Flamuri lexon letrat anonime për kandidatët
Flamuri u fsheh dje gjithë ditën. Reagimet e ashpra për listën e kandidatëve për deputetë si zakonisht zbrazen tek ai. Reagimet e para vinin nga Lezha. Njëri thoshte që Gjok Uldedaj paska paguar pará të mëdha te Jozefina për t’u bërë deputet, pasi paska bërë cisterna pa leje me naftë në Shëngjin që mund të rrezikojnë portin, dhe ka hyrë në kredi që s’i shlyen dot. Kështu që iu dashka imuniteti i deputetit. Dhe meqë në Lezhë s’e votojnë, Jozefina i paska premtuar në Shkodër. Kjo e tërboi shumë Flamurin, pasi për lekë ai s’lejon askënd të përzihet në PD. Vazhdonin reagimet dhe për Sterkajn, po atyre nuk ua vinte veshin. I kishte dhënë fjalën ai burri, që kur hoqën Nard Ndokën nga qeveria, që do ta bëjë deputet dhe do ta bëjë. Kishte nga ata që i kujtonin Paulinit që kishte sharë doktorin nga fëmijët në Kuvend, dhe që doktori e kishte sharë “bir bushtre”, por këto Flamuri nuk i lexonte.
- Ne jemi qeveri e burrave dhe grave të fjalës së mbajtur, - i sqaronte militantët. - I dhamë fjalën, do ta mbajmë.
Por ishte një djalë i vogël që nuk i ndahej. “Jam ai i Rrugës së Kavajës, - i thoshte, - që na rrahu Paulini në mesnatë duke ngjitur posterat e Olldashit. Ju më thatë do ta fusim në burg, tani na e bëni deputet.”
- Ashtu ishte ajo kohë mixhë, s’kemi ç’i bëjmë tani, na lë rehat, - i tha Flamuri.
Nga Lezha vërshonin sërish letra për Mark Markun. Njëra më e poshtër se tjetra. Një drejtues i PD i Rrëshenit thoshte se i ka kërkuar doktorit ta bëjë diçka këtë Markun më 2005-ën, dhe i ka thënë: “S’i ka “letrat” në rregull”. Tani si qenka pastruar?!
- Do jenë ngatërruar, - i tha Flamuri, - se ka shumë Mark në Mirditë. Duke qenë se ka shumë Mark Marku, e ngatërrojnë një herë me kriminelë, një herë me spiunë. Por nuk është i njëjti, - tha Flamuri.
- Epo shyqyr, mor burrë, - tha mirditori, - se thashë mos është njai që ka qenë me Edi Ramën kundër Sokol Olldashit në shkurt të vitit 2007. E kam pa gjithë ditën te Top Channel duke sha Berishën dhe Olldashin, e duke mbrojtur Ramën. Thashë se asht ai. Nëse nuk është ai, në rregull është puna.
Flamuri këtu u vu pak në siklet, se në fakt i njëjti është, por nuk ia zgjati.
- S’di ç’të të them, - i tha. - Ka shumë Mark Marku. Ky që kemi ne është i mirë, nuk është as spiun, as kriminel, as me Edi Ramën. Me të kaluarën nuk merremi më, - tha.
Mirditori mori frymë i lehtësuar.
- Për këtë desha të sqarohem, - tha, - se është ngritë krejt Rrësheni në këmbë.
Një tjetër letër e fortë nga Laçi. Flisnin për atë gruan me mbiemër Hoti. E paskësh ndihmuar shoferi i prokurorit të Laçit me shku në shkollë me korrespondencë në Shkodër, e pastaj qenka bërë dhe pedagoge, e tash brenda muajit dhe zëvendësministre dhe deputete. Reaksion i madh dhe për këtë.
Flamurin e zuri koka.
- Kush merret me gjithë këto letra anonime, - tha. - Le të merret Edi Paloka, - tha, - ai e ka zonën e vet.
Por, sa preku zarfin tjetër, pa dialektin e Kukësit. Një mijë të shara për të.
“Thuhet që PS ka paguar të vijë Flamur Noka këtu, se kërkon dy deputetë”, - fillonte letra.
- Po ku ka paguar mor pis, tha Flamuri me vete, tek unë do paguanin? Ku ta gjej që dhe të marr ndonjë lek, dhe të bëhem deputet. Mashtrues, tha me vete. Nuk e di që dhe letra tek unë vjen. Mendon se shkon tek ai burri. I hodhi poshtë dhe zarfet e Kukësit. Vazhdonin më poshtë të Dibrës. Ankesa të forta për Gjanën, pse ka shkuar në Dibër. E vlerësonin atë Shehun si zv/ministër, po thoshin që nuk e njohim. I hodhi poshtë dhe ato. Me siguri na i dërgon ai Sali Shehu, tha me vete.
S’dinte çfarë zarfi të hapte. Ishte një shkrim me kompjuter.
- Ta hap këtë, tha me vete, se duket si zarf nga qyteti. E hapi, ç’të lexonte. Dukej që ishte një nga këshilltarët e atij burrit. Ankohej si kishte ngelë jashtë liste Juela Meçani, Zana Guxholli, Petraq Milo, si ishin tallur me Glorin e shkretë dhe mbi të gjitha si kishin lënë jashtë liste Bledin e RD dhe kishin futur Altinin e KKRT që s’kishte aq shumë kontribute.
- Ou, tha me vete. Qenkan bërë grup këta dhe paskan bërë letër kolektive. Dua t’i gjejmë kë kanë shef, se qenkan të rrezikshëm për atë burrin. E la si shënim në tavolinë këtë detyrë.
Dhe hapi zarfin e fundit, vinte nga Gjirokastra. Ishte një këngë për Genc Rulin.
Fati sërish na e pruri,
Të jetë i vetëm Genc Ruli,
Punoi për këtë ditë,
Katër vjet nuk i pamë sitë.
- Injorant, tha Flamuri. Sytë e shkruan sitë. Dashkan dhe të ankohen. Mirë e kanë dhe katër vjet të tjera. E mbylli zyrën dhe iku i turbulluar. E kishin zënë letrat. S’kishte më fuqi të lexonte.