E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e re, të hënën PD-ja nis zyrtarisht negociatat me aleatët e saj



Dita e hënë do të jetë dhe pikënisja e negociatave zyrtare të PD-së me aleatët e saj, Republikanët, PD_në dhe LSI-në. Paraprakisht “Albania” ka zbuluar se të paktën mes PD-së dhe PDI-së është vënë në diskutim ministria e Mjedisit edhe pse një marrëveshje e tillë nuk është “dyllosur”. Ndonëse nuk ka patur asnjë takim zyrtar mes dy kryetarëve të partive respektive për këtë çështje, “pas kuintave” negociatorët respektivë kanë shkëmbyer sinjalet e para. Sipas burimeve pranë këtyre partive mësohet se demokratët kanë shprehur deri më tani sugjerimin e tyre që PDI-ja të ketë një post ministror dhe dy poste në nivel zëvendësministrash. Demokratët kanë sugjeruar fillimisht postin e ministrit të Mjedisit, i cili mbahet aktualisht nga kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Lufter Xhuveli. Nga ana e saj PDI-ja nuk e ka refuzuar një propozim të tillë por në të njëjtën kohë nuk ka dhënë aprovimin përfundimtar ndaj ftesës së demokratëve për këtë ministri.
Negociatat
Gjithashtu një sfidë jo e lehtë për Berishën do të jetë harmonizimi i posteve mes aleatëve dhe figurave që ai ka në PD. Negociatat më komplekse duket se do të jenë ato me LSI-në. Deri më tani dy janë variantet më të përfolura për hapësirën që do të ketë Lëvizja Socialiste për Integrim në qeverisjen e re. Varianti i parë bën fjalë që LSI-ja të përfaqësohet në qeverisjen e ardhshme me tri ministri dhe postin e kryetarit të Parlamentit. Në rast të realizimit të këtij varianti, me shumë mundësi kryetari i Parlamentit të ardhshëm do të jetë kreu i LSI-së, Ilir Meta. Ndërkaq, në variantin e dytë bëhet fjalë që LSI-ja të marrë drejtimin e dy ministrive në qeverinë e ardhshme si dhe të ketë postin e zëvendëskryeministrit. Ministritë që fliten se mund të kalojnë në drejtimin e LSI-së janë Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punës. Megjithatë, për momentin asgjë nuk është e konfirmuar. Të dyja këto variante shoqërohen gjithashtu edhe me propozime konkrete për poste zëvendësministrash, drejtorë drejtorish, si dhe prefektë në qarqet ku LSI-ja arriti rezultate shumë të mira zgjedhore.
Karriget
Më shumë se gjysma e ministrave aktualë pritet t’i lënë karriget e tyre në fillim të muajit shtator. Qeveria e re e demokratëve do të krijohet në javën e parë të shtatorit, kur të nisë punën Kuvendi i ri. Por ajo që pritet të ndodhë është një formatim i ri i kabinetit qeveritar, ku pritet të mos jenë ministrat përfaqësues të partive aleate dhe disa prej ministrave të PD-së. Burimet bëjnë të ditur se pritet të mos ndryshojnë emrat e ministrave që kanë drejtuar dikasteret kyçe gjatë katër viteve të kaluara. Ndërsa aleatët e rinj të PD-së, pritet të marrin postet e ministrive që sigurojnë elektorat. PDI-ja ka kërkuar edhe disa hapësira dhe mbështetje nga PD-ja të cilat lidhen kryesisht me sensibilizimin dhe lobingun për zgjidhjen e çështjes çame. Partia për Drejtësi dhe Integrim do të kërkojë miratimin e një rezolute nga Kuvendi i ri në mbrojtje të çështjes çame. Kryetari i PDI-se Tahir Muhedini deklaroi pak kohë më parë se PDI-ja po bën gati tekstin e një rezolute e cila do të kërkohet të miratohet që në ditët e para të shtatorit që përkojnë me hapjen e legjislaturës së re Parlamentare.

Berisha në Laprakë: Katër vitet e ardhshme do ketë “bum” investimesh
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në inagurimin e rrugëve të brendshme të lagjes Laprakë. Me një financim të Kooperacionit Italian prej 3 milionë eurosh, përfundimi i 13 rrugëve që kapin një gjatësi prej 7 kilometrash, u përshëndet edhe nga ambasadori Italian Saba D’Elia. Kreu i qeverisë premtoi se në 4 vitet e ardhshme qeveria do të shumëfishojë projektet e saj të investimit. “Së pari ju përshëndes përzemërsisht dhe me mirënjohjen më të thellë përulem për mbështetjen e madhe që na keni dhënë, inkurajimin e madh që ju keni bërë, shpreh kënaqësinë që ndajmë sot gëzimin e përfundimit të një projekti, investim bujar i qeverisë mike italiane dhe i zbatuar nga një firmë serioze italiane, “Vëllezërit Salini”, në të cilën Lapraka ka sot një infrastrukturë realisht, krejtësisht tjetër dhe të re, si në sistemin e saj rrugor, në kanalizime, në sistemin e furnizimit me ujë, telefoninë dhe të gjitha shërbimet. Unë gjithashtu, shpreh kënaqësinë që ne festojmë së bashku fitoren dhe këtë projekt të ri dhe dua t’ju informoj ju dhe mbarë shqiptarët se këto 4 vite ne do të vazhdojmë të festojmë fitoren në çdo fshat dhe qytet të këtij vendi me projekte te reja”, tha Kryeministri. Sipas Berishës, çdo ditë dhe çdo javë do të inagurohen fillime punimesh dhe përfundime punimesh të rrugëve, ujësjellësave dhe kanalizimeve, të shkollave, sistemeve të vaditjes dhe shërbimeve të ndryshme dhe do të vazhdojë në këtë mënyrë deri më vitin 2013. “ Është e qartë si drita e diellit, se ky vend ka nevojë për vepra dhe jo për fjalë, se ky vend ka nevojë për rrugë dhe ne po i ndërtojmë; ka nevojë për shkolla dhe ne po i ndërtojmë; ka nevojë për ujësjellësa kanalizime dhe ne po i ndërtojmë; ka nevojë për shërbime dhe ne po i ngremë ato; ka nevojë për turizëm dhe vjen gjithnjë në rritje; Shqipëria ka nevojë për zhvillim dhe ne së bashku pikërisht këtë po bëjmë”, - deklaroi dje Berisha.

1 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›