E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokratët e lënë jashtë listës: Do vijojmë luftën tonë

Nga Tema

Deputetët e djathtë, të lënë jashtë listës së Partisë Demokratike, deklarojnë se do vazhdojnë luftën e tyre, edhe pse nuk janë në lista. Një prej këtyre deputetëve, Preç Zogaj, thotë se ai është një ushtar i vjetër që nuk vdes kurrë. Zogaj thotë se këtë deklaratë e ka bërë vetë kryeministri, Sali Berisha.

“E kam refuzuar këtë zgjedhje të kryetarit të PD, Sali Berisha, si një zgjedhje të paarsyeshme që injoron lidhjet e mia të fuqishme njerëzore, shpirtërore dhe politike me Lezhën, si dhe kontributin tim si deputet i zgjedhur i PD në Lezhë.

Historia ime me Sali Berishën kështu është, herë ndahemi e herë bashkohemi. Është cituar dhe njëherë nga goja e tij, “ushtarët e vjetër që nuk vdesin kurrë” dhe unë jam tipik një nga ata ushtarët e vjetër”, - tha Zogaj.

Sami Gjergji, një emër, i cili ndodhej te të rrezikuarit në listën e PD, ka deklaruar se tërhiqet nga gara.

Sipas tij, në PD nuk po përfillen kontributet.

“Duke parë zhvillimet më të fundit politike, por edhe garimet brenda radhëve të PD, ku nuk jam ndjerë i vlerësuar, pasi kontributi im në këtë parti ka qenë në shkallën më të lartë, për këtë arsye deklaroj se kam marrë vendimin për t’u larguar nga kjo garë politike. Të jesh apo jo pjesë e parlamentit të Shqipërisë është bërë pjesë e debateve politike, por ajo që sot kërkohet është vlera e vërtetë ose kontributi real, por, kur kjo nuk vlerësohet apo anashkalohet, arrihet deri në dorëheqje”, - tha Gjergji.

Më i ashpër ka qenë Aleksandër Biberaj që ka akuzuar se me listën janë bërë afera. Por ai megjithatë ka deklaruar se nuk do të largohet nga PD, por do vazhdojë luftën për demokratizimin e kësaj partie.

“Procesit të hartimit të listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit i ka munguar plotësisht transparenca, pasi për hartimin e saj nuk është marrë mendimi i bazës, si dhe nuk janë respektuar forumet dhe statuti i PD. Gjithashtu, në hartimin e listës nuk janë pasur parasysh dhe respektuar vlerat dhe kontributet e kandidatëve.

Ka një frymë të theksuar klienteliste dhe klanore në hartimin e kësaj liste. Me sa duket, lidershipi i PD është kujdesur më shumë për të mbajtur kontrollin e grupit dhe partisë pas zgjedhjeve, sido që të jetë rezultati i tyre sesa për të pasur një listë përfaqësuese dhe dinjitoze, me qëllim fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit”, - tha Biberaj.

Ai shtoi se është e turpshme që nuk përfillet grupi parlamentar në lista, i cili në realitet ka qenë korrekt dhe i disiplinuar.

“Grupi parlamentar ka qenë grup i disiplinuar dhe nuk është korrekte që pothuajse gjysma e tij është lënë jashtë listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit. Deputetët e grupit parlamentar kanë dhënë kontributin e tyre për suksesin reformave në vend në këto katër vite. Në historinë e pluralizmit nuk ka pasur një grup më të disiplinuar sesa ky aktuali për sa i përket vendimmarrjes politike.

E gjej veten të dobishëm brenda PD, me qëllim vazhdimin e misionit të filluar në Dhjetorin ‘90 dhe do të startoj betejën për demokratizimin, emancipimin, reformimin dhe modernizimin e PD, pasi kjo parti ka bërë shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët, përbën një vlerë dhe pasuri për vendin, e cila nuk duhet lënë të zhvlerësohet në tregun politik”, - tha Biberaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›