Punonjësi i Gërdecit: Si ndodhi shpërthimi
Një nga punonjësit e Fabrikës së Vdekjes, Hekuran Kaca, zbardh në dëshminë e tij disa të dhëna për shpërthimin në Gërdec. Hekurani ka humbur gruan e tij në këtë ngjarje.
Cila është përbërja juaj familjare dhe sa kohë keni që jetoni në adresën e mësipërme?
Unë kam qenë i martuar me Zelie (Grica) Kaca, e cila nuk jeton më, pasi ka vdekur si rezultat i plagëve të marra nga ngjarja e shpërthimit të fabrikës së çmontimit të predhave më datën 15/03/2008, në Gërdec. Nga martesa me Zelien kam dy fëmijë.
Ku ndodheshit ju më datën 15/03/2008, ditën e ngjarjes së shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec? Në ç'rrethana u njohët me ngjarjen e mësipërme? Si ndodhi ajo? ǒdini për shkakun e shpërthimit të fabrikës? Sa larg vendit të ngjarjes u ndodhet ju ditën e ngjarjes? A keni pasur familjarë apo të afërm të familjes të punësuar në këtë fabrikë dhe cilat kanë qenë dëmtimet fizike apo materiale që familja juaj pësoi nga kjo ngjarje?
Ditën e ngjarjes unë ndodhesha në fabrikën e çmontimit të predhave së bashku me Zelien (gruan), ku aty ishim të punësuar si punëtorë që prej një muaji. Ditën e ngjarjes unë ndodhesha duke punuar te sheshi përpara fabrikës dhe grupi im përbëhej prej meje, Zelies (gruas), Shefki Canit dhe Bukurie Canit, këtë të fundit gruaja ime e ka gocë dajë. Pranë meje atë ditë ishin duke punuar edhe grupet e tjera, si ai i Zelije Letit, në përbërje të së cilit ishin dhe Shkëlqim Prini, Blerta Prini dhe Luli Sula. Grup tjetër ishte ai i Jetmir Deliut, në të cilin punonin edhe Korre Deliu e Adelina Cani. Kujtoj gjithashtu se aty ndodhej dhe grupi i Qemal Mememes, ku së bashku me të në grup ishin edhe Azem Hamolli dhe Rexhep Ruci. Gjithashtu kujtoj se pranë grupeve tona ndodheshin edhe grupi i Homet Azizit, Nikolin Azizit dhe dy specialistët, Viktor Nikolli dhe Zylfi Ahmeti. Ngjarja ka ndodhur diku rreth orës 11:55 dhe që të gjitha grupet filluan të merren me transportin e barutit, pasi u dha urdhër që baruti duhej të transportohej përpara se të fillonte pushimi për ngrënien e drekës. Kujtoj se atë ditë kanë qenë mbi 20 (njëzet) grupe duke punuar në sheshin përpara fabrikës, ku çdo grup përbëhej prej 3-4 persona. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të grupit tim dhe të tre grupeve që përmenda më sipër, ku nga të tri grupet, si dhe ai i dy specialistëve që ndodheshin aty pranë, pati më shumë viktima.
Në lidhje me momentin që ra flaka dua të sqaroj se atë e kam parë të ndizet poshtë një karroce të ngarkuar me dy thasë baruti. Fillimisht flaka lindi poshtë kësaj karroce dhe më pas ajo u zhvillua dhe përfshiu të gjithë ambientin. Karroca ku ra flaka gjendej rreth 3-4 metra mbrapa shpinës time dhe më duket se ajo i përkiste grupit të Azem Hamollit, pasi ajo gjendej pranë këtij grupi. Dua të sqaroj se grupi im ndodhej në sheshin përpara ndërtesës së fabrikës, pikërisht rreth 10 m larg portës së rrethimit të atij sheshi, portë e cila ndodhej në drejtimin e hyrjes kryesore të postbllokut të repartit. Pikërisht në këtë drejtim të kësaj porte unë kisha përpara grupin e Azem Hamollit dhe atë të Korre Deliut, ndërsa nga krahu i tjetër i sheshit, përpara ndërtesës së fabrikës, unë kufizohesha me grupin e Zelije Letit. Sapo kam parë flakën, unë menjëherë i kam thirrur gruas në emër që të largohej prej andej, pasi zjarri po merrte përmasa në rritje të menjëhershme. Jam larguar në drejtim të kundërt me zjarrin, duke hyrë te porta e ndërtesës së fabrikës dhe duke dalë nga porta tjetër e saj dhe më pas kam marrë drejtimin për në thellësi të repartit, andej nga ishin dhe kontejnerët e barutit. Unë nuk mund të largohesha nga ana e postbllokut, pasi nuk më lejonte flaka që mori përmasa të mëdha dhe më pengonte kalimin. Në momentin që unë konstatova flakën, isha duke ngarkuar karrocën me thasë me barut dhe ndodhesha në korridorin e rrugës, që ishte krijuar në sheshet ndërmjet rreshtave, ndërsa gruaja ime ndodhej duke nxjerrë barut nga gëzhojat dhe ajo ka qenë e izoluar nga baruti dhe gëzhojat dhe e ka pasur të vështirë largimin, pasi rrugën ia kishte bllokuar flaka. Gjatë momentit të largimit dëgjoja shpërthime dhe kur kam mbërritur në majën e kodrës, kam dëgjuar një shpërthim të fortë, i cili më ka rrëzuar në tokë.
