra e ministrit të Mbrojtjes, pak ditë pas katastrofës së Gërdecit, e cila ndodhi më 15 mars të vitit 2008 ku gjetën vdekjen 26 persona si pasojë e shpërthimit të një depoje të demontimit të municioneve luftarake. Por edhe pas dorëheqjes së Mediut ai është mbrojtur fuqimisht nga Kryeministri Berisha dhe drejtues të tjerë të PD-së.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›