Demollari: Ja pikat e dobëta dhe të forta të ShqipërisëIsh-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit Sulejman Demollari: "Puna e trajnerit Haan ka qenë e pëlqyeshme. Rezultatet e deritanishme kanë qenë të mira të kombëtares"

SOKOL PAJA - Ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit Sulejman Demollari ka deklaruar se Shqipëria ka pësuar një rritje të ndjeshme në futbollin taktik dhe profesional, ndërsa duhet të ketë shumë kujdes euforinë dhe pësimin e golave nga goditjet standarde. Shqipëria do të luajë në Maltë më 11 shkurt ndërsa në Tiranë do të ndeshet me Hungarinë në muajin mars. Për këto dy ndeshje Demollari tregon se ekipi ynë do ta ketë mjaft të vështirë pasi kombëtarja vuan nga dëmtimet dhe forma jo e mirë e disa futbollistëve, por është optimist për një përfaqësim dinjitoz dhe marrjen e rezultatit pozitiv.
Si i parashikoni dy ndeshjet e Shqipërisë me Maltën dhe Hungarinë?
Ekipi ndaj Maltës dhe Hungarisë sigurisht që luan me probleme pasi disa futbollistë janë të dëmtuar dhe disa të tjerë të aktivizuar pak. Do të jetë e vështirë dhe kujdesi më i madh duhet kushtuar Maltës që të mos nënvlerësohet pasi do të sillte probleme. Ndërsa me Hungarinë duhet synuar fitorja por edhe barazimi nuk është keq pasi ekipi ka probleme me dëmtimet me aq s apo lexojmë edhe në shty ditët e fundit. Kombëtarja nëse punon fort dhe i merr seriozisht duke mos nënvlerësuar asnjë kundërshtar them se do të marrë rezultate pozitive.
Si e vlerësoni ecurinë e deritanishme të Kombëtares?
Puna e trajnerit Haan ka qenë e pëlqyeshme. Rezultatet e deritanishme kanë qenë të mira të kombëtares. Tani për tani është pak herët të japim një vlerësim pasi nota përfundimtare do i jepet në përfundim të sezonit. Do të themi se ka bërë një punë të mirë vetëm nëse arrihen objektivat e vëna në fillim të sezonit ku është kërkuar vendi i katërt në grup e më lart. Po të punohet me këto ritme themi se kombëtarja është në rrugë të mbarë.
Cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të ekipit kombëtar?
“Kombëtarja jonë ka pikën e saj më të dobët pësimin e golave nga goditjet standarde siç janë goditjet e këndit apo edhe kornet. Gjithashtu një pikë tjetër ku duhet punuar është edhe kujdesi që të mos përfshihemi nga euforia. Gjithmonë ekipi asnjëherë që zhvillon një ndeshje të mirë nuk kujdeset dhe në ndeshjen pasardhëse zhgënjen totalisht. Anët pozitive të Shqipërisë do të veçoja dy, përgatitjet taktike me të cilin trajneri ka punuar shumë në këtë aspekt dhe përgatitjen më të madhe profesionale që në të vërtetë ka pasur një rritje të dukshme ekipi.”
Cilat janë shanset e kombëtares për Afrika 2010?
Kombëtarja jonë nuk mund të arrijë pjesëmarrjen në finale pasi kundërshtarët janë shumë të fortë. Megjithëse kjo është një ëndërr e madhe e të gjithë neve, prapë se prapë duhet të gëzohemi nëse kombëtarja jonë do të zërë një vend dinjitoz në renditjen përfundimtare të grupit. Pjesëmarrja në botëror diskutohet mes ekipeve të Portugalisë, Suedisë dhe Danimarkës ekipe këto më me shumë tradita në futboll sesa neve dhe pretendimi ynë real është një pozicionim sa më i lartë në tabelë.
E Enjte, 15 Janar 2009