Më pas jam ngritur dhe kam vazhduar të largohem për në drejtim të kodrave, që të nxirrnin diku nga Fushë-Kruja. Në momentin që kam mbërritur diku pranë shkollës së Gërdecit, kam dëgjuar shpërthimin e dytë, i cili ishte më i fuqishëm se i pari, por që unë dhe personat që ishin me mua nuk pësuan ndonjë dëmtim, sepse ishim larg rrezes së veprimit, pasi e pengonin kodrat. Kam vazhduar rrugën, së bashku me rreth 20- 30 persona të tjerë, duke dalë në një fshat, emrin e të cilit nuk e kujtoj, ku aty kemi hipur në një makinë dhe kemi shkuar në Vorë. Aty jam interesuar për nusen, se mos ajo kishte ardhur e plagosur dhe më pas jam nisur në Spitalin Ushtarak, për të mësuar se mos ajo ndodhej atje. Te spitali kam qëndruar deri në mesnatë dhe më pas kam shkuar te shtëpia ime në Muçaj-Vorë. Te shtëpia jam takuar me pjesëtarët e familjes, ku aty mësova se Haxhiu (vëllai) dhe nusja e tij, Fitorja, kishin mundur të shpëtonin dhe gjatë largimit kishin marrë plagë të ndryshme djegieje, në pjesë të ndryshme të trupit, për të cilat kishin marrë mjekim te Spitali Ushtarak. Të nesërmen kam shkuar te zona afër ngjarjes, por nuk kam mundur të futem, pasi nuk më ka lejuar policia. Edhe gjatë kësaj dite nuk arrita të mësoja gjë për nusen dhe më datën 17/03/2008 kam hyrë te vendi i ngjarjes dhe atje kam arritur të përcaktoj vendin e saktë të punës ku punoja, ku aty, atë ditë u gjetën katër kufoma, nga të cilat atë ditë u identifikua vetëm ajo e Homet Hazizit. Mbas 8 (tetë) ditësh u identifikuan edhe kufomat e Bukurie Canit, Shefki Canit dhe gruas time, Zelije Kaca, ku dy të fundit u identifikuan nëpërmjet analizave të ADN. Dua të sqaroj se nga ngjarja e mësipërme pësuan më shumë dëmtime grupet që përmenda më sipër, sepse ata ishin afër me vatrën ku u ndez baruti. Pra, Zelije Kaca (gruaja), Bukurie Cani (goca e dajës së gruas) Shefki Cani (burri i Bukuries), Korre Deliu, Jetmir Deliu, Azem Hamolli, Zelije Leti, Homet Hazizi dhe specialisti Zylfi Ahmeti ishin personat që kufizoheshin me vatrën ku lindi zjarri. Nga ngjarja e mësipërme humbën jetën Zelie Kaca (gruaja), kushërira e gruas, Bukurie Cani, së bashku me burrin e saj, Shefki Cani, pësuan dëmtime Fizike, Haxhi Kaca (vëllai), së bashku me gruan e tij, Fitore Kaca, Ylber Dova (djali hallës), së bashku me gruan e tij, Lirie Dova, Myslym Dova (djali hallës), së bashku me gruan e tij, Flora Dova dhe Arben Dova (djali hallës), së bashku me gruan e tij, Besa Dova.
Cila ka qenë mënyra e punësimit tuaj dhe Zelijes (gruas) në ndërmarrjen e firmës “AlbaDemil”? Çfarë procedurash keni kryer për punësimin? Me kë keni kontaktuar? Si është vepruar? A keni firmosur ndonjë kontratë punësimi? Nëse po, kur, ku dhe kush ka qenë personi, me të cilin keni kontaktuar dhe sa ka qenë koha e punës që ju keni punuar?
