E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokracia, komunizmi dhe retorika antikomuniste

Me rastin e risjelljes në Parlament të projektligjit për "pastërtinë e figurës" gjithë atmosfera publike shqiptare pati rastin edhe një herë të mbushet me një retorikë të spikatur antikomuniste. Kundër komunizmit pati rastin të ligjërojë sërish Berisha. Me argumentin "ti je vetë komunist" iu kundërpërgjigj Rama. Jozefina pati sërish rastin të lexojë një biografi të ndjerë të familjes së saj. Ndonjë ish-spiun u përpëlit gjatë në foltore të na kujtojë se spiunimi duhej ndëshkuar, por kjo nuk bënte që t‘i jepej përgjigje të persekutuarve. Ca të tjerë iu përvodhën diskutimit. Ndërkaq u risollën me shumicë skena të trishta persekutimi. Burgje. Ridënime. Thyerje kockash. Varre pa emër dhe të varrosur s‘dihet se ku. Të persekutuarit realë përgjithësisht nuk se u ndien dhe aq prezentë, ndërsa persekutorëve u shmangej përgjithësisht përmendja e emrit me përjashtim të rasteve selektive. U fol dhe flitet me preokupim për Kushtetutën, për ligjin dhe tejkalimin e tij. Për të drejtat e njeriut. U fol për lloj-lloj eksperiencash që përzgjidheshin konform interesit vetanak dhe eksperiencave personale me diktaturën. Dhe të gjitha bashkë mund të përmblidheshin nën një emër: retorikë boshe antikomuniste. Edhe pse shpeshherë ka qenë dhe është një retorikë e sinqertë dhe për pasojë edhe e respektueshme.

Ashtu sikundër e tha Ngjela, ishte e qartë qysh në krye të herës se paraqitja e projektligjit në fjalë kishte në themel të vet një "hile" në vetë ngjizjen e tij. Përveç faktit se ligji ishte përpiluar mbi bazën e interesave të ngushta transpartiake, ai ishte përpiluar në mënyrë të tillë që vetë Gjykata Kushtetuese ta rrëzonte, përderisa një pjesë e mirë e anëtarëve të kësaj gjykate do të ndiheshin të atakuar. Po kjo është një çështje tjetër që lidhet me natyrën bizantine të politikës shqiptare. Ajo që na intereson në këtë analizë është i ashtuquajturi antikomunizëm dhe specifikisht retorika antikomuniste nën strehën e të cilës janë futur djallëzisht shumë koncepte autoritariste dhe recidiva praktikash të pastra e thellësisht komuniste.

Tashmë është e qartë se këta tetëmbëdhjetë vjet të fundit retorika antikomuniste ka qenë një mburojë e mirë dhe shumë e leverdishme për shumëkënd që merret me politikë. Bëj siç ka bërë në kohën e vet Enver Hoxha, sillu si një Stalin i vogël lokal, shartuar me pashallëkun dhe tangërllëkun karakteristik ballkanik, dhe mjafton të deklarosh se je antikomunist (për pasojë je definuar "demokrat") dhe automatikisht e ke pastruar veten dhe je klasifikuar si demokrat. Në të vërtetë jo vetëm në politikën shqiptare, por edhe në mendimin shqiptar, shumë më tepër energji harxhohen për t‘i mbushur mendjen publikut se je antikomunist dhe shumë pak apo aspak që të vërtetosh se mendimi dhe aktiviteti yt është demokrat apo demokrat liberal, paçka se togfjalëshi i fundit është tejet i shpërdoruar në shkrimtarinë dhe ligjërimin politik publik shqiptar. Nuk është e vështirë të kuptohet se baza e këtij "keqkuptimi" është edhe në formimin e përgjithshëm politik, por më së shumti është një "taktikë" fitimprurëse që së pari e kryesisht lidhet me populizmin si një teknologji banale, por produktive që "mbledh" vota. Ndryshe nuk ka se si shpjegohet që edhe vetë Edi Rama, pavarësisht se është shefi i partisë më të madhe të së majtës shqiptare, ndihet thuajse i lumtur që të vendosë emrin e një figure të njohur antikomuniste shqiptare në një shkollë të kryeqytetit, por jo ta bëjë këtë për një figurë tjetër liberale të historisë sonë. Kjo ka bërë që shumë figura të së kaluarës të rivlerësohen vetëm e vetëm sepse kanë qenë antikomunistë, pavarësisht se mund të kenë qenë bashkëpunëtorë të pushtuesve, pavarësisht se mund të jenë paguar nga pushtuesit dhe të kenë një aktivitet të spikatur antishqiptar dhe thellësisht antidemokratik. Dhe u shkua deri atje sa jo një herë edhe diktaturat ushtarake antikomuniste të vendeve të tjera të justifikohen si demokratike, pikërisht në bazë të kësaj vije logjike të arsyetuari.

