E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Demokracia e pakthyeshme, as Xhelilët dhe as Hamitët nuk mund të cenojnë legjitimitetin e qeverisë”

Deklaron kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli reagoi ashpër dje ndaj tendencave destabilizuese të kryesocialistit Edi Rama dhe shpurës së tij spekulante në opozitën shqiptare. Pas dy ditëve protesta pa njerëz, por me paralajmërime dhe kërcënime të ashpra për radikalizim të ashpër të tubimeve deri në rrëzimin me forcë të qeverisë, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli deklaroi se askush nuk mund të cenojë sistemin e demokracisë në këtë vend. Gjatë një aktiviteti të mbajtur në kryesinë e Kuvendit, me rastin e 20 vjetorit të Konventës së të Drejtave të Fëmijëve, kryeparlamentarja tha se “demokracia është e pakthyeshme dhe shteti ligjor është gjëja më e shtrenjtë dhe më e shenjtë për të gjithë shqiptarët”.
“Kushdo që mund të mendojë se mund të sulmojë apo të përpiqet, me instrumente të paligjshme të cenojë ligjshmërinë, natyrisht që gabohet rëndë. Sot jemi në 20 Vjetorin e rënies së murit të Berlinit, dhe për ne shqiptarët e në mënyrë të veçantë për Partinë Demokratike që ishte forca që rrëzoi komunistët, byronë politike, sigurimsat e shtetit. Natyrisht që askërkush as bijtë, as ministri i fundit të sigurimit të shtetit as ministri i fundit i Ramiz Alisë, as emrat e Xhelilëve apo ta Hamitve apo të të tjerëve, nuk mund të guxojnë që të cenojnë ligjshmërinë dhe punën e Parlamentit, të Qeverisë dhe institucioneve. Për ne s’ka gjë më të rëndësishme dhe gjë më të bukur, sesa të shohim demokracinë shqiptare, funksionale, është një demokraci e pakthyeshme ndaj dhe shteti ligjor është gjëja më e rëndësishme për ne, është gjëja më e shtrenjtë dhe më e shenjtë për ne dhe, askush nuk mund të guxojë që të prekë këtë sistem të demokracisë”, deklaroi kryetarja e Kuvendit, Topalli.
Sipas saj, Shqipëria është në prag të sfidave vendimtare për sfidat integruese dhe kurrsesi këto nuk mund të cenohen nga kaskiera mashtruese dhe gënjeshtare e një karikature politike. Kryeparlamentarja Topalli nënvizoi se institucionet ndërkombëtare aprovuan kërkesën e Shqipërisë për në BE dhe njëherazi i kanë hapur rrugë procesit të liberalizimit të vizave dhe këto erdhën si rrjedhojë e certifikimit të zgjedhjeve nga arbitri ndërkombëtarë.
“Shqipëri ka arritur momentet e saj më të bukura, në mënyrë të veçantë të procesit të integrimit, si një vend anëtar i NATO-s, si një vend, të cilin qeveritë e  27 vendeve të BE-së, të majta e të djathta e pranuan kërkesën e saj për t’u bërë vend kandidat. Nuk ka datë më të rëndësishme sesa 16 Nëntori, me domethënie politike, mesazh politik të qeverive të majta e të djathta të BE-së. Vendimi që ato morën në 16 nëntor ishte se Shqipëria kaloi shkëlqyeshëm provën e saj të 28 Qershorit, se ato ishin zgjedhje të lira e të ndershme, se institucionet janë legjitime”, tha Topalli.
Kryetarja e Kuvendit shtoi se detyra e qeverisë dhe e institucioneve të këtij vendi, është të vazhdojë në rrugën e nisur.
Topalli iu referua dhe buxhetit të vitit të ardhshëm, duke theksuar se dokumenti ambicioz i jep fund problemeve sociale të vendit.
“Pas pak ditësh ne do të votojmë buxhetin, që është programi i qeverisë i përkthyer në ligj në Parlament, i cili është shtuar me 600 milionë dollarë të tjerë dhe të gjithë këto para, janë për ekonominë shqiptare janë për ekonominë familjare, janë për shkollat e fëmijëve, janë për spitalet e fëmijëve, janë për ekonominë e prindërve, dhe janë për rritjen e mëtejshme të ekonomisë shqiptare që, edhe sipas revistës më të rëndësishme, më prestigjioze ndërkombëtare ‘Forbes’, që edhe  këto ditë na klasifikoi si e vetmja ekonomi, e cila vazhdon me rritje pozitive dhe që ka numrin më të madh të investimeve të huaja. Ky është inkurajimi më mirë për të ardhmen e Shqipërisë dhe për këta fëmijë”, nënvizoi kryetarja e Kuvendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›