“Edi Rama ka mjaft kohë të mësojë nga dështimi”

Reagon anëtari i kryesisë në LSI, Dritan Ylli
Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideroi protestën tre ditore të PS si një dështim të rëndë për Edi Ramën në sytë e të gjithë shqiptarëve. Anëtari i kryesisë së LSI, Dritan Ylli, deklaroi dje se deklaratat haluçinante për pjesëmarrje të ëndërruar prej mijëra personash, por që nuk ishin aspak të verifikuara në shesh, nuk e mbuluan dot dështimin dhe falë medias të lirë dhe të pa censuruar nga Rama, shqiptarët nuk e patën të vështirë të vlerësojnë vetë se çfarë ndodhi në rrugën para Kryeministrisë.
“Edhe sondazhe serioze siç ishte ai i ‘Zërit të Amerikës’, ku 76 për qind të shqiptarëve ishin kundër protestës dhe bojkotit, është një dëshmi e qartë e refuzimit kategorik që shqiptarët ju bëjnë ekstremizmave anti-integrim. Butaforia e kësaj proteste, ku kauza e vetme është dhunimi i shtetit ligjor, përmes gjoja kërkesës për hapjen e kutive, e cila shkon në kundërshtim me ligjshmërinë e procesit, si rrjedhojë nuk përçoi një motiv frymëzues tek shqiptarët, të cilët janë dëshmitarë se Edi Rama vetë i hapi kutitë, vetë i numëroi ato dhe vetë i firmosi dhe i vulosi me 20 mijë komisionerët e tij”, u shpreh Ylli.
Sipas tij, e gjithë kjo është vetëm një përpjekje e marrë e tij, për të nënshtruar shtetin ligjor dhe pavarësinë e institucioneve. Ndaj, tha ai, qytetarët e refuzojnë mashtrimin e tij të sotëm, që është thjesht dhe vetëm në shërbim të interesave thellësisht personale të tij dhe të një klani të ngushtë klientelist që ka përreth.
“Dhe këtë e vërtetoi dukshëm, fakti që protesta degradoi në nivelin ku kishte më shumë çadra, kioska për qofte, stufa gazi dhe disa kioska për nevojë të tjera. Refuzimi ishte provë e qartë se shqiptarët nuk mbështesin antikauzat ekstremiste, që shkojnë kundër integrimit europian të Shqipërisë. Veçanërisht në këtë moment kundër procesit të liberalizimit të vizave. Ky refuzim i gjerë, është shprehja më e mirë e dëshirës së të gjithë shqiptarëve për integrim dhe jo për radikalizëm ekstremist, që përçon frymë të vjetër. Kjo frymë e vjetër u shfaq në mënyrë të trishtë nga përfaqësuesit më të vjetër, të politikës më të vjetër të Partisë së Punës”, deklaroi përfaqësuesi i LSI.
LSI dënon dhe abuzivizmin e bashkiakëve socialistë, të cilët në sytë e publikut shpërdorojnë administratën në varësi të tyre.
Lidhur me aspiratat e vendit drejt integrimit, Dratan Ylli nënvizoi se “procesi i integrimit europian dhe hapi i parë i madh i liberalizimit të vizave, është një proces i pandalshëm. Shqiptarët duan këtë dhe jo frymën destabilizuese, shqiptarët duan qetësinë dhe jo kaosin, shqiptarët kërkojnë një Shqipëri europiane dhe jo Republikën ish-komuniste të Edi Ramës. Shqiptarët duan stabilitet dhe respektimin e shtetit ligjor, dhe jo trille apo ëndrra për zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e ardhshme janë në vitin 2013, kështu që Edi Rama ka mjaft kohë për të mësuar nga dështimi i kësaj proteste dhe për të vënë një herë të vetme interesat e shqiptarëve, mbi të tijat personale”, deklaroi ndër të tjera, anëtari i kryesisë së LSI, Dritan Ylli.