Lehtësia me të cilën kalohet nga gjendja komuniste në atë antikomuniste, në të vërtetë shpjegon se sa e vështirë dhe thuajse e papërballueshme është për mendësinë tonë të mbathur me lloj-lloj sektarizmash rrokja e koncepteve dhe e praktikave reale demokratike. Riciklimi i sloganeve dhe praktikave komuniste sot është i pranishëm gjithandej, veçse nën një vezullitje kallpe antikomuniste tashmë. Kjo bëhet me ç‘duket, ndaç për mungesë të kulturës politike të atyre që bëjnë politikë, ndaç edhe për mendësinë komuniste që është e pranishme gjithandej në popull dhe për pasojë kjo lloj politikëbërjeje gjen më lehtë jehonë dhe mbështetje ndër ta. Sepse është më e lehtë të riciklosh mendësinë komuniste bolshevike nën etiketën "vendos shumica e votuar nga populli", qoftë edhe kur kjo shumicë arrihet si pasojë e marrëveshjeve mes dy partive kryesore, sesa të zgjerosh liritë për të gjithë dhe të matësh shkallën e demokracisë me hapësirat që u ke dhënë minorancave jo vetëm politike. Sepse është tepër më e lehtë të shkatërrosh institucionet demokratike të partisë dhe t‘i zëvendësosh ato me kokulurit servilë, të zëvendësosh debatin me mitingjet propagandistike që mund t‘i quash po të duash edhe dialogë, të zëvendësosh produktet intelektuale të qendrave të specializuara dhe profesionale me të ashtuquajturat enciklika populiste, të zëvendësosh lirinë dhe të rikthesh frikën tradicionale ndaj "njëshit", të zëvendësosh kështu përfundimisht argumentin me urdhrin.

Më së miri, rikthimi në mendësitë dhe praktikat komuniste duken në konceptimin e administratës shtetërore. Të gjithë e kujtojmë atë kohë kur Enver Hoxha shpallte me krenari se njeriu i ri, para se të jetë specialist në profesionin e vet, duhet të jetë specialist i vijës së partisë. Ishte ky slogan i cili u shndërrua në fshesën e madhe që shkatërroi deri në qelizë profesionalizmin në administratën e asaj kohe dhe mbolli gjithandej militantizmin partiak. Po sot ç‘ndodh? Në emër të "pastrimit" të administratës nga kundërshtarët politikë, në emër "të zbatimit të programit qeverisës" për të cilin u votuam, gjithkush që vjen bën transfuzionin e plotë të administratës, nga ambasadorët e deri te pastrueset e shkollave. E njëjta dukuri ishte prezente edhe në projektligjin që përmendëm në krye të këtij shkrimi dhe që u bë shkak i gjeratores retorike antikomuniste për të cilën po flasim. Sipas kësaj logjike, më thoshte një ditë një miku im jurist, i takon që nëse vjen një ditë në pushtet Hysni Milloshi, të lirojë nga detyra të gjithë ata juristë që morën pjesë në gjyqet kundër anëtarëve të Byrosë Politike. E kjo është vallja që s‘mbaron dhe që e ka çuar në këtë derexhe nivelin e administratës publike, për pasojë edhe cilësinë e shërbimit të nënkuptuar ndaj qytetarëve. Ja ku arritëm në një rezultat të frikshëm: në emër pikërisht të antikomunizmit kemi ndërtuar partinë-shtet. Vetëm ka një ndryshim: kemi ndërtuar në të vërtetë dy parti-shtete që alternohen në mënyrë ciklike, sa herë që ndryshohet pushteti. Tezat e artikuluara nga Azem Hajdari në krye të herës për nevojën e respektimit të profesionalizmit dhe ato të Nanos të para do kohëve në lidhje me meritokracinë tashmë ngjajnë me ca relike të një kohe të perënduar. Të një kohe të perënduar si pasojë e keqkuptimit, sipas së cilit antikomunizmi është demokraci. Në të vërtetë jo domosdoshmërisht dhe jo mjaftueshëm….

Ndërkaq, retorika "antikomuniste" vazhdon…



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›