Vendimi i formës së prerë, zgjedhjet kanë certifikimin më të plotë në historinë e vendit
Rikonfirmon kryeministri Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha përsëri edhe njëherë dje se mbetet i hapur për çfarë do lloj bashkëpunimi me opozitën me kushtin e vetëm rikthimin e saj në parlament.
“Jam dhe mbetem i hapur për dialog dhe kam bërë një ofertë shumë serioze, por çdo gjë duhet të bazohet mbi të vërtetën dhe jo mashtrimin”, u shpreh kryeministri pas homazheve në nderim të Prof. Selman Riza.
Duke iu referuar protestës së organizuar nga opozita gjatë këtyre ditëve, kryeministri tha se opozita duhet të shqyrtojë ofertën zyrtare, të lërë mënjanë mashtrimin dhe të bazohet tek e vërteta.
“Është në detyrimin tim madhor, të garantoj protestën e cilitdo qytetar të këtij vendi dhe kjo është e qartë se ndodhi dhe do të ndodhë. Tani, vazhdon tre ditë, vazhdon tridhjetë ditë, vazhdon tre muaj, vazhdon në infinit, këto janë çështje jo të miat, janë vendimmarrje që dalin tërësisht jashtë kompetencave të mia. Theksoj edhe një herë një gjë, absolutisht jam dhe mbetem i hapur për dialog dhe kam bërë një ofertë shumë serioze, por çdo gjë duhet të bazohet mbi të vërtetën dhe jo mashtrimin”, deklaroi kryeministri.
Berisha hodhi poshtë pretendimet e klikës mashtruese, opozitës, të cilët tentojnë të shpërfillin vendimin e gjykatave.
“Të pretendosh se nuk ka vendosur gjykata në një kohë kur gjykata ka shqyrtuar në themel Beratin, Fierin etj, dhe ka vendosur se nuk mund të ketë rinumërim të pabazuar në kontekst, atëherë do të thotë të ndërtosh strategjinë tënde mbi mashtrimin dhe kjo është përzgjedhja që unë nuk e këshilloj. Pra vendimi është i formës më të prerë, zgjedhjet kanë certifikimin më të plotë në historinë e këtij vendi. Ata që nuk duan të pranojnë votën e shqiptarëve, kanë problem me veten e tyre, shqiptarët kanë votuar, zgjedhjet janë certifikuar, unë këto mund të theksoj dhe e theksova edhe dje. Në mënyrë kategorike vendimi i gjykatës nuk do të mund të përmbyset as nga ata që unë thashë dje, as nga ai, po u ngrit lugat për t’i ndihmuar. Të harrojnë se mund të bëhet kjo gjë”, garantoi më tej Kryeministri.