Elvir Muriqi: Do të dominoj me Uds
Elvir Muriqi do të kryqëzojë dorezat me Klinton Uds dhe në rast fitoreje do të ketë shansin të jetë sfidat për titullin botëror për peshat gjysmë të rëndë në versionin IBF. Dueli që do të zhvillohet më 14 shkurt do të vendosë edhe kampionin e Evropës në këtë version. Muriqi shprehet optimist, pavarësisht se kundërshtari ka avantazhin se ndeshet në vendin e tij, në Angli. "Do të shkoj atje dhe do të dominoj. Pranova të ndeshem për shumë pak para, vetëm për të realizuar ëndrrën time", deklaroi Muriqi. "Do të luftoj kundër boksierit më të mirë në botë në peshën gjysmë të rëndë, pikërisht në shtëpinë e tij dhe pa ndonjë përfitim financiar. Gjithçka e bëra që t‘i tregoj botës sesa vlej". Muriqi tregon se karrierën e filloi me synimin për të ndjekur gjurmët e Muhamed Alisë dhe Majk Tajson, idhulli i tij është Roi Xhons, por beson se Shugër Rei Robinson është më i madhi i të gjitha kohërave. Më tej ai shton: "Kur duelon me më të mirën ndien një kënaqësi të veçantë. Dua të jem nga ata boksierë që përballen me të mëdhenjtë e kohës sime. Sa për Klinton Uds, pavarësisht vlerësimit, mendoj se do të fitoj. Jam më i shpejtë, kam instinkte më të mira dhe më i talentuar se ai. Gjithashtu, godas fort. Por, arsyeja kryesore është se jam më i ri dhe më i uritur".