Duke qenë se, si unë, edhe gruaja ishim të papunë, menduam që të punësoheshim te firma “AlbaDemil”, që kryente aktivitetin e saj të çmontimit të predhave në Gërdec, aktivitet të cilin ajo me predhat e kishte filluar në janar të vitit 2008. Ne, duke parë se ajo firmë kishte nevojë për fuqi punëtore, kemi shkuar së bashku te firma dhe kemi marrë takim me një drejtuesin e saj, Dritan Minxollin. Tanit i parashtrova nevojën time për punë, ku ai pranoi, duke më thënë se mund të filloja që të nesërmen. Kujtoj se me të nuk kam bërë ndonjë bisedë në lidhje me kushtet e punës apo pagës, sepse atje ishte njëlloj për të gjithë. Të nesërmen kam filluar punë së bashku me gruan, ku kujtoj se ka qenë data 15/02/2008.
Për punësimin tim dhe të gruas nuk kam firmosur ndonjë kontratë punësimi. Kisha dëgjuar se kjo firmë gjatë vitit 2007 ishte marrë me çmontimin e fishekëve dhe në vitin 2008 po merrej me çmontimin e predhave. Në këtë punë, si unë, edhe gruaja jemi paguar vetëm një herë. Puna në këtë firmë ishte me normë, ku norma për grup ndryshonte në bazë të kalibrave të predhave. Puna çdo ditë fillonte në orën 08:00 dhe përfundonte në orën 16:30, por kishte raste që punohej edhe me orë të zgjatura. Gjatë javës nuk bëhej ndonjë pushim. Në fundjavë puna kryhej pa ndërprerje çdo ditë. Në këtë firmë unë si drejtues të saj njihja Dritan Minxollin, njihja Veiz Muçon ose siç e thërrisnin “Vangjelin”, ku ky ishte tip brigadieri dhe mbante shënim ditët dhe normën e punës. Po ashtu kam njohur Endri Dvoranin, ku edhe ky ishte tip përgjegjësi për grupin e grave që lanin gëzhojat. Që të tre këta persona i shikoja, se vinin në punë për çdo ditë. Po ashtu, njihja se presidenti i kësaj firme ishte Mihal Delijorgji, të cilin e njihja vetëm si emër.
A bëhej trajnimi i punëtorëve për punën që do të kryenit në fabrikë? Nëse po, ku, kur dhe kush i bënte këto trajnime dhe cila ishte puna që kryenit?
Unë nuk kam parë në ndonjë rast që të bëhej trajnimi ynë për punën që do të kryenim. Kujtoj se në mëngjes, pasi hynim në fabrikë, Veizi na rreshtonte të gjithëve përpara rreshtave të arkave me predha dhe ndante punën e çdo grupi, sipas stivës së arkave me predha që ishin shkarkuar në sheshin përpara fabrikës. Gjatë ndarjes së punës, Vangjeli na kërkonte të ishim të kujdesshëm me djegoret dhe predhat e montuara me djegore. Proceset e punës që ne kryenim ishin hapja e arkave me leva, dara, pinca, heqja prej arkave e predhave, gëzhojës dhe djegoreve; nxjerrja e barutit nga gëzhoja; transporti i barutit, gëzhojave, predhave dhe arkave boshe.
A kishte ndërmarrja rregullore të sigurimit teknik, me të cilën bëhej instruktazhi i specialistëve apo punëtorëve gjatë procesit të demontimit?
Po, zakonisht bëhej instruktazh, ku përpara procesit të punës që do të kryenim, sipas kalibrave dhe llojeve të predhave, Veizi dhe specialistët që ishin diku 6-7 persona, na tregonin për kujdesin që duhej të tregonim gjatë punës, ku na qëndronin te koka dhe na mbanin në mbikëqyrje që të mos gabonim.
A kishte pajisje kundër zjarrit fabrika? Nëse po, çfarë pajisjesh ishin, ku ishin të vendosura dhe a është bërë ndonjë trajnim apo instruktazh i veçantë për përdorimin e tyre?
Gjatë kohës që kam punuar në atë fabrikë, kam parë se kishte pajisje kundër zjarrit, të cilat ishin vendosur te pjesa e brendshme e ndërtesës së fabrikës. Nuk kam parë pajisje të tjera dhe nuk kam dijeni se si përdoren ato në rast zjarri. Nuk na ka bërë ndonjëri instruktazh lidhur me përdorimin e tyre.
A keni konstatuar raste të rënies së zjarrit në fabrikë? Nëse po, si është vepruar për fikjen e tyre?
Nuk kam konstatuar asnjë rast të rënies së zjarrit në fabrikë për kohën që unë kam punuar.
