Demokristianët: Nuk njohim rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit
Demokristianët nuk e njohin rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. PDK-ja mblodhi dje kryesinë për të analizuar situatën e krijuar pas zgjedhjeve që sipas kësaj partie ishin të deformuara. “Kryesia e Partisë Demokristiane, duke analizuar faktet e mbledhura gjykon se zgjedhjet nuk ishin as të lira dhe as të ndershme, dhe rezultati i tyre nuk shpreh vullnetin real të votuesve shqiptarë. Në këto zgjedhje, sipas kryesisë së PDK-së, humbësit më të mëdhenj ishin votuesit shqiptarë, demokracia e brishtë, standardet dhe pluralizmi politik. Kodi Zgjedhor i imponuar nga dy partitë e vjetra, la të papërfaqësuar në parlament qindra mijëra qytetarë shqiptarë. Fushata zgjedhore u zhvillua nën trysni të jashtëzakonshme. Përdorimi i shtetit në fushatë, i gjuhës së urrejtjes dhe i presionit të gjithanshëm ndaj rivalëve politikë dhe në veçanti ndaj kandidatëve dhe mbështetësve të partive që nuk përfshiheshin në dy koalicionet e mëdha, krijoi një klimë terrori dhe frike te votuesit. Partia Demokristiane gjatë gjithë fushatës elektorale u sulmua egërsisht nga liderët kryesorë të partisë në pushtet. Njerëzit e saj u vunë nën presion në të gjithë vendin, duke penguar zhvillimin e një fushate normale zgjedhore. Për fat të keq gjatë kësaj fushate u konstatuan shembujt më të këqij të korrupsionit elektoral, kur paratë e dyshimta u përdorën për të blerë vullnetin e zgjedhësve, duke shfrytëzuar varfërinë dhe skamjen e krijuar nga keqqeverisja”, - thekson komunikata zyrtare e PDK-së. Sipas kësaj force politike, një tjetër moment kritik që deformoi rëndë rezultatin e zgjedhjeve ishte procesi i numërimit të votave. “Partia Demokristiane, jo vetëm që ishte e përjashtuar padrejtësisht nga procesi i administrimit të zgjedhjeve, por edhe vëzhguesit e saj që ia lejonte Kodi Elektoral nuk u pranuan, siç ndodhi në KZAZ 40 dhe 42 në qarkun e Shkodrës. PDK-ja ka prova të pakundërshtueshme se asaj i është tjetërsuar vota sidomos në qarqet ku mbështetja e saj ishte më e madhe si në Shkodër, Vlorë, Lezhë etj. Kryesia e Partisë Demokristiane vendosi që në fillim të shtatorit të mbledhë Këshillin Kombëtar për të analizuar rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe situatën e re politike të krijuar, kur demokristianët nuk do të përfaqësohen në parlament. Në këtë forum kryesia do të paraqesë propozimet e saj për qëndrimin ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit si dhe do të merren vendime të rëndësishme politike për të ardhmen e partisë. Kryesia e Partisë Demokristiane shprehu besimin se demokristianët shqiptarë do të vazhdojnë të mbeten një faktor i rëndësishëm politik në jetën e vendit si një alternativë e sigurt në rrugën evropiane të Shqipërisë”, - njoftonte dje zyra e shtypit e PDK-së.
1 Gusht 2009