E Diel, 1 Nëntor 2026

Demokratët, festë dhe zgjedhje

Festë, por edhe zgjedhje. Kuvendi i Partisë Demokratike që do të mbahet sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, përveç zgjedhjes së kreut të ri të partisë dhe 100 anëtarëve të Këshillit Kombëtar, do të jetë edhe një demonstrim i fuqishëm i mazhorancës qeverisëse, e cila do të festojë edhe ditëlindjen e Partisë Demokratike (edhe pse me tri ditë vonesë) bashkë me 1260 delegatët e ardhur nga e gjithë Shqipëria. Axhenda e Kuvendit të sotëm që do të transmetohet për dy orë live nga Pallati i Kongreseve, prej orës 10:00 deri 12:00, ka të planifikuar fjalimin apo raportin e kreut të PD-së, Sali Berisha, fjalët e dy nënkryetarëve: Jozefina Topalli e Astrit Patozi, si dhe të Sekretarit të Përgjithshëm, Ridvan Bode. Pas mesditës do të nisë procesi i punës së Kuvendit, ku si rend dite ka miratimin e ndryshimeve statusore në PD, të cilat do të prezantohen nga kreu i komisionit të ndryshimeve në statut, Ridvan Bode. Pas kësaj pike nis zgjedhja e kryetarit të ri të Partisë Demokratike, nga 1260 delegatët e Kuvendit. Sipas të gjitha gjasave pritet që për kryetar nuk do të ketë kandidatura alternative, përveç Berishës. Këtë gjë e ka deklaruar edhe kreu i grupit parlamentar, Astrit Patozi, i cili këtë e ka justifikuar me fitoren e PD-së në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Bashkë me zgjedhjen e kryetarit, delegatët e Kuvendit të PD-së do të zgjedhin edhe 100 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, organ që përbën "legjislativin" e selisë blu. Pikërisht kjo pikë pritet të jetë një proces më i gjatë dhe i komplikuar. Janë 400 kandidatë që kanë prezantuar kandidaturat në filtrat përkatës të selisë blu. Zgjedhja dhe numërimi i votave mund të shkojë deri në mëngjesin e nesërm, apo ndoshta edhe në mesditë. Këshilli Kombëtar është i rëndësishëm, pasi do të jetë kjo strukturë që do të zgjedhë kryesinë e PD-së, që është dhe kupola drejtuese deri në Kuvendin e ardhshëm që do të mblidhet pas katër viteve. Ndryshimet statusore të PD-së janë bërë për t‘iu përshtatur strukturave të Partive Popullore Europiane. Thelbi i këtyre ndryshimeve është fokusimi i forcës politike në një parti më shumë elektorale, sesa territoriale, pra që funksionon kryesisht për zgjedhje dhe sipas organizmit elektoral në bazë qarqesh. Aktualisht PD ka funksionuar me degë dhe nëndegë.

Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›