E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Demokracia” e mohimit të demokracisë

26-08-2011 / Nga Luan Myftiu

Rama dhe neobllokmenët duan demokrací për vete. Një demokrací të të privilegjuarve. Një “parajsë” të gënjeshtrës, të frikës dhe të adhurimit të “njëshit”. Një demokrací pluraliste njëpartiake. Një shoqëri të lirë pa të drejta të njeriut. Një perandorí, ku të varrosen krimet e komunizmit. Një shtet ligjor, ku të monopolizohen institucionet e  pavarura. Një “shenjtërim” i vjedhjes, ku xhelati t’i rrëmbejë pronën të zotit. Një ekonomí tregu, ku korrupsioni të çmohet si forcë zhvillimi. Një lartësím i vetëdijes qytetare, ku lufta politike të manipulojë opinionin.
Rama dhe neobllokmenët i kanë përcaktuar tashmë konturet e një demokracíe të shpifjes, të akuzave false, të nihilizmit, të mbylljes dhe të bunkerizimit të lëvizjes së lirë. Ata duan demokracínë e amnistisë së masakrës komuniste, lartësímin e antivlerave të diktaturës,  margjinalizimin e martirëve të lirisë. Duan skllevër të poshtëruar e “krenarë”. Duan pushtet pa meritë dhe diktat nëpërmjet “kushtesh” frenuese. Duan pasurí të paligjshme, lypsarë të dobishëm dhe mirënjohje për lotët e tyre prej krokodili. Ata duan një demokrací paradoksale. Ndoshta prandaj, si antikomunistë, krijojnë nostalgji për diktaturën, ndërsa si opozitarë “konstruktivë”, kërkojnë një demokrací ku të mohohet çdo sukses i demokracísë së vërtetë. Prandaj, si “europianë” diktatorialë, bllokojnë integrimin duke prishur imazhin e Shqipërísë, ndërsa si “liberalë” kultivojnë rebelimin. Dhe paradoksi i tyre vazhdon, kur si populistë, nxitin polarizimin e skajshëm ekonomik, ndërsa si “demokratë perëndimorë”, mohojnë konsensusin, debatin dhe transparencën. Dhe absurdi arrin, kur si patriotë, shpifin makabritete për vendin e tyre. Shkurt, këta dishepuj të sistemit të “kopaçes” nuk e duan shtetin e së drejtës, as barazinë e të gjithëve para ligjit. Madjé, si ithtarë të “luftës klasore”, kërkojnë mirënjohje edhe për pengesat që i krijojnë zhvillimit. Kurse, si ambiciozë për pushtet të pamerituar, duan mercenarizimin e “sovranit”. Ndërkohë që si “liberatorë”, projektojnë dhunë ndaj mendimit ndryshe. Këta misionarë të “revolucionit” të dështuar “proletar”, imitojnë metodat e PPSh-së. Prandaj mohojnë kontributet e kujtdo, që nuk i bindet kryetarit, a që nuk i shërben “avokatisë” së diktaturës. Pra, Rama dhe neobllokmenët po dalin hapur kundër zhvillimit, kundër dritës, kundër civilizimit. Por ata e kanë shpallur veten “modernë”, ndonëse si intelektualë, të shkolluar në Perëndim, kanë mbetur ca gjarpërinj akuariumesh, qënie të helmatisura, që tallen me elektoratin, duke nxjerrë “mjaltë” nga goja dhe duke derdhur për të lotë krokodili. Ata nuk lënë mjerim të të tjerëve pa e shndërruar në kapital politik. Nuk lënë fatkeqësí pa e kthyer në entuziazëm masiv rebelími. Ata shkatërrojnë reformat në emër gjoja të “shenjtërímit” të votës dhe bllokojnë miratimin e ligjeve jetike për të mbrojtur “dinjitetin” si opozitarë. Ndërkohë sulmojnë institucionet e pavarura në format më të paturpshme. “Idealizmi”, që i shpie në greva “vetëflijuese”, i frymëzon të përqeshin mandatin që u jep sovrani. Çdo humbje e shpallin fitore dhe ulëríjnë për hapjen e ca kutive, sa për mos-hapjen e atyre, ku shohin të sigurtë humbjen. Këta “demokratë” antipopullorë, jo pa qëllim e kanë braktisur parlamentin. Jo rastësisht e mbrojnë fukaranë në kafenéra dhe i kthejnë kurrizin, kur u skadon afati për të marrë rrogat në parlament. “demokracía” e tyre synon të shkatërrojë demokracínë e vërtetë. Këta barinj të mjerimit, të pikëlluar nga vuajtjet e njerëzve në nevojë, shkojnë t’i bëjnë pushimet në plazhet e botës, ku gjenden hotele me pesë yje. Dhe, pasi qetësojnë atje streset e ambicies për pushtet të dhunshëm, zënë e shfajësohen për rrëmujat, duke akuzuar për huliganizëm elektoratin të tyre. “Demokracía” e këtyre imituesve të PPSh-së, që mbrojnë parimin e “bashkautorësísë në krim“ të “qoftëlargut”, në vend të kërcënimit me burg, o plumb prapa kokës, përdorin sot paranë, vendin e punës, lidhjet farefisnore, krushqitë, o atë “lugën e çorbës” që mund t’u ketë dhënë me “daják” Sigurimi i Shtetit. Dhe, ashtu si Enver dinaku, që i zhduku shokët duke i kandisur se nuk mund të drejtonte gjoja pa secilin prej tyre, Rama dhe neobllokmenët kanë sajuar “gogolin” e mazhorancës, që të “motivojnë” përse u duhet urgjentisht pushteti! Me kokën nga e kaluara, ata kanë frikë sot integrimin, aspiratën e këtij populli të vuajtur prej paraardhësve të tyre. Mirëpo, duke kuptuar se rruga drejt Europës është e pashmangshme, përpiqen ta shtyjnë atë si një të keqe fatale. Gjithë “zotërinjtë”, që u ndjenë Perëndí në diktaturë, nuk mund të pranojnë një integrim të shpejtë. Prandaj e vonojnë atë duke mos aprovuar reformat e domosdoshme. Ata janë për integrimin e hajdutëve, pranimin e tyre si pronarë legjitimë të Shqipërísë. Dhe vetëm kur vendi ta ndiejë veten “çiflig” i tyre, mund të bëjnë një hap drejt afrimit me Europën. Se ata ndjekin këshillat e Ramiz Alísë, i cili porosiste të mos nguteshin për në Europë. Ndoshta jo keq i ka satirizuar këshillat e Ramiz kriminelit një humorist: “Prit tha Ramizi, kam një mendim/ Ne s’jemi Lindje, as Perëndim/Dhe, meqë s’jemi as mish, as peshk/ T’i shkojmë Europës, ngadalë, si breshkë!”. A nuk po bëjnë çmos bijtë e bllokmenëve të kandisin Europën të mos e pranojë Shqipërínë në gjirin e saj? A nuk po përdhosin ata vlerat e vendit për ta trembur BE-në nga shqiptarët? Sipas tyre duhet që shqiptarët të pranojnë më parë një “demokrací”, ku të njohë prapë “qeni të zonë”, ku “mafiozët” e diktaturës të kenë pastruar paratë e pista, ndërsa xhelatët të kenë “justifikuar” gjëmat e tyre. Kjo është rruga e ambicies për pushtet të pakufizuar!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›