E Shtunë, 31 Tetor 2026

A e vranë Hysen Myshketën grabitësit e tokës?

Nga Bashkim Kopliku

Në shkrimin e datës 2.5.2009, në “Bulevard”, me titull “Durrsakët, kundër grabitjes së tokave”, ndër të tjera kërkonim që ndokush të hidhte dritë mbi dyshimin që vijon: A mos avokat Hysen Myshketën e vranë grabitësit e tokave publike, në vitin 1943, duke përdorur dorën e komunistëve?

Në mes shumë e-mail-eve që kanë arritur në adresën time, ia vlen të sjell këtu një dëshmi shumë interesante, që e kishin gjetur në kontaktet në internet. Dëshmia është e Mërgim Korçës, inxhinier që ka punuar për disa vjet edhe në Durrës. Zoti Mërgim është i biri i Xhevat Korçës, një personalitet i shquar shqiptar, i cili ka qenë edhe ministër në kohën kur është vrarë av. Myshketa.

Ja dëshmia:

“Hysen Mushketën njësiti gueril e plagosi, nuk e vrau në atentat. Miqtë e avokatit, ish-kryeministri Mustafa Kruja dhe ish-ministri Xhevat Korça, e morën menjëherë dhe e shtruan në Spitalin e Tiranës, nga frika se mos atentatorët ktheheshin dhe e vrisnin, nëse do të lihej në Spitalin e Durrësit.

Por as në Tiranë nuk e mbrojtën dot avokatin. Në Tiranë i vete një infermiere dhe i jep një gotë me qumësht edhe largohet. Sapo e piu qumështin “me strikninë”, Hysen Mushketa hyri në kriza abdominale (dhimbje barku etj.) dhe vdiq.

Në Durrës, para Bashkisë u mbajt mitingu i përmotshëm ku folën si Mustafa Kruja, si dhe Xhevat Korça. Pas mitingut, gjatë kthimit për në Tiranë, Xhevat Korça i tha Mustafa Krujës: “Kurrë nuk e kisha pritur që komunistët të qëllonin mbi Mushketën e shkretë. Nuk e kuptoj se ç'patën me të: Ai veç një mirëbërës i qytetit ishte!”

Ja pra që dyshime që vrasja ka qenë jo e zakonshme, paska pasur që atëherë.

Gjithsesi, presim se si do të reagojnë durrsakët që mund të dinë hollësi të tjera.

“Bulevard”, 19.5.2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›