Demokratët mbështesin protestat në Wall Street

Grupi demokrat në Kongres njoftoi mbështetjen e tij për lëvizjen, përmes një porosie të dërguar me email dhe Twitter.
Ndërsa grupi kundër tatimeve, Tea Party Express, i quajti krahasimet mes këtij grupi dhe protestave si “fyese”.
Kryetari i bashkisë së New Yorkut, Michael Bloomberg, deklaroi se demonstruesit mund të qëndrojnë në qytet për sa kohë që do të respektojnë ligjin.
Protestat kundër padrejtësisë dhe pabarazisë vazhduan përgjatë gjithë fundjavës në qytete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.
Qindra persona u mblodhën në disa qendra për të protestuar kundër ndihmave financiare për bankat dhe ndaj shpërndarjes “jo të drejtë” të të ardhurave në SHBA.
Pasi filluan më 17 shtator në shkallë të vogël, protestat e zhvilluara fillimisht rreth Wall Street në Manhattan, u përhapën në të gjithë Amerikën duke u bërë pjesë e debateve politike.