E Diel, 1 Nëntor 2026

“Lista Rama”, gjithçka ose asgjë

Nga Mero Baze

Partia Socialiste bëri sot publike listën me 140 kandidatët për deputetë që do të konkurrojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. Lista në tërësi respekton prirjen e zotit Rama për të ndryshuar ekipin e vjetër të Partisë Socialiste, duke krijuar jo pak shqetësime në bazën tradicionale të partisë. Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste duket se reflektojnë prirjen e kryetarit të kësaj partie për të ndryshuar tërësisht ekipin drejtues të saj. Përveç disa emrave të vjetër me ndikim në këtë parti, Rama thuajse ka zgjedhur të konkurrojë me një ekip tërësisht të ri, i cili do të jetë një sfidë e fortë për opozitën në këto zgjedhje. Nëse i hedh një vështrim të shpejtë listës, shihet qartë se ajo ka dalë, jo vetëm nga nevoja për ndryshim e zotit Rama, por dhe nga nevoja për të fituar shpesh me çdo çmim. Pavarësisht kritikave publike, zoti Rama nuk ka shmangur nga lista biznesmenë apo një rreth të ngushtë të njerëzve të afërt të tij, të cilët shfaqen për herë të parë në politikë. Një nga defektet themelore të listës duket se shfaqet në qarkun e Durrësit, ku përveç dy emrave të parë lista është një kombinim pa shumë vlera i biznesmenëve dhe njerëzve të vjetër të PS. Për t’u parë mbetet dhe lista e PS në Lezhë dhe ndoshta në Elbasan, ku shpesh janë neglizhuar emrat e njohur të Partisë Socialiste.

Por lista duket mjaft e fortë dhe solide në qarqet kryesore të vendit, si Korçë, Fier, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër. Kombinimi i figurave të njohura të partisë me emrat e rinj është normal dhe duket se garanton një rezultat pozitiv.

Lista e Tiranës, e cila mbetet dhe më e debatuara, është një kombinim i deputetëve tradicionalë me emra të rinj. Lista udhëhiqet nga kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, por mbushet më tej dhe me emra biznesmenësh dhe njerëz të njohur si rreth i afërt i zotit Rama. Siguria e zotit Rama për avantazhin që ka ndaj Berishës në Tiranë duket se e ka trimëruar për të bërë një listë sa më pak politike, por kjo do t’i kërkojë përkushtim politik për ta mbajtur vetë peshën e fushatës.

Lista u bë publike pas vëmendjes së madhe që mori në opinion shfaqja e ish-kryetarit, Fatos Nano, i cili sulmoi ashpër politikën e re të zotit Rama dhe mënyrën se si e drejton ai Partinë Socialiste. Zoti Nano paralajmëroi humbjen e PS me këtë ekip, dhe vlerësoi haptazi arritjet e qeverisë. Me gjithë pritshmërinë e lartë, shfaqja e tij publike nuk e ka dëmtuar zotin Rama, për shkak të gjuhës së ashpër që ai përdori kundër tij dhe notave pozitive për qeverinë. Mbi të gjitha zoti Nano nuk arriti të përdorte me efikasitet pozicionin e tij të margjinalizuar nga PS, dhe të rikthente kështu vëmendjen tek ish-njerëzit e tij në PS. Duke heshtur për Gërdecin dhe aferat e tjera korruptive të qeverisë dhe duke paralajmëruar humbjen e partisë së tij, Nano më shumë iu ka kujtuar socialistëve shfaqjen e tij publike në vitin 2007 krah Berishës sesa pozicionin e tij kundër Ramës.

Së fundmi, nëse mundohesh t’i gjesh një emërues të përbashkët kësaj liste, njësoj si në rastin e Berishës, mund të thuhet se është një listë besnike e Ramës, e cila i siguron atij kompaktësinë e grupit në çfarëdo rrethane. Gjëja më pozitive për të ardhmen politike të PS janë emrat e rinj që zoti Rama kërkon të promovojë përmes kapitalit politik të PS, por në të njëjtën kohë është për t’u parë raporti që ata krijojnë mes të ardhmes politike të PS dhe rrezikut elektoral të momentit. Për të gjithë ata që thonë se Rama nuk po riskon në këto zgjedhje duke ruajtur dhe postin e kryetarit të bashkisë, duhet kujtuar se Rama po riskon të fitojë gjithçka ose asgjë me këtë listë, me të cilën po konkurron.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›