Alarmi: Mali i Zi derdh alumin në liqenin e Shkodrës
SHKODER- Reziku ekologjik për liqenin e Shkodrës po mbërrin nga Mali i Zi. Sasi të madha mbetjesh alumini derdhen në liqen nga lumenjtë që rrjedhin nga shteti më i vogël i Ballkanit. Alarmi i përsëritur këtë herë më fortë vjen nga Drejtoresha e Zyrës Rajonale e Mjedisit në qytetin e Shkodrës, Diana Bejko.
Ashtu sic kishin paralajmërur specialistët vite më parë, fabrika e aluminit në kufi me Podgoricën në Mal të Zi nuk është më një kërcënim por një “përbindësh”. Fabrika derdh mbetjet e aluminit dhe kobaltit në liqen duke e cuar drejt një katastrofe të vërtetë ekologjike. “Mbetjet e fabrikës së aluminit në Malin e Zi derdhen në liqen. Kjo është me të vërtetë ndotje e rrezikshme, pasi prezupozohet se ekzistenca e metaleve të rënda në ujin e liqenit dhe sidomos përmbjatja e aluminit, krahasuar me normat e lejuara të BE, i kalon shumë këto shifra. Po kështu dhe mbetjet e kobaltit janë përsëri mbi normat e cilësisë së ujrave për standardet evropiane” tha për mikrofonin e NEWS 24, Drejtoresha rajonale e mjedisit Diana Bejko.
Po kështu lumenjtë që furnizojnë liqenin e Shkodrës nga Mali i Zi, Moraca sjellin dhe ndotje urbane me vete.
Por shkëlqimin dhe pasurinë ekologjike për të cilën njihej liqeni më i madh i Gadishullit të Ballkanit, po dëmtohet dhe nga mbetjet e urbane që hidhen nga komuniteti që jeton përreth brigjeve të liqenit të Shkodrës, ndërtimet pa leje dhe prerja e pyjeve në malin e Taraboshit.
Drejtoresha e Zyrës Rajonale e Mjedisit në këtë qytet i bën apel Bashkisë për të ndërhyrë duke ushtruar presion ndaj kompanive të ndërtimit të cilët në mënyrë të papërgjegjshme hedhin mbetjet inerte në brigjet e këtij liqeni.
Liqeni i Shkodrës ndodhet në veriperëndim të Shqipërisë dhe është liqeni më i madh i Gadishullit të Ballkanit. Ai është pjesë e kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi dhe ka sipërfaqe 368 km2, nga të cilat 149 km2 ndodhen në territorin administrativ të Shqipërisë. Lumi Moraça dhe ai Cem përbëjnë 60% të prurjeve në liqen. 30% e ujit vjen nga burimet nëntokësore e përrenjtë dhe pjesa tjetër nga malet dhe reshjet e shiut. Nyja ujore e hapësirës Bunë-Drin, luan rol të rëndësishëm në sistemin ujor të liqenit.
Dikur, një nga zonat më të populluara me pushues dhe turistë, liqeni i Shkodrës ndihet i braktisur. Gjuetia e paligjshme e peshkut, përdorimi i mjeteve shfarosëse për zënien e tij, janë kërcënime të tjera për këtë liqen, të cilat nga dita në ditë po i zbehin shkëlqimin e dikurshëm.
(s.g/BalkanWeb)