E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhdukja e Belegut, prokuroria: Nuk ka dalë jashtë Shqipërisë

Pikat e kalimit kufitar sjellin përgjigjen: Asnjë gjurmë për ish-këshilltarin e Priftit

Asnjë gjurmë jete për Eduart Belegun, ish-këshilltari i ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, i zhdukur disa ditë më parë nga banesa e tij në Tiranë. Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë verifikuar banesat e të afërmve të Belegut për vendstrehimin e tij, por më kot. Gjithashtu janë kontrollua pronat e tij, si dhe është kërkuar informacion në pikat e kalimit kufitar, nga ku kanë ardhur përgjigjet se “Eduart Belegu nuk rezulton ta ketë lënë Shqipërinë para se të zhdukej”. Informacione zyrtare kanë mbërritur në polici dhe prokurori nga pikat e kalimit kufitar tokësor, si Dogana e Kakavijës, Kapshticës, Dogana e Tre Urave në Përmet, Dogana e Qafë-Thanës, si dhe Dogana e Hanit të Hotit në Shkodër. Asnjë gjurmë për Belegun, i cili nuk rezulton ta ketë lënë Shqipërinë në rrugë tokësore. Vëmendja u përqendrua edhe në aeroportin e Rinasit, prej nga ku erdhi përgjigjja se nuk rezulton të ketë lënë Shqipërinë asnjë shtetas shqiptar me emrin Eduart Belegu. Gjithashtu erdhën përgjigjet edhe nga pikat e kalimit kufitar ujor, nga Porti i Durrësit dhe i Vlorës, ku nuk kishte asnjë shenjë jetë nga ish-këshilltari i Priftit.

Pas këtyre hetimeve të hollësishme, puna e grupit hetimor u përqendrua në verifikimin e çdo prone dhe pasurie të Eduart Belegut. Burime nga Policia e Shtetit thanë se morën urdhër për të vëzhguar banesat e të afërmve të Belegut, si dhe kanë mbajtur nën kontroll një pjesë të mirë të të dyshuarve. Megjithatë as kjo masë nuk ka mjaftuar për të mësuar fatin e ish-këshilltarit të ministrit të Ekonomisë, i hetuar më parë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës nga Prokuroria e Elbasanit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon hetimet për ngjarjen dhe një pikë kyçe e hetimeve janë edhe tabulatet e telefonit të të zhdukurit. Personat që kanë kontaktuar së fundmi me Belegun janë marrë në pyetje dhe nga verifikimet paraprake nuk ka rezultuar ndonjë detaj me vlerë për hetuesit. Një nga provat më të rëndësishme për grupin hetimor të Krimeve të Rënda është edhe mesazhi që ka mbërritur në celularin e të vëllait. Nga këqyrja e telefonit ka rezultuar se mesazhi është dërguar nga numri i Eduart Belegut, ndërsa janë krahasuar edhe mënyrat e të shkruarit, si dhe komponentë të tjerë. Prokuroria dyshon se mesazhi nuk është shkruar nga personi që rezulton i zhdukur, por nga persona të tjerë që mund ta kenë rrëmbyer ish-drejtorin e DARFO-s. Dyshimet e prokurorisë vijojnë edhe me faktin se menjëherë pasi u dërgua mesazhi, telefoni celular u mbyll. Megjithatë, hetimet janë në vijim e sipër dhe për çdo ditë prokuroria, në bashkëpunim me policinë, merr informacione të reja.

Ditën që është zhdukur, Belegu e ka lajmëruar vëllain me një mesazh se po largohej për disa ditë. Ai i ka kërkuar të vëllait që të mos e kërkonin, por ky i fundit e ka denoncuar rastin në polici, ndërsa telefoni i Eduart Belegut ende vazhdon të qëndrojë i fikur. Fillimisht policia ka hedhur dyshime se ai mund të jetë larguar nga shtëpia pa pasur ndonjë konflikt të mundshëm. Mësohet se po mbahen nën vëzhgim personat e dyshuar.

Për të mundësuar një hetim të plotë, oficerët e policisë gjyqësore po këqyrin çdo të dhënë në tabulatet telefonike, nga ku shpresohet të nxirret ndonjë fakt për zhdukjen e tij. Gjithashtu, hetimet janë përqendruar edhe tek automjeti, i cili është gjetur në periferi të Tiranës. Ekspertë të fushës po vazhdojnë të bëjnë këqyrjen e tij, ndërsa po mbahen kontakte me familjarët për çdo të re.

Burime nga policia dhe prokuroria thanë se Belegu ka takuar rreth 25 persona para se të zhdukej, ndërsa ata që kanë komunikuar, qoftë fizikisht, qoftë verbalisht, janë thirrur për dëshmi në prokurori. Grupi hetimor ka dyshime se gjatë takimeve me këta persona, Belegu u ka bërë me dije shqetësimet e fundit në lidhje me punën apo me hallet familjare, të cilat nga akuza mund të konsiderohen edhe si pista të zhdukjes së mundshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›