E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokristianët, të bashkuar për zgjedhjet e 2009-ës

Kreu i demokristianëve Ndoka bëri të ditur sot se përfaqësuesit e 4 partive kristiane, të PDK, të Partisë Kristian Demokrate, të Partisë Social Kristiane dhe të Partisë së Bashkimit Demokristian do të konkurrojne bashkë në zgjedhjet 2009. 

TIRANE-Demokristianët formojnë grupimin e tyre politik për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Kryetari i PDK, Nard Ndoka dha sot një konferencë për shtyp në selinë e kësaj partie ku bëri të ditur lëvizjen e re të demokristianëve.
“Sot jemi këtu së bashku, përfaqesuesit e katër partive kristiane, të Partisë Demokristiane të Shqipërisë, të Partisë Kristian Demokrate, të Partisë Social Kristiane dhe të Partisë së Bashkimit Demokristian, për të shpallur publikisht, bashkëpunimin e të gjithë demokristanëve dhe konkurrimin së bashku në një grupim të përbashkët politik në zgjedhjet e vitit 2009”.
Me këtë nismë të re, partitë politike kristiane shpresojnë t’i japin një hov të ri lëvizjes politike Kristiane në Shqipëri dhe për të arritur një përfaqssim të denjë në zgjedhje. Ndoka vecoi me këtë rast faktin se ky bashkim ndryshon nga bashkimet e tjera partiake që lidhen ngushtë me pazare dhe interesa të ngushtë individualë. “Ne bashkohemi për të garantuar suksesin e një alternative, e cila është pasaporta europiane për shqiptarët, ne bashkohemi për të dhënë kontributin tonë politik në ndërtimin e të ardhmes sonë evropiane”, theksoi Ndoka.
Kryetari i PDK, njëkohësisht ish-ministër i shkarkuar qeverisë Berisha nuk hezitoi të sulmojë kreun e PD duke lënë të kuptohet se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë asnjë pakt mes partisë së tij dhe demokratëve. “Bashkimi ynë sot, i hapë rrugën një bashkëpunimi më të gjërë, rigrupimit të të gjithë atij faktori politik të qendrës së djathtë, të cilët ndjehën të përjashtuar nga përfaqësimi politik dhe të diskriminuar prej politikës së ndjekur nga lidërshipi i Partisë Demokratike, i cili është shndërruar në një klan të majtë që konkurron përballë një klani tjetër të së majtës ekstreme”, tha Ndoka në konferencën për shtyp.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›