A keni konstatuar raste të dëmtimit të punëtorëve gjatë procesit të punës? Nëse po, ç'raste kujtoni dhe cilët kanë qenë punëtorët dhe dëmtimet e tyre?
Po, di se gjatë procesit të punës, shpeshherë ka pasur raste që punëtorët dëmtoheshin gjatë procesit të punës. Njëri nga këta persona jam edhe unë, ku kam pësuar dëmtim të dorës së majtë gjatë kohës që po ngarkoja kovën e fadromës me predha. Njëra prej tyre më zuri dorën, duke ma gjakosur atë. Raste të dëmtimit të punëtorëve me predha ose me arka kishte pothuajse çdo ditë. Po ashtu, di se është dëmtuar edhe Fitore Kaca (nusja e vëllait), së cilës i ka rënë nga dora predha duke i shkaktuar dëmtim dhe gjakosje të këmbës, dëmtim për të cilin ajo ka qëndruar 4 (katër) ditë në shtëpi. Po ashtu, kam dëgjuar se është dëmtuar në këmbë edhe Qemal Mema, ku në këtë rast unë nuk kam qenë në punë, por këtë gjë e kam mësuar nga punëtorët e tjerë. Di se për dëmtimin e tij te këmba ai ka qëndruar afërsisht një muaj në shtëpi.
A keni parë apo dëgjuar që në repartin e Gërdecit apo reparte të tjera të firmës të jenë paketuar fishekë të kalibrit 7.62 mm në arka kartoni? Nëse po ç’dini rreth tyre?
Nuk kam dijeni për ndonjë proces të tillë pune.
ǒmendoni ju, cili është shkaku i ndezjes së flakës poshtë karrocës?
Nuk kam dijeni se kush ka qenë shkaku, por kam parë se karroca ishte e ngarkuar me dy thasë baruti dhe sipër saj po ngarkoheshin thasë të tjerë nga ana e grupit të Azem Hamollit.
Cila ishte sasia e barutit në fabrikë ditën e ngjarjes dhe në çfarë ambientesh gjendej ajo atë ditë?
Kujtoj se atë ditë në të gjithë sipërfaqen e sheshit prej betonit përpara fabrikës, ishte grumbulluar baruti që punëtorët kishin nxjerrë atë ditë nga gëzhojat. Mendoj se atë ditë, te sheshi i betonit ka pasur mbi 1000 (një mijë) thasë baruti, ku çdo thes ishte i ngarkuar me një sasi mbi 25 kg thesi. Po ashtu, thasë me barut kishte edhe në pjesën e brendshme të ndërtesës së fabrikës, sasinë e tyre nuk jam në gjendje ta përcaktoj, por di të them se në ato momente, të gjitha grupet kishin futur brenda në ndërtesën e fabrikës dy ose tri rrugë me karroca të ngarkuar me thasë baruti.
Cilat ishin makineritë dhe mjetet e punës që ju keni përdorur gjatë procesit të punës në fabrikës?
Gjatë procesit të çmontimit të predhave unë nuk kam fiksuar ndonjë makineri që të bënte çmontimin e tyre. Kam parë se për një lloj kalibri predhe, çmontimi i tyre bëhej në një mur betoni, veprim që kryhej çdo ditë nga ana e Ylber Doves, Lirie Doves, Myslym Doves, Flora Doves dhe specialistit me emër Petrit, mbiemrin e të cilit nuk e di. Si mjete pune nga ana jonë përdoreshin leva hekuri për hapjen e arkave, çekiç, pinca, sqepar, brisqe për prerjen e penjve të thasëve, ose të qeseve të barutit, kur i nxirrnim nga gëzhoja, karroca me një gomë ose me katër rrota metalike, që përdoreshin për transportin e baruteve, gëzhojave, predhave.
A dëmtoheshin karrocat gjatë procesit të transportit? Nëse po, në ç'pjesë të tyre? Cila ishte mënyra e riparimit? Në ç'vend bëhej ai dhe kush e bënte këtë riparim?
Po, në disa raste karrocat dëmtoheshin gjatë transportit te pjesa e bishtit, pra ai këputej në pjesën fundore të tij, ku ai ishte i ngjitur me bazamentin mbajtës. Nuk kam dijeni se ku saldoheshin ato apo kush ishte personi që i riparonte.
Çfarë bëhej me produktet arka druri, letër, tel, djegore, predha, parafina etj?
Për produktet e mësipërme di se të gjitha ato grumbulloheshin veçmas, sepse thoshin se ato shiteshin të gjitha. Nuk kam dijeni për destinacionin ku dërgoheshin.