Skandal me rrogat e drejtuesve të televizionit shtetëror
Përpara se të vinin në pushtet socialistët në Greqi dhe sidomos në debatet televizive midis dy rivalëve kryesorë, Karamanlis-Papandreu, një prej pyetjeve që i drejtonte kryetarit të konservatorëve Kryeministri i sotëm, Jorgos Papandreu, ishte se ku shkonin gjithë paratë e paketave ekonomike nga BE, apo taksat e mbledhura, dhe pse boshatisej me ritme të shfrenuara arka e shtetit. Natyrisht që një prej arsyeve që grekët votuan në 4 tetorin e kaluar ishte pikërisht kjo qeverisje e keqe, kjo ekonomi pa baza, pa asnjë pikësynim dhe kursim, shpenzimet kolosale të aparatit shtetëror, rrogat e majme të drejtorëve të organizmave shtetërore e gjysmë shtetërore. Por askush nuk dinte me hollësi se përveç këtyre posteve, kishte edhe një organizëm, apo më saktë një kompani mediatike që i përket tërësisht shtetit grek, dhe që mbahet me taksat e gjithë qytetarëve, pikërisht kanali shtetëror ERT, vendi ku mbi 80 persona, të paktën miq të ministrave të kabinetit "Karamanlis", merrnin rroga të tilla sa do t‘i kishte zili… edhe vetë Presidenti amerikan. Kjo për faktin se drejtori i këtij institucioni mediatik shpërblehej me 350000 euro në vit, ndërkohë që rroga vjetore e Barak Obamës shkon deri në 278000. Ka më se dy ditë që Greqia zien për arsye të publikimit në një nga blog-et e shumta gazetareske, tepër në modë në muajt e fundit, të listës së rrogave me këta "golden boys" që jetonin në kurriz të taksapaguesve grekë. Gazetarë të emisioneve të ndryshme në tre prej kanaleve që disponon ky televizion, drejtorë informacionesh, drejtorë teknikë apo të marrëdhënieve me publikun, shpërbleheshin me rroga që varionin nga 80000 e deri në 325000 euro në vit. Pikërisht në momentet kur vendi ndodhet vetëm një hap larg falimentimit, kur qeveria greke kërkon nga gjithë qytetarët e saj që "të shtrëngojnë rripin", rrogat e kësaj "kaste blu", siç u quajt në shtypin grek, krijuan një reagim të paparë. Qytetarët grekë, të cilët bashkë me faturën e llogarisë së dritave paguajnë edhe taksën për kanalin shtetëror çdo dy muaj, nuk pushojnë së protestuari, duke shkruar letra të ndryshme në media dhe duke kërkuar që mos ta paguajnë këtë taksë për t‘u pasuruar vetëm një grusht njerëzish.
Ajo çka shkakton përshtypje të madhe në opinionin publik, është fakti që megjithëse socialistët kanë pothuajse tre muaj në pushtet dhe para disa ditësh ministri i Financës deklaroi ngrirjen e pagave mbi 2000 euro në sektorin shtetëror dhe uljen me 10% të shtesave dhe shpërblimeve të rrogave të larta, të ardhurat e personave në fjalë vazhdojnë të derdhen në llogaritë e tyre bankare dhe kjo krijon një pakënaqësi të theksuar. Edhe në sektorin privat, disa prej prezantuesve kryesorë të lajmeve apo drejtorët e informacionit marrin rroga të mira. Por kur bëhet fjalë për një institucion shtetëror, ku rroga bazë e gazetarëve apo e nëpunësve në këtë institucion varion nga 1000 deri në 2000 euro, duke shtuar këtu edhe të ardhurat nga shtesat e rrogës për kategoritë e të martuarve, të fëmijëve të diplomatëve apo të orëve të natës dhe të ditëve të festave, shpërblimet për këtë kastë ishin jashtë çdo logjike. Ose më mirë, brenda logjikës së shpërblimit për punën e tyre, sepse edhe në Greqi, pavarësisht se vendi është anëtar i BE për shumë vjet, ende televizioni shtetëror përdoret nga çdo qeveri në fuqi, për të propaganduar punën e vet. Duhet theksuar se vetëm para disa ditësh, vetë ministri i Kulturës deklaroi në Parlamentin grek se për 5 vjet e gjysmë tre kanalet e këtij televizioni dhe dhjetëra radiostacionet që posedon në të gjithë Greqinë, kanë bërë një fushatë të hapur politike kundër Papandreut dhe socialistëve. Natyrisht kjo ishte puna e zellshme e drejtorëve dhe e gazetarëve të shumëpaguar, besnikë të atyre që i kishin emëruar, dhe shpërblim për pagën e majme që merrnin. Ndërsa vetë Kryeministri Papandreu kërkon të sjellë një frymë të re mediatike, që u largohet steriotipeve ballkanike apo për hir të së vërtetës edhe disa europianeve, për të krijuar një televizion publik që do i shërbejë popullit dhe jo partisë që është në fuqi. Sfida veçse është tepër e